Ekonomi

Inflacioni në 14 %, Kurti vazhdon t’ua tregojë të huajve rritjen ekonomike të 2021-ës

Autori: Gazeta inFokus 18:07 | 15 July 2022

Është mesi i korrikut të vitit 2022. Për këta gjashtë muaj, në botë, përfshirë edhe Kosovën kanë ndodhur shumë zhvillime. Si rezultat i luftës në Ukrainë, ka pasur një rritje enorme të çmimit të naftës dhe produkteve esenciale. Në Kosovë inflacioni ka shkuar në 14.1% derisa qytetarët po përrallen me çmime jashtëzakonisht të larta. Kriza pritet të thellohet edhe më tej në vjeshtë, përfshirë edhe çështjen e energjisë elektrike.

Megjithatë kryeministri Albin Kurti vazhdon të shërbehet me shifrat që atij i pëlqejnë. Ato të vitit 2021, kur Kosova pësoi një rritje të madhe ekonomike. Këto shifra kreu i Qeverisë ia ka prezantuar edhe sot kryediplomatit polak, Zbigniew Rau.

Sipas një njoftimi të ZKM-së, Kurti e ka njoftuar ministrin polak për rritjen ekonomike 10.3 % të vitit 2021 dhe rritje të tjera të të hyrave tatimore e të eksporteve. Kurti s’ia ka thënë asnjë fjalë polakut për rritjen e çmimeve dhe shkallen enorme të inflacionit.

-Advertisement-

“Ai e njoftoi ministrin e jashtëm polak për progresin në një vit qeverisje, rritjen ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e investimeve të huaja direkte për 22 për qind, të hyrave tatimore për 54 për qind, rritjen e eksporteve për 83,6 për qind në fushat e procesimit të lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe të sektorit të teknologjisë së komunikimit dhe të informacionit”, thuhet në njoftimin e ZKM-së, raporton Express.

Kurti gjithashtu e ka përsëritur “poezinë” e tij për kosovarët që tashmë po shpenzojnë më shumë sesa që po kursejnë meqë po ndihen të sigurt se nuk ka korrupsion.

“Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale”, thuhet tutje në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera