Lajme

Importi po shmang krizën energjetike në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 13:20 | 06 December 2017

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë është duke u mbuluar nga importi, derisa në prodhim është vetëm një bllok i Korporatës Energjetike të Kosovës, bëjnë të ditur zyrtarë të Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS).

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha për Radion Evropa e Lirë se struktura aktuale e furnizimit me energji elektrike nuk është në situatë të favorshme.

Pjesa më e madhe e furnizimit me energji elektrike, shton Buzhala, është duke u mbuluar nga importi.

-Advertisement-

“Situata sa i përket furnizimit me energji elektrike është pandërprerë aktualisht. Importi aktual është 500 megavat energji elektrike sepse është vetëm një bllok në prodhim, pra prodhimi është në pikën minimale, por, jemi duke e mbuluar nga importi. Situata do të ishte shumë më e mirë sikur të kemi një prodhim më të madh me energji elektrike”, thotë Buzhala.

Mungesa e mjaftueshme e prodhimit të energjisë elektrike, sipas Korporatës Energjetike të Kosovës ka ardhur si pasojë e shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe vonesës së zhvendosjes së banorëve të fshatit Shipitullë dhe Hade, zona këto ku do të bëhen mihje në kërkim të rezervave të thëngjillit.

Për të shmangur krizën energjetike, tani e sa kohë është kërkuar zhvendosja e banorëve nga këta zona, por disa nga banorët kanë kundërshtuar marrëveshjet për zhvendosje.

Ndërkohë së fundi Korporata Energjetike e Kosovës ka ritheksuar se nga vonesat për nënshkrimin e marrëveshjeve për zhvendosje që po shkaktojnë banorët e fshatit Shipitullë dhe Hade, po rrezikohet që vendi të mbetet pa energji elektrike.

Arben Gjukaj, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës iu ka bërë thirrje banorëve që janë në këto zona të shfrytëzojnë të drejtën e tyre brenda afateve ligjore dhe të nënshkruajnë marrëveshjet për zhvendosje.

“Ju bëj thirrje banorëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi, të gjitha kërkesat e tyre janë adresuar dhe tani të vinë dhe të nënshkruajnë marrëveshjet, në të kundërtën deri me 15 dhjetor të këtij viti, banorët të cilët janë të afektuar nga ky shpronësim, duhet të kalojnë me Ligj të shpronësimit”, thotë Gjukaj për Radion Evropa e Lirë.

Gjukaj thotë se kanë paralajmëruar të gjitha institucionet relevante se stina e dimrit do të jetë sfidues sa i përket rezervave të qymyrit.

“Nga gushti i vitit 2016 e deri më tani kemi punuar me rezerva që i kemi krijuar viteve të kaluar. Ky dimër do të jetë sfidues dhe ne do të jemi të detyruar që të kemi gjenerim të kufizuar, derisa të zgjidhet tërësisht shpronësimi i fshatit Shipitullë”, ka bërë të ditur Gjukaj.

Zëdhënësi i KEDS-it Buzhala thotë se presin që kjo situatë e prodhimit me energji elektrike të përmirësohet, pasi që importi i furnizimit me energji elektrike në kohën kur kërkesa rritet, është i vështirë.

“Sigurimi i importit në këtë kohë është i vështirë për shkak të rritjes së kërkesës për energji jo vetëm në Kosovë, por edhe ne vendet e rajonit, ku në pjesën më të madh të energjisë elektrike e importojmë nga vendet e rajonit”.

“Importi ka vështirësitë e veta, ka periudha që sigurimi qoftë edhe i një megavat energji elektrike është jashtëzakonisht i vështirë, ku edhe çmimet janë më të shtrenjta”, thotë Buzhala.

Problemet me energji elektrike Kosovën e kanë përcjell qysh nga pas lufta. Për të eliminuar këtë problem tani e sa vite është duke u diskutuar ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit Termocentrali “Kosova e Re”.

Por, që projekti i termocentralit të ri i nisur qysh në vitin 2005 ende nuk ka filluar të zbatohet. /Rel/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera