Fokus

Infokus e fiton betejën ligjore 5 vjeçare me biznesmenin Blerim Devolli

Autori: Gazeta inFokus 16:39 | 18 May 2022

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën dhe ka nxjerrë të pafajshëm gazetarët e Gazetës Infokus, për rastin e raportimit për pasaportën malazeze të biznesmenit Blerim Devolli.

Që nga viti 2018 dy gazetarët e këtij portali Shkëlzen dhe Valdete Dakaj janë akuzuar për gjoja publikim të lajmeve të rreme ndaj biznesmenit të njohur, Blerim Devolli.

Kjo aktakuzë u ngrit përkundër faktit se lajmi ishte i bazuar në dokumente faktike dhe kishte u përmbahej të gjitha parimeve profesionale të gazetarisë. Skandal në vete ishte edhe fakti se prokuroria pretendoi të ndiqen këta dy gazetar për veprën penale veprën penale të lajmërimit ose kallëzimit të rremë.

-Advertisement-

Gazetarët ishin akuzuar pa bazë se kanë kryer veprën penale të lajmërimit ose kallëzimit të rremë në momentin kur e kanë publikuar lajmin se Blerim Devolli posedonte pasaportë të falsifikuar të Malit të Zi.

Me pretendimet se biznesmenit nga Peja i është dëmtuar nderi dhe autoriteti, përmes dy faqeve përmbajtje dhe arsyetim, prokurori Remzush Latifi, kishte paraqitur në gjykatë aktakuzën e cila nuk ishte parë dhe dëgjuar deri më tani në sistemin e drejtësisë.

Rrjedhimisht këtë të martë Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm ka nxjerrë Aktvendimin, ku hudhet poshtë aktakuza dhe pushohet procedura penale.

“Hudhet poshtë aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë me numër… të datës 12.03.2018 dhe pushohet procedura penale kundër të pandehurve…”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të nxjerrë të martën më 17.05.2022.

Kështu pas pesë viteve drejtësia e thotë fjalën e vet duke shpallë të pafajshëm Gazetën Infokus dhe Gazetarët Shkelzen dhe Valdete Dakaj.

Sipas legjislacionit në fuqi publikimi i lajmeve të rreme në Kosovë trajtohet përmes Ligjit kundër shpifjes dhe fyerjes. Personat të cilëve iu dëmtohet imazhi nga artikujt e pavërtetë përmes këtij ligji i drejtohen gjykatës kompetente me kërkesën për konstatimin e shpifjes dhe kompensimit të dëmit.

Mirëpo, përkundër ekzistimit të mekanizmave kundër shpifjes dhe fyerjes, prokurori Remzush Latifi kishte vendosur që penalisht t’i ndjek dy gazetarët duke i akuzuar për kallëzim të rremë.

Vepra penale e kallëzimit të rremë të cilën prokurori e kishte përshkruar në aktakuzë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kryhet kur një person raporton rrejshëm në organet e hetuesisë së dikush ka kryer vepër penale.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte reaguar pas aktakuzës së ngritur kundër gazetarit Shkelzen Dakaj dhe gazetares, Valdete Dakaj, të portalit Infokus, për “Lajmërim apo Kallëzim të Rremë”.

AGK E ALARMUAR ME NDJEKJEN PENALE 4 VJEÇARE TË GAZETARËVE TË INFOKUSIT

“Prokurori Latifi në mënyrë të paprecedentë dhe në kundërshtim të hapur me Qëndrimin Parimor të Gjykatës Supreme ka pesë vite që zvarritë në procedura penale gazetarët e Infokusit. Ndjekja penale e gazetarëve në përpjekje për të mbrojtur imazhin e kujtdo është ndërhyrje e paarsyetuar në lirinë e medias, cenon rëndë lirinë e medias dhe krijon efekt frenues jo vetëm tek gazetarët në fjalë por edhe tek gazetarët tjerë”, thuhej në reagimin e AGK-së.

Aktakuzën e kishin  vlerësuar të pabazë edhe njohës të sistemit të drejtësisë, juristë e gazetarë të tjerë.

Yll Zekaj flet për anomalinë juridike si u ngrit aktakuza ndaj Infokusi-t për pasaportën e Blerim Devollit

Më datë 9 mars 2018, prokurori Remzush Latifi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë kundër gazetarit Shkelzen Dakaj dhe gazetares Valdete Dakaj të portalit Infokus për “Lajmërim apo Kallëzim i Rremë” sipas nenit 390 të Kodit Penal. Prokurori Latifi pretendonte që portali Infokus “kishte publikuar informata të pavërteta se kinse biznismeni Blerim Devolli posedon pasaportë të falsifikuar të Malit të Zi”.

Devolli ishte ankuar në prokurori për dëmtim të imazhit. Aktakuza përmend një seri shkrimesh të publikuara nga portali Infokus në periudhën kohore 23 dhjetor 2016 deri më 25 janar 2017.

“Mbrojtja e reputacionit rregullohet me Ligjin Nr. 02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Shpifja është dekriminalizuar përfundimisht në Kosovë në vitin 2012 me Qëndrimin Parimor K.94/2012 të Gjykatës Supreme, sipas së cilit shpifja nuk mund të ndiqet penalisht. Po ashtu, neni 390 i Kodit Penal nuk ka të bëjë me publikime në media, por me deklaratat e dhëna tek personat zyrtarë, gjë që nuk kishte ndodhur në këtë situatë”, thuhej në reagimin e AGK.

Prokurori Latifi në mënyrë të paprecedentë dhe në kundërshtim të hapur me Qëndrimin Parimor të Gjykatës Supreme për pesë vite kishte zvarritë në procedura penale gazetarët e Infokusit. Ndjekja penale e gazetarëve në përpjekje për të mbrojtur imazhin e kujtdo është ndërhyrje e paarsyetuar në lirinë e medias, cenon rëndë lirinë e tyre dhe krijon efekt frenues jo vetëm tek gazetarët në fjalë por edhe tek gazetarët tjerë./Gazeta Infokus/

Avokati Jashari: Aktakuza ndaj “Infokusit” e kthen Kosovën një epokë mbrapa dhe lë dyshime se është bërë për motive të ulta

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera