Lajme

Institucionet thonë se liberalizimin e vizave s’e pengon asnjë proces tjetër politik

Autori: Gazeta inFokus 14:12 | 18 August 2018

Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës nuk mund ta pengojë asnjë proces tjetër politik.

Sipas saj, liberalizimi i vizave nuk mund të përdoret as si presion që Kosova të nënshkruajë marrëveshjen finale më Serbinë.

Në opinion në Kosovë së fundmi është hapur tema e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

-Advertisement-

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar që çështja e kufirit me Serbinë, do të duhej të përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011. Sipas Bashkimit Evropian në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.

Ministrja Hoxha, thotë se liberalizimi i vizave dhe çështja e dialogut me Serbinë janë procese të ndara.

“Unë nuk i shoh këto çështje të lidhura aspak, është një proces shumë i ndarë ka qenë që nga fillimi edhe në kohën kur janë përmendur raportet e ndryshme që Kosova i ka pranuar, qoftë në sektorin e sundimin e ligjit, qoftë në sektor të tjerë. Ato raporte asnjëherë nuk kanë qenë të lidhura me liberalizimin e vizave”.

“Procesi i liberalizmit të vizave ka qenë proces teknik. Kemi marrë udhërrëfyesin, 95 kritere kemi plotësuar dhe me plotësimin e tyre, Komisioni Evropian ka dalë me rekomandim pozitiv. Tani janë hapat tjerë. Është një proces i vendimmarrjes në mes të tri institucioneve: Komisionit, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave. Pra, i mbetet këtyre tri institucioneve që të fillojnë procedurat e vendimmarrjes”, bënë të ditur Hoxha.

Në anën tjetër, analisti i çështjeve të integrimeve evropiane Taulant Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e liberalizimit të vizave nuk do të duhej të ndërlidhej me dialogun.

“Këto janë çështje të ndara. Çështja e vizave është proces teknik, derisa sa i përket dialogut askush nuk mund të dialogojë, e as të nënshkruajë marrëveshje pa pasur aprovimin paraprak të Kuvendit të Kosovës. Nuk mund të flasim për territorin e shtetit tonë sikur të flasim për pronën private. Janë disa rregulla që ka çdo sistem parlamentar, siç është Kosova”, thotë Kryeziu.

Institucionet e Kosovës, shton Kryeziu, duhet të lobojnë më shumë te vendet evropiane si dhe të ofrojnë informacione këtyre vendeve për punën që po bëhet në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, skenari më pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave, është që këtë vit të këtë së paku vendimmarrje në institucionet evropiane.

“Dinamikat brenda dhe vendeve anëtare të BE-së mund të na kushtojë, pasi që ky është vendim politik. Problemet e migracionet që ka pasur Italia, Gjermania, të gjitha këto mund të ndikojnë negativisht që kjo agjendë të mos shtyhet përpara. Po ashtu, e rëndësishme është që qytetarët të kuptojnë çfarë është liberalizimi i vizave, pasi që shqetësim i vendeve anëtare të BE-së është të mos bëhemi barrë e taksave të taksapaguesve të këtyre vendeve dhe të mos jemi eksportues të kriminalitetit, si dhe të tregojmë se ne kemi krijuar një kornizë të fuqishme legjislative të brendshme”, thotë Kryeziu.

Sa i përket informimit të qytetarëve të Kosovës rreth liberalizimit të vizave, ministrja Hoxha bën të ditur se kanë filluar një fushatë vetëdijësuese, në mënyrë që të mos ketë keqpërdorim, ashtu siç kanë bërë qytetarët e vendeve të rajonit.

Ministrja Hoxha nënvizon se në fund të gushtit ose në javën e parë të shtatorit mbahet takimi i Komitetit LIBE, pastaj fillon procesi në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave.

“E gjithë kjo procedurë duke u bazuar në shembujt e vendeve të rajonit dhe vendeve që kanë kaluar në këtë proces, mund të përfundohet deri në fund të këtij viti”, thotë ministrja Hoxha.

Komisioni Evropian ka dhënë tanimë rekomandimin pozitiv për liberalizimtë vizave për Kosovën. Tani pritet që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së të votojnë për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera