Lajme

Inspektohen segmentet rrugore me rrëshqitje të dheut

Autori: Gazeta inFokus 14:53 | 06 March 2018

Ministria e Infrastrukturës, respektivisht zëvendësministri Rexhep Kadriu dhe Inspektorati i Ministrisë, inspektuan sot disa prej segmenteve rrugore në të cilat ka pasur shembje të dheut, si pasojë e shkrirjes së borës dhe reshjeve të shumta të shiut ditëve të kaluara.

Destinacioni i parë i inspektimit qe tuneli i rrugës M2 në Mitrovicë. Aty zv\ministër Kadriu dhe Inspektorati i Ministrisë, së bashku me Menaxherin Rajonal të Mitrovicës Agron Beshiri, u njoftuan për së afërmi me gjendjen në të cilën ndodhet ky tunel dhe dëmet që kanë shkaktuar reshjet e shiut ditën e djeshme. Duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për gjendjen e cila është krijuar, zv\ministri Kadriu tha se Ministria e Infrastrukturës do të marrë masat e duhura këtyre ditëve, në mënyrë që të sigurohet sa më parë infrastruktura rrugore në këtë pjesë.

“Sot jemi në inspektim të tunelit në rrugën M2 Mitrovicë-Qabër, bashkë me Inspektoratin e Ministrisë dhe me Menaxherin e Rajonit të Mitrovicës, që të shohim gjendjen se çfarë ka ndodhur dje dhe se çfarë duhet të bëjmë ne, duke pasur parasysh që për dy vite rrresht, në qeverisjen e kaluar, është bërë një kërkesë për rikonstruktimin e këtij tuneli dhe nuk janë marrë masat e duhura. Na vjen mirë që dje nuk ka ndodhur ndonjë aksident me pasoja fatale për qytetarët, pasi ka rrëshqitur kurora e hyrjes së këtij tuneli. Atëherë, masat të cilat do t’i marrim shpejtë, brenda këtyre dy-tri ditëve, do ta sigurojnë vendin aty ku mund të ketë rrëshqitje të dheut. Mirëpo, ne jemi edhe në përgatitje të projektit zbatues. Kemi marrë masat si Ministri e Infrastrukturës që shpejtë, brenda dy ditëve, të mbyllet çështja e projektit zbatues dhe që nga java e ardhshme t’i shpallim proceduart e tenderimit për rikonstruktimin e kësaj situate, e cila nuk është e mirë, sepse realisht, për 17 vite, nuk është investuar asnjëherë në sanimin e kësaj gjendjeje, me gjithë ato kërkesa të cilat janë bërë më herët.”, deklaroi zv\ministri Kadriu.

-Advertisement-

Kadriu gjithashtu përmendi problemet me të cilat përballet ky tunel dhe zgjidhjet që do të përfshihen në projektin për rikonstruktim, si: pastrimi i strukturës së betonit, mbushja e pjesëve të betonit, hidroizolimi dhe hudhja e pllakës së re të tunelit.

Zv\ministër Rexhep Kadriu së bashku me Inspektoratin e Ministrisë , inspektuan edhe rrugën pranë liqenit të Ujmanit në Zubin Potok, përkatësisht në veri të vendit, rrugë kjo e cila u përball me shembje të dheut nga moti jo i favorshëm atmosferik. Kadriu deklaroi se do të merren masat e duhura për siguri në komunikacion dhe që situatat emergjente si kjo, do të menaxhohen sa më shpejtë që është e mundur. Kadriu tha: “Duke marrë informacione para disa dite nga Menaxheri i Rajonit të Mitrovicës, ne pikërisht për shkak të shembjes së këtij segmenti rrugor, jemi në komunën e Zubin Potokut, më saktësisht pranë liqenit të Ujmanit, sepse ne i menaxhojmë të gjitha rrugët edhe në veri të Mitrovicës. Kompania është e kontarktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe ne kemi dalë që t’i marrim masat për siguri në komunikacion. Edhe pse shenjat e komunikacionit janë të vendosura të gjitha, ne dhamë sygjerimet tona, i dhamë urdhër kompanisë që, menjëherë nga dita e nesërme, t’i fillojë punimet, të hudhet zhavor i mjaftueshëm deri në zgjidhjen përfundimtare. Diku deri në gjysmën e Prillit, ne do ta sanojmë tamam ashtu siq duhet këtë pjesë, sepse duhet të vendoset një mur mbrojtës i betonit pasi që është i domosdoshëm për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dheut”.

Duke qenë se siguria dhe menaxhimi i rrugëve janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, inspektimet e ditës së sotme treguan që Ministria e Infrastrukturës do të jetë çdoherë e gatshme konform problemeve. Qeveria Haradinaj dhe Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga ministri Pal Lekaj, i trajton të gjitha rajonet njëjtë dhe si një territor të vetëm. Këtë e dëshmon më së miri edhe fakti që zv\ministër Rexhep Kadriu, e vizitoi sot edhe rrugën që ka rrëshqitur në veri të vendit. Kjo është hera e parë që rrugët në veri të vendit vizitohen nga Kabineti i Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera