Sport

Instruktorë të FIFA-së në Kosovë, ndihmojnë gjyqtarët

Autori: Gazeta inFokus 14:15 | 07 August 2018

Para fillimit të edicionit të ri të garave, Komisioni i Gjyqtarëve do të mbajë një këshillim 5 ditorë për gjyqtarë. Sipas fjalëve të kryetarit të këtij Komisioni, Përparim Hasani, këshillimi do të mbahet nga data 8 gusht e do të zgjasë deri më 12 gusht dhe janë përfshirë 45 gjyqtarë.

“Jemi munduar që të sjellim ekspertët më të mirë të kësaj fushe. Kështu që kemi ftuar si ligjërues z. Alan Snoddy – Instruktor i FIFA‐së,  Instruktor i fitnesit: Simon Breivik –trajner i fitnesit i Gjyqtarëve të Premier Ligës Angleze, pastaj ligjëruesin për  përgatitje  mentale Ridvan Ekmekci –Profesor në Universitetin Pamukkale dhe ligjëruesin  Bekim Zogaj – gjyqtar asistent i FIFA‐së. Shpresoj se gjatë këtyre ditëve gjyqtarët tanë do të kenë rastin të mësojnë shumëçka nga dija dhe përvoja e këtyre njerëzve”, ka theksuar Hasani.

Ndërkohë, Alan Snoddy –instruktor i FIFA‐së, sot, e ka pritur presidenti Agim Ademi. Duke e falënderuar dhe uruar qëndrim të këndshëm në këto pesë ditë gjatë Këshillimit me gjyqtarë sa do të zgjasin ligjëratat, presidenti Ademi vuri në dukje rëndësinë e ngritjes profesionale të gjyqtarëve.

-Advertisement-

FFK-ja e ka prioritet një gjë të tillë dhe vazhdimisht përmes këshillimeve të ndryshme qoftë në Kosovë dhe jashtë do të jetë në mbështetje të gjyqtarëve si dhe do të krijojë mundësi dhe hapësirën e duhur me standarde evropiane për gjyqtarë.

Nga ana e tij, Alan Snodby, falënderoi presidentin Ademi për mikpritje duke theksuar se në Kosovë vjen me kënaqësi dhe gjyqtarët tuaj shpejt do të bëhen pjesë e Konventës së gjyqtarëve.

“FIFA i jep shumë rëndësi ngritjes së vazhdueshme profesionale të gjyqtarëve, sepse konsideron se janë segmente tepër me rëndësi në mbarëvajtjen e garave në çfarëdo  niveli qofshin ato. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë për arritjen e objektivave tuaj”, ka theksuar Snoddy.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera