Lajme

Inatet e Hykmete Bajramit me vartësen e Mimoza Kusarit i kushtojnë shtetit mijëra euro

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 25 May 2017
Inatet e moçme politike në mes të LDK-së dhe AKR-së po i shkaktojnë mijëra euro dëmtim buxhetit të Kosovës.
Ndërrimi i pushtetit në nivelin qendror kishte sjellë shumë përplasje në mes të ministrave që po e merrnin pushtetin dhe atyre që kishin ikur. “Luftë” e ashpër kishte shkuar edhe në mes të ish ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila dhe ministres aktuale në ikje, Hykmete Bajrami.

Nga akuzat drejtuar njëra tjetrës, pak kush do ta besonte që një ditë të dyja do të kërkonin nga një mandatë për deputet brenda të njëjtës listë, shkruan lajmi.net.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Eliana Naka është suspenduar nga puna nga ministrja Hykmete Bajrami që dy vite. Brenda kësaj periudhe ajo mori pagën afër 1000 mijë euro pa shkuar në punë. Që nga fillimi i këtij viti është duke marrë pagën përgjysmë, ndërkohë që, po punon edhe në kompaninë “Mabetex”. Veç se tash, është suspenduar përsëri nga Ministria me gjysmë page, pasi që Prokuroria ngriti aktakuzë kundër për konflikt të interesit.

Naka e cila ishte dërguar në ministri, nga Mimoza Kusari-Lila, ishte suspenduar nga ministrja Bajrami kundërligjshëm.

-Advertisement-

Në fund të vitit të kaluar vendimi përfundimtarë i Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila ka marr Aktvendim për përmbarim të vendimin administrativ të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës, vendim ky i cili kthen në vendin e saj të punës ish sekretaren Naka. Pos kthimit në vendin e saj të punës, Gjykata ka urdhëruar ministrinë e Tregtisë, të bëjë kompensimin e pjesës së pagave dhe benificioneve tjera që rrjedhin nga marrëdhënia e saj e punës duke filluar nga data 05.06.2015 deri në zbatimin e këtij vendimi. Pos kompensimit, ministrja Bajrami përsëri nuk e ka kthyer në punë si Sekretare, duke i propozuar asaj që me koeficientin e njëjtë të pagesë ta bëjë drejtor në një departament.

Lajmi.net ka mësuar se ajo nuk e kishte pranuar këtë ofertë.

Tash, meqe ajo po punon edhe në kompaninë “Mabetex”, ndërkohë që figuron në listë të pagave si Sekretar i Përgjithshëm, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndajë saj për konflikt të interesit, dhe MTI-ja e ka suspenduar përsëri, për ta paguar vetëm me gjysmën e pagës.

“Së fundmi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka pranuar shkresë zyrtare nga Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes së cilës jemi njoftuar se me datë 27.10.2016, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë PP. Nr.74/16 në drejtim të veprës penale konflikt interesi kundër ish Sekretares së Përgjithshme të MTI-së, Eliana Naka. Dispozitat ligjore, të nenit 69, paragrafi 1, të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, detyrojnë organin përgjegjës për menaxhimin e personelit të institucionit të lartë të administratës shtetërore që t’i pezullojë nëpunësit civilë apo zyrtaret e lartë, menjëherë nga detyra nëse: kundër tij/saj është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij/saj.  Kështu që, konform kësaj dispozite dhe me qëllim të zbatimit të parimeve të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit në këtë ministri, është marrë vendimi për pezullim, me pagesë 50 për qind të rrogës së saj”, ka bërë të ditur për lajmi.net Zyra e Informimit e MTI-së.

Në MTI, kanë treguar se si ishin urdhëruar ta kthenin në punë, vitin e kaluar Naken.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në pajtim me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nxjerrë vendim për caktimin e zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë në përputhje të plotë me Ligjin Nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore”, thotë MTI.

“MTI, përveç se ka nxjerrë vendim për zbatimin e aktvendimit për caktimin e përmbarimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjithashtu, ka parashtruar ankesë kundër aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila është dorëzuar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, me datë 27.12.2016”, ka bërë të ditur tutje, Zyra e Informimit e kësaj ministrie.

Naka ishte emëruar sekretare në MTI  me 22.06.2011. Sipas deklarimit të fundit të pasurisë të cilën e ka bërë në vitin e kaluar në AKK, pagën neto vjetore e ka 8,537.79 euro.

U.d. Sekretarit të Përgjithshëm ishte emëruar, Agron Maxhuni, i cili e ushtron edhe aktualisht këtë detyrë.

Ndonëse, lajmi.net ka kërkuar një sqarim edhe nga Sekretarja e suspenduar Naka, ajo nuk është prononcuar.

Sekretarja e Përgjithshme e MTI, Eljana Naka, është shkarkuar ne qershor të vitit 2015 nga pozita e saj. Vendimin për shkarkim e kishte marrë vet ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila vendim nuk i është dorëzuar siç e parasheh ligji Nakas, por të njëjtin, punëtorët e saj e kishin vendosur në hyrje të banesës ku banon ish sekretarja.

Ndaj vendimit për shkarkim të sekretares Naka, pati reaguar menjëherë edhe ish përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili e kishte akuzuar ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami në një letër dërguar asaj. Zhbogar në letrën drejtuar ministres Bajrami kishte drejtuar një serë kritikash për ndryshimet që Ministrja i kishte bërë së fundmi në administratën e MTI-së në sektorin e resurseve njerëzore, duke i larguar nga puna njerëz profesionistë me performancë të shkëlqyeshme.

Ministrja Bajrami, shkarkoi sekretaren e Përgjithshme e MTI-se, me arsyetimin për shkelje ligjore. Një ndër pikat e këtij pezullimi është edhe se nuk ka marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve te prokurimit që kanë shkelur ligjit e prokurimit publike. Ndërsa, po të njëjtin person, ministrja Bajrami e pati emëruar prapë si udhëheqës i prokurimit.

Arsyetim tjetër ishte moszbatimi i vendimeve përfundimtar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, vendime këto që edhe vetë ministrja nuk i zbatojë. Në vendimin e Këshillit, thuhet se ankesa e Eljana Nakës, aprovohet. /Lajmi.net/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera