Opinione

Indiferenca e mediave të Shqipërisë ndaj Pavarësisë së Kosovës tmerron

Autori: Gazeta inFokus 12:09 | 19 February 2018

Si ka mundësi që televizionet shqiptare të mos i kushtojnë kurrfarë rëndësie Pavarësisë së Kosovës, kur mu kjo Pavarësi ka siguruar dhe forcuar edhe vet ekzistencën e shtetit shqiptar, ekzistencë kjo vazhdimisht e cenueshme gjatë tërë historisë.

Si mund të ndodh kjo kur sot qindra mijëra njerëz vizitojnë memorialin e Adem Jasharit, heroit shqiptar, i cili ra heroikisht me tërë familjen e tij i mbështjellur me flamur shqiptar?! Adem Jashari, për të cilin thuhet se përderisa vriste sllavolubista këndonte këngë të bashkimit kombëtar. Është vështirë të gjesh, në mos e pamundshme, një memorial të dytë në Ballkan e më gjerë që vizitohet aq shumë sa Memoriali në Prekaz.

Si ka mundësi që mos t’i jepet minutazhë televizive pavarësimit të Kosovës si pjesën më vitale dhe më rentable të kombit shqiptar?! Po ne ç’jemi?! E dinë vëllezërit e motrat tona nga Shqipëria, se është i pafund numri i shqiptarëve nga Kosova që  kanë qarë kur kanë shkelur për herë të parë tokën e Shqipërisë mëmë?!

-Advertisement-

Po ne këtu në Kosovë flasim aq shumë për Shqipërinë mëmë, sa mezi presim të vizitojmë ndonjërin nga qytetet e bukura shqiptare të kapluara nga koma e fukarallëkut, por që kanë filluar ngadalë të marrin frymë.

Po kontributi i futbollistëve të Kosovës në fuqizimin e kombëtares së Shqipërisë, me heroin ndoshta të papërsëritshëm, Lorik Cana, ku mbeti?! Po Lorik Cana pse grushtonte shkijet në Beograd, a thua pse kishte qejf apo pse ata shkije na kanë gjenociduar më së paku 150 vjet?! Pse Loriku ishte aq i ngarkuar psiçikisht në Beograd sa deshi ta mbyste shkaun që e kishte vënë nën grushta?!

Po Lorik Cana bëri ato veprime sepse besonte dhe ende beson në kombin shqiptar dhe në fuqizimin e tij dhe se ky futbollist i shkëlqyeshëm, duke parë arritjet e kombeve perëndimore, dëshironte që me kontributin e tij të jep shembullin e një përbashkuesi shqiptar. Dhe në këtë pikë Loriku me shokë goxha ja dolën.

E Top Chanel me  Klanin e TV tjera, të cilat jo rrallë transmetojnë emisione koti duke polarizuar shoqërinë shqiptare deri në limit, as që u morën me këtë pjesë shqiptare që shumë vonë u çlirua nga pushtuesi serb. Me këtë pjesë shqiptare që s’mbeti gjë të keqe pa përjetuar.

Ç’është more vëlla ky indiferentizëm i mediave të Shqipërisë ndaj pavarësisë së Kosovës dhe në përgjithësi ndaj zhvillimeve jo të pakëta në Kosovë, kur në ditën e pavarësisë në Kosovë kishte media dhe qytetarë nga mbarë globi?!

Po indiferentizmi i institucioneve shqiptare pse po ndodh?! Pse deklaratat ‘patriotike’ të ‘doktorëve’ dhe ‘piktorëve’ asnjëherë nuk u përkthyen në veprime konkrete institucionale, por mbetën vetëm në margjina të një popullizmi shterp?! Pse ky popullizëm vetëm sa për të thënë para votuesve të lodhur shqiptarë se “ja shqiptarët nga Kosova më përkrahin fuqishëm”.

Po pushimet e jo pak të kushtueshme pse i bëjmë në bregdetin shqiptar, kur shumë lehtë mund t’i bëjmë në Bullgari, Turqi, Mal të Zi e gjetiu, bile edhe me kosto më të vogël e standarde shumë të larta pushimi, shumë më të larta sesa ato që na i ofron bregdeti shqiptar, ku përpos kundërmimit të shumë kanalizimeve që derdhen direkt në plazhe, nuk ke as ujë të mjaftueshëm për të bërë banjo si duhet. Bile bile shpesh ndodh që edhe të na vjedhin gjësende e vetura, të na plaçkisin rrugëve derisa s’ishte rruga e kombit dhe ne shqiptarët e ‘trashë’ të Kosovës që as shqipen se ‘flasim’ siç duhet i durojmë të gjitha dhe prapë i vërsulemi bregdetit shqiptar.

E ne shqiptarët e ‘trashë’ të Kosovës pavarësisht kushteve të dobëta që na i ofron bregdeti shqiptar, derdhim lekët tona te shqiptarët e ‘hollë’, sepse kemi një ëndërr: zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar. Sepse këtë e kemi ëndërr e ideal.  Por, në mënyrë që ëndërrat dhe idealet të mbesin gjallë duhet ndërveprim konstant dhe pa ekuivoke.

Kam pasur rastin që për pesë vite rresht të vizitoj me punë pothuaj të gjitha ministritë shqiptare, përfshirë administratën e Kuvendit dhe atë të Këshillit të Ministrave dhe nga ajo që kam parë gjatë asaj kohe (2009-2013) interesante, kam ardhur në përfundim që në segmente të caktuara institucionet e Kosovës qëndrojnë dukshëm më mirë se sa ato shqiptare. Sigurisht që ka edhe segmente ku institucionet shqiptare janë më mirë se ne. Por, gjithësesi, aty jemi, dallimi është plus minus.

Pra, sikur shteti shqiptar të kishte epërsi të theksuar ndaj shtetit të Kosovës, atëherë një lloj indiferentizmi do të mund të arsyetohej disi, por, siç e thashë më lartë, dallimet në zhvillim mes Shqipërisë, shtet që 100 vjet, dhe Kosovës, shtet që 10 vjet, janë minimale. Dhe duke ditur se janë minimale, atëherë nuk kemi pse i krekosemi njëri tjetrit për asgjë, fundja një komb duhet fuqizuar përpjekjet përbashkuese e jo t’i përthajë ato. Pra, as krekosje e as indiferentizëm, por përbashkim projektues.

Po ne në Kosovë, me 28 nëntor, festojmë edhe më shumë se sa në Tiranë, diskutojmë për pavarësi të shtetit shqiptar më shumë se sa në Tiranë, flasim për ëndrrën e bashkimit kombëtar më shumë se sa në Tiranë, kemi mbulesë mediale për Pavarësi të Shqipërisë shumë më tepër se ç’kanë mediat shqiptare për Pavarësinë e Kosovës, pra çdo gjë më shumë.

Ne shqiptarët e Kosovës jemi mësuar të përbijmë edhe zgërdhirjet që politika shqiptare i bënte para kasapit Milloshevic në Kretë, e përbijmë edhe naftën që politika shqiptare ja shiste kasapit Milloshevic në kohën kur ky përballej me embargo, ne përbijmë edhe kontratat multimilionëshe që politika shqiptare ja jepte Fazlliç Serbit, ne përbijmë edhe bllokadat për eksporte të Kosovës, ne përbijmë edhe muzikë serbe në zemër të Tiranës, pra ne përbijmë shumë, tepër shumë, sepse jemi rritur me ideale e ëndrra e ato ende po ma mbajnë gjallë për fatin tonë të mirë e tuajin.

Uroj që një ditë, mediat e Kosovës dhe Shqipërisë të ulen së bashku dhe të bëjnë plane të përbashkëta bile për data të rëndësishme siç është sot Pavarësia e Kosovës dhe nesër ajo e Shqipërisë. Uroj që kjo të ndodhë!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera