Lajme

Inspektorati dënon 9 biznese për mashtrim me peshore

Autori: Gazeta inFokus 10:28 | 17 November 2018

Pronarët e bizneseve në Kosovë përveç mashtrimit me çmime po provojnë edhe mënyra tjera të mashtrimit.

Atë me peshore. Këto mashtrime janë konfirmuar edhe nga zyrtarë të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

Vetëm në periudhën e fundit, Inspektorati i tregut në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë, ka arrit të shqiptojë 9 gjoba për mashtruesit nëpër biznese ndërsa, Dogana ka konfiskuar rreth 90 peshore në kufij, të cilat nuk i kanë plotësuar standardet e kërkuara të bazhdarimit për fiksimin e peshoreve.

-Advertisement-

Se tregtarët mashtrojnë e thonë qytetarët të cilëve u ka ndodhur që gjatë blerjes janë mashtruar në peshore.

Qytetari Hamdi Nura thotë se ka pasur raste kur ai është mashtruar gjatë blerjes së ndonjë produkti të peshuar në peshore.

Edhe Ibrahim Abazi, qytetar ka thënë se viktimë e peshoreve përveç konsumatorëve, janë edhe prodhuesit në Kosovë.

Ndërsa, Ragip Gashi konsumator, ka thënë se mashtrimet me peshore janë të shpeshta dhe nuk pret që të ndalet ky fenomen nga biznese të mëdha në vend.

Megjithatë edhe drejtues të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës po thonë se mundësitë për mashtrime me peshore janë gjithmonë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian.

Por Isa Elshani, udhëheqës i Drejtoratit të Metrologjisë Ligjore në AMK ka thënë se po përpiqen që t’i eliminojnë këto dukuri në bazë të Ligjit në fuqi dhe për mes Trupave të Emëruara për Vlerësim të Konformitetit, të cilët sipas tij, verifikojnë mjetet matëse ligjore, dhe nëse ato janë në pajtueshmëri me kërkesat e verifikimit fillestar dhe periodik, vendosin shenjën e verifikimit dhe lëshojnë certifikatën e verifikimit.

Elshani thotë se që nga 7 qershori është në fuqi Rregullorja për peshoret jo-automatike, e cila përcakton kriteret të cilat duhet t’i përmbush një peshore jo-automatike, para se te vendoset në tregun e Kosovës.

Elshani ka thënë se në bazë të Udhëzimit Administrativ për periudhën verifikuese të mjeteve matëse ligjore, peshoret jo-automatike me matje maksimale mbi 9 mijë kilogramë, verifikohen çdo vit.

Kryeinspektori i Tregut në MTI Lulëzim Syla ka thënë se gjatë inspektimeve në treg, kanë hasur parregullsi nëpër biznese, ku edhe kanë shqiptuar gjoba prej 500 deri 1500 euro. Ai nuk ka treguar se për cilët operatorë ekonomik janë lëshuar gjobat.

Ndërsa, në dy vitet e fundit në Kosovë janë importuar 90 mijë peshore, ku sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, rasti i fundit për ndalim të importeve me peshore digjitale ka qenë tre muaj më parë, pasi dogana ka hasur një import me peshore me origjinë nga Kina të cilat nuk kanë qenë konform standardeve që tregojnë saktësinë apo nivelin e saktësisë.

Për këtë fenomen, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që ta trajtojnë me urgjencë bazhdarimin për fiksimin e peshoreve, sepse kjo, sipas tij, krijon pasiguri dhe shumë probleme në treg.

Ndryshe, mashtrimet e shumta ndodhin me peshore digjitale, të cilat përdoren nga bizneset.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera