Opinione

Instagrami si post-platonizem

Autori: Gazeta inFokus 20:03 | 31 March 2023

Mendimit filozofik perëndimor që nga fillet e tij ka demostruar një qëndrim nënvlerësues për botën e imazhit dhe sferën së teknikës.

Platoni është shembull paradigmatik i kësaj trashëgime. Në veprën “Shteti”, në pjesën mbi “Alegorinë e Shpellës”, ky filozof me nam global, e ka pasqyruar mjerimin mendor të njerëzve që ndodhen të kapërthyer nga sfera e imazheve. Ata nuk e njohin të vërtetën e përjetshme të ideve të cilat ekzistojnë matanë kësaj bote të përkohshme dhe aksidentale.

Gjithçka që qeniet njerëzore që jetojnë në këtë nivel të jetës janë në gjendje të kapin, s’është asgjë tjetër, pos hijeve false të gjërave. Kjo traditë ka qenë kanonike për mijëra vjet në historinë e mendimit filozofik. Dhe ka shërbyer si standard për t’i orientuar hulumtimet teorike jo vetëm për njohjen e së asaj që është e vërtetë dhe ekziston në qiellin e pastër të ideve, por edhe është shndërruar në parim udhëzuese etik në kërkim të kuptimit të jetës njerëzore.

-Advertisement-

Kjo hierarki e ka kushtëzuar afirmimin e sferës së ideve mbi realitetin dhe sferën e transcendencës mbi aparencën. Dhe si e tillë ajo, kuptohet e transformuar dhe përshtatur për nevojat masive të kongregacionit të besimtarëve, ishte kodifikuar edhe nga traditat e besimit religjioz të krishterë.

Prandaj, ka të drejtë filozofi i njohur gjerman Friedrich Nietzche kur krishterimin e definon si “platonizim i masave”. Normat e ungjillit të ri të jetës e instruktonin rrugën e shpëtimit të shpirtit njerëzor. Ky synim mesianik s’mund të arrihej në mesin tonë, por në botën e përtejme. Jeta jonë tokësore shërbente vetëm si medium për të ndjekur rregullat e shenjta të hyjnisë më qëllim që ta përfitohej parajsa qiellore. Detyrat e shpirtërore kishin një vend primar në këtë betejë jetësore. Shfaqja nuk ishte ndonjë rëndësi specifike. Ajo ishte vetëm një material kalimtar dhe në funksion të qëllimeve shëlbyese. Jeta e përfitonte kuptimin për aq kohë sa ishte në shërbim të këtyre qëllimeve universale morale, etike dhe metafizike. Lutja para altarit e shtronte rrugën e këtij “bashkimi” me jetën e përtejme.

Mirëpo, me kalimin e shekujve për shkak të kapërcimit në rendin industrial, prodhues dhe me kryesorja teknologjik, themelet e kësaj ngrehine doktrinare përjetuan krisje serioze. Për të mos thënë më mirë u shemben. Vakumi i pushtoi qeniet njerëzore. Forma alternative lulëzuan njëra pas tjetrës në funksion të plotësimit të kësaj zbrastësie shpirtërore. Si në rrafshin politik ashtu edhe atë teknologjik.

Filozofë dhe sociologë të ndryshëm mëtuan ta kapin trendin pervasiv sidomos të teknologjisë që po bëhej determinues për pjesën më të madhe të shoqërive bashkëkohore. “Shoqëri e spektaklit”, “shoqëri e konsumit”, “triumf i videokracisë” lulëzim i “homo vidensit” në vend të  “homo-sapiensit”, sukses i “arsyes instrumentale” etj, janë vetëm disa nga termat më të njohura që pretendonin t’i deshifronin parametrat e këtij rendi teknokratik.

Kështu, teoricieni i njohur Giovanni Sartori në librin e tij “Homo vidensi” pohon se nëse dikur besohej se “në fillim ishte fjala”, sot pa ekuivoke mund të themi se “në fillim është imazhi”.

Këtë ngarendje masive për botën e dukjes dhe imazheve si edhe efektet psiko-sociale që ka prodhuar ky shndërrim “magjik”, kohë më parë e ka analizuar filozofi i njohur gjerman Peter Sloterdijk. Sipas këtij mendimtari me prirje cinike, epokën tonë e karakterizon një shtytje e përgjithshme drejt “celebretariatit”(famshmërisë). Impulset për këtë ngashënjim përndizen nga imagjinata e “famës për hir të famës”. Ndërkaq mirëmbajta e këtij rendi “post-mendor” është bërë e mundur pikërisht nga përdorimi i mjeteve masive të komunikimit modern dhe rrjeteve sociale.

Madje, sipas P. Sloterdijkut, sot Instagrami si njëra nga format e mundësive të tilla e ka zëvendësuar edhe lutjen e dikurshme religjioze si mjet për “komunikim” me jetën e përtejme me kërkesën për të marr vëmendje virtuale. Kështu, “publikut dhe rrethit të miqve i jepet një rol që me parë i kërkohej qiellit dhe shenjtoreve”. Mirëpo, vazhdon më tutje ky teoricien, nuk duhet harruar faktin se nxitje të tilla e kanë demokratizuar edhe botën e të famshmëve. Sepse kultet e reja të kësaj bote mund të gjenerohen në çdo cep të planetit, falë këtij evoluimi tekniko-social.

Ndonëse, siç u dëshmua më vonë kësaj pandehme mund t’i bëhen vërejtje serioze. Ishin disa nga “whistleblower”-et e kompanisë së njohur Facebook, që i zbuluan efektet negative psikologjike dhe sociale që i gjeneron varësia nga përdorimi i tepërt i mediumeve të tilla.

Publikime të tilla kanë treguar mbi ndikimin negativ në shëndetin e të rinjve që e ka veçanërisht Instagrami. Kjo platformë, sipas këtij hulumtimi, “tek shumë adoleshentë dhe atë kryesisht te vajzat e reja e nxit pakënaqësinë ndaj trupit të tyre”. Konkurrenca për të ekspozuar vazhdimisht format e hajthshme trupore po shkakton anomali në ushqyerje dhe depresione.

Pra zbulime të tilla pasqyrojnë edhe dimensionin manipulativ dhe instrumentalizues që e shkakton kjo botë virtuale. Natyrisht, gjeanologjia e këtij ndryshimi për P.Sloterdijkun duhet kërkuar shumë herët. Te përmbysjet politike që shkaktoi Revolucioni Francez. Sepse ky shpërthim krijoi kushte për krijimin e shumë pozitave të reja relevante publike, financiare dhe kulturore që mungonin deri para kësaj ngjarje. Me këtë rast, papritmas ato u mbushën nga “sipërmarrësit, bankierët, artistët, avokatët, politikanët, kolumnistët, profesorët, dhe gratë tyre të stolisura shkëlqyeshëm” të cilat arrinin që me rrëzëllimin e tyre të zinin po ashtu një vend të famshëm. Kjo kthesë spektakolare, bëri që të mos ishte tash e tutje vetëm “aristokracia ajo e cila tradicionalisht si një sferë e veçuar sociale ta uzurponte vëmendjen qendrore të publikut”. Por, “mijëra fytyra të reja dolën në dritën e diellit”.

Gjithsesi, avancimin më të madh ky proces e njohu nga shpërhapja mediatike që ndodhi në shekullin XX dhe në fillim të këtij shekulli. Në saje të kësaj dinamike janë krijuar dhe shpeshtuar mijëra “pozicione të reja, me super yje, super modele dhe epigonet e tyre të panumërt”.

Facebooku, Instagrami, Youtube, janë vetëm disa nga platformat e kësaj “epoke të artë” që e promovon “famën për hir të famës”.Duke e stimuluar në nivele të panjohura më parë etjen e njerëzve për aparencë, e cila si sentiment, siç thamë, qëndron në antinomi më postualet e doktrinës filozofike të inauguruar nga Platoni, ky rend teknologjik së bashku me mediat sociale pretendon të ofrojë edhe ngushëllim për humbjen e kuptimit për shkak të kolapsit të metafizikës tradicionale.

Kuptohet, këtu ekziston një dallim. Sepse, siç thamë, këtë kuptim, këto platforma nuk e kërkojnë në sferën e ideve të përjetshme, në hulumtimin e të vërtetës transcendentale dhe jo shqisore apo afirmimin e vetë-njohjes shpirtërore, por me anë të krijimit të hapësirave të pamasa virtuale për ekspozim dhe vetë-dukje. Është ndoshta triumfi i këtij rendi që dëshmon më mirë se asgjë tjetër për “fundin e metafizikës” së Platonit dhe shndërrimin e instagramit si model i post-platonizmit.

Zëvendësim ky,  që po ashtu që na tregon se shpella për të cilën filozofi antik na rekomadonte për ta braktisur sa më parë nëse dëshirojmë ta gjejmë të vërtetën nëpërmjet mendimit, do të jetë mbase e vërteta jonë e përbashkët, mirëpo tani e shfaqur vetëm nëpërmjet aparencës dhe imazheve. Dhe se ajo nuk është e përjetshme, por i nënshtrohet presioneve të çastit si dhe dëshirave të momentit. E ky model ua ofron qenieve njerëzore edhe teknikat e atypëratyshme të përmirësimit facial dhe trupor para se të shfaqen në këto platforma të komunikimit social, për dallim nga modeli platonik që e rekomandonte kultivimin e mendimit.

Mbase ky ndryshim e ka bërë të parin të ngadhënjejë mbi të dytin. Sepse i pari u përgjigjet më shumë nevojave masive të shoqërive njerëzore.

Shkrun Afrim Kasolli

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera