Fokus

Institucionet e shëndetësisë heshtin për vdekjen e dyshimtë të Florie Maxharrajt

Autori: Xhejlane Kaçiu 11:18 | 22 January 2019

Ka një javë që Florie Maxharrajt nga Vrella u varros në varrezat e fshatit.

Nëna e dy fëmijëve dyshohet se vdiq të hënën e 14 janarit si pasojë e një injeksioni që mori në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog një ditë më parë.

Për këtë, familja edhe hapi rast në Polici.

-Advertisement-

E institucionet e shëndetësisë, ato lokale e qendrore, nuk kanë ndërmarr asnjë veprim në lidhje me këtë rast deri më tani, përveç intervistimit nga Policia të mjekut që trajtoi pacienten në Pejë.

“Ajo që është kërkuar nga ne e kemi përmbushë. Sa e dimë ne ka filluar një hetim i Policisë, një doktor i jonë ka dhënë një deklaratë në Polici. Deri më tani nuk kemi marrë ndonjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Naim Sahiti, zyrtar për informim në Spitalin Regjional në Pejë.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë  për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Petrit Loci në këtë qytet bëri me dije se ata nuk kanë të bëjnë fare me këtë rast.

“Nuk kemi pas asnjë kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë. Drejtoria e Spitalit komunikon direkt me Ministrinë e Shëndetësisë, për shkak se menaxhimi i Spitalit bëhet nga shërbimit spitalor, prandaj edhe nëse ka ndonjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë nuk vjen në adresë të Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Pejës”, tha Loci për inFokus.

Edhe Mujë Osmanaj, Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Istog tha se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me mjekun që trajtoi pacienten.

“Ne nuk kemi çka me ndërmarrë sepse nga ana jonë, protokolli, shërbimi dhe gjithçka tjetër ka qenë në rregull, prej këtu pacienti ka dal i përmirësuar. Gjithçka që ka ndodh më vonë, ka ndodhë në shtëpi, në Pejë dhe në QKUK. Ne vetëm përmes medieve kemi kuptuar çka ka ndodh. Pa ardhur analizat që me ditë a është lidh me ndonjë sëmundje tjetër, a është ndërveprim i barërave apo çka, nuk mund të themi asgjë”, tha Mujë Osmanaj për inFokus, duke bërë me dije se mjeku Kadri Seferaj, që trajtoi pacienten vazhdon të punoj normalisht.

Gazeta Infokus ka një javë që ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë për masat e ndërmarrë për zbardhjen e rastit të Florie Maxharrajt.

Por në ministrinë e drejtuar nga Uran Ismaili nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

E gjitha që dihet në lidhje me këtë në Ministri është se Inspektorati po merret me rastin.

Ky rast po trajtohet si “Vdekje e Dyshimtë” edhe nga Prokuroria.

Në lidhje me rastin e vdekjes së Florie Pelaj Maxharraj për inFokus kishte folur Ibrahim Berisha, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Berisha pati thënë se ky rast është i natyrës urgjente, prandaj fillimisht u trajtua nga prokurori kujdestar.

Fillimisht më këtë rast është marrë Shkëlzen Ibrahimi, prokurori kujdestar i cili ka dhënë urdhrin për obduksion, shkruan gazeta inFokus.

“Prokurori kujdestar, Shkëlzen Ibrahimi, ka kontaktuar me kryeprokurorin e Pejës edhe janë pajtuar që urdhëresën për obduksion ta lëshoj prokurori në Prishtinë dhe pas kësaj lënda të kaloj tërësisht në kompetenca të Pejës, për shkak se Istogu ka vetëm gjykatë, e jo prokurori, atëherë rasti i takon rajonit Pejës”, ka deklaruar Berisha për gazetën inFokus.

Në bazë të informacioneve të deri tashme, Berisha ka bërë me dije se ende nuk është vërtetuar se çka i ka shkaktuar vdekjen e Maxharrajt.

Të hënën pasdite rasti ka kaluar në Prokurorinë e Pejës.

E nga ky institucion ende nuk ka një deklaratë zyrtare për rrjedhën që do të marrë ky rast. /Gazeta inFokus/

Lexo edhe lajmet tjera këtu!

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera