Lajme

Inspektorati i kthen në punë, Posta shpall konkurse për të njëjtat vende

Autori: Gazeta inFokus 16:04 | 15 January 2021

Inspektorati i Punës së fundi kishte miratuar vendimet në favor të katër zyrtarëve të Postës së Kosovës, për kthim në vendet e punës, të cilët ishin shkarkuar nga Bordi i Përkohshëm i kësaj ndërmarrje.

Inspektorati kishte konstatuar se vendimet e Bordit të përkohshëm të drejtorëve të “Postës së Kosovës sh.a.”, për shkarkimin e zyrtarëve, është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr.03/L-212 të punës: neni 70, paragrafi1.51 1.6.1, 1.6.2, paragrafi 3, neni 71, paragrafi 2, neni 5, paragrafi 1, 2 dhe 5.

Në vendime thuhet se obligohet punëdhënësi “Posta e Kosovës sh.a”, të anulojë vendimet dhe t’i kthejë të njëjtit në punë.

-Advertisement-

Mirëpo këto vendime të Inspektoratit të Punës, nuk ia kanë ndryshuar fare mendjen Bordit të Përkohshëm të Postës që t’i kthejë ata në pozitat që ishin.

Madje ky bord sot ka shpallur konkurs për pozitat kryesore në Postë.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, me 3 korrik të vitit 2020 u kishte dërguar një kërkesë të gjitha Bordeve të Drejtorive të Ndërmarrjeve Publike, që të pezullojnë të gjitha proceset e rekrutimit që të shmangen dëmet financiare në Ndërmarrjet Publike si pasojë e kontesteve të ngritura në procedura administrative dhe gjyqësore dhe njëkohësisht që këtij procesi t’i ngritët kredibiliteti përmes asistencës britanike.

E një kërkesë të tillë e kishte bërë edhe Fikrie Fejza, udhëheqëse e Njësive për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Ajo me datën 18 qershor të vitit të kaluar kishte rekomanduar bordet e ndërmarrjeve publike që të pezullojnë përkohësisht konkurset dhe pozitat tjera të zyrtarëve të lartë.

“Meqenëse ndërmarrjet publike kohëve të fundit kanë pasur ndryshime të mëdha që përfshijnë shkarkimet, emërimet e bordeve të përkohshme, ankesat dhe paditë e shumta dhe duke u bazuar në këtë situatë të jashtëzakonshme, gjatë së cilës mund të shkaktohen pasoja në operimin e rregullt të tyre, ne jemi të detyruar që të merremi me përqendrim dhe me vëmendje të shtuar me ndërmarrjet publike”.

“Përderisa i kemi përcjellë gjithë këto ndryshime të shpejta si dhe programi qeverisës 2020-2023 të miratuar në Parlamentin e Kosovës, ne si Ministri e Ekonomisë dhe Ambientit, pas diskutimeve të gjata me të gjithë zyrtarët përgjegjës rekomandojmë që konkurset e publikuara për KE dhe pozitat tjera të larta sipas ligjit për ndërmarrjet publike të pezullohen, veçanërisht për ndërmarrjet në vështirësi financiare dhe bilanc negativ”.

“Pas shkarkimeve të shumta që janë bërë kohëve të fundit, janë bërë shumë ankesa dhe pasi të cilat sipas inspektoratit të punës shumë prej tyre kanë rezultuar pozitive dhe duke pasur parasysh që ndërmarrjet publike kanë shumë padi gjyqësore që e kanë rënduar afarizimin e tyre duke shkaktuar shpenzime të larta financiare, atëhërë nxitimi me këto konkurse mund të rëndojë edhe më tutje afarizmin apo operimin e tyre të rregullt”.

Rikujtojmë se Qeveria Hoti kishte shkarkuar bordin e “KUR Prishtina”, “Iber Lepenc”, “KEK” për arsyeje që nuk i kanë zbatuar rekomandimet e ministrisë.

Ndryshe, një pjesë e punëtorëve të Postes nuk i kanë marr ende pagat e dhjetorit për shkak të vështirësive financiare. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera