Lajme

Iluzionet tona të humbura

Autori: Gazeta inFokus 08:52 | 20 August 2017

Kishim iluzione, pa patur arsye. Tani Barcelona. Më parë, Parisi.

Më herët Londra. Duke shkuar pas në kohë: Stokholmi, Londra, Berlini, Nisa. Në pak më pak se një vit, tetë atentate me të njëjtën teknikë, frikshëm e thjeshtë: të godasësh një turmë me një automjet. Vrasësit nuk kanë fantazi; ne nuk kemi kujtesë. Eshtë njerëzore dhe e kuptueshme, kjo mangësi. Por nuk mund t’ia lejojmë vetes.

Autoritetet e Barcelonës kanë ftuar të pranishmit që të mos përhapin foto dhe pamje filmike të sulmit. E kanë bërë në gjuhën katalane dhe në spanjisht Policia Nacional, përmes Tuiterit. Nuk vlejti. Dje në mbrëmje shihje kudo pamje të tmerrshme, të xhiruara nga afër: trupa përtokë, të vetëm, në ato minutat e tmerrshme mes arratisë në masë dhe rikthimit të vetëdijes kolektive. Shihen fëmijë dhe gra të reja të palëvizshme, mbi valët e bardha të trotuarit të Ramblas. Shihen pozat e panatyrshme të trupave, veshjet e hequra, këpucët e shpërndara e të deformuara, gjaku që duket si i sajuar, kinematografik.

-Advertisement-

Dëgjohen të qara dhe gjuhë të ndryshme. Zëra që thërrasin duke qarë «hijos de puta» (“bij kurvash”) dhe “malditos” (“mallkuar qofshi”). Po a u bëhet vonë për gjithë këto, përbindëshave të largët të ISIS? Ideja e tyre e luftës është të vrasin të rinj që shëtisin, një të enjte mbrëma të një nate vere. Nëse kanë një zot, kush e di sa turp i vjen prej tyre.

Tmerrit tonë, i shtohet turpi fajtor i përsëritjes. Çfarë mund të themi, që nuk e kemi thënë tashmë? Çfarë mund të rrëfejmë, që nuk e kemi rrëfyer tashmë? Transmetimet e drejtpërdrejta televizive, faqet e internetit, pamjet dhe lajmet janë të ngjashme me ato që shenjuan verën e vitit 2016, e më pas vjeshtën, e më pas dimrin, e më pas pranverën 2017.

Eshtë radha e Barcelonës, bashkë me Londrën qyteti më evropian i Evropës. Turma e lumtur, kombet dhe brezat e përzierë, dielli dhe pushimet, deti shumë pranë: më e mira e kontinentit, në një ditë gushti. Pastaj të rinjtë imigrantë, furgoni, sulmi shumë i kollajtë, njerëzit që qajnë dhe vrapojnë. Hipotezat, arrestimet, shkëmbimet e zjarrit. Të paktën 13 të vrarë dhe 80 të plagosur, nga të cilët 15 rëndë. Bën miri djali i qytetit, Leo Messi, që shkruan: “Barcelona, ji e fortë”. Por nuk mjafton. Barcelona, Katalonja, Spanja, Evropa dhe të gjithë duhet të jemi edhe të qetë. Dhe të kuptojmë nëse, rastësisht, kemi gabuar diçka.

Mund të duket mizore ta bësh pyetjen tani: po si është e mundur që një furgon të futet në Ramblas, të zbresë me zig-zage për 600 metra dhe të marrë përpara turmën, në kulmin e sezonit turistik? Ndërkohë që niveli i alarmit në Spanjë, prej dy vitesh, është 4 nga 5? Si ka ndodhur që shëtitorja e famshme nuk është e mbrojtur? Vendi është ikonë: ashtu si Sheshi Trafalgar në Londër, Champs Elysees në Paris, Koloseu në Romë, D’uomo në Milano. Dhe nuk ka asnjë dyshim që armiqtë tanë islamistë, përmes veglave të tyre vendase, kërkojnë pikërisht këtë: të godasin vende simbolike në qytete simbolike, me qëllim që të amplifikojnë terrorin.

Kjo nuk i bën të parashikueshëm sulmet. Parandalimi absolut është i pamundur, fatkeqësisht. Por modus operandi i tmerrshëm i terroristëve të ISIS duket i qartë. Përveç vendeve simbolike, vënë në shënjestër vende me shumë njerëz: shëtitorja e nisës, tregu i Berlinit, koncerti në Manchester. Ose stadiume, kisha. Në një lloj ekonomie të frikshme sforcosh, përpiqen që të bëjnë shumë dëm në pak hapësirë dhe kohë.

Vetëdijësimi për këtë nuk na bën të paprekshëm, si e kemi parë; por pak më pak të brishtë, po.

Një mendim i dytë, i hidhur: mënyra e atentatit demonstron gjestet e dëshpëruara të një force të mundur. Nuk ka asgjë më të kollajtë se sa të vrasësh një qenie njerëzore me një automjet. Banaliteti i sulmit, është edhe më i frikshëm. Por tregon – një demonstrim pa të cilin mund të kish bërë – se forcat e sigurisë evropiane po bëjnë një punë të mirë. Indusrialët e terrorizmit janë ndalur; në vend të tyre kanë hyrë në lojë artizanë e terrorit. Të cilëve duhet t’u kishim kuptuar metodat. Me atë që ndodhi mbrëmë, kuptuam se nuk është kështu.

Dhe një tjetër mendim, i dhimbshëm: një kontinent i madh i lirë si Evropa nuk mund të gjunjëzohet përballë goditjeve të një ideologjie primitive, që po humbet territor dhe mbështetje. Sigurisht, edhe këtë e kemi përsëritur. E megjithatë, në ditë si kjo, duhet ta përsërisim me forcë. Duhet të kuptojmë se si të çmontojmë skizofrenitë identitare – vrasësit edhe këtë herë duket se janë rritur mes nesh – por nuk ka dyshim: dita kur e gjithë kjo do të marrë fund një herë e mirë, nuk është e largët.

Por fatkeqësisht nuk e dimë se sa pranë është./ Corriere della Sera – Në shqip nga Bota.al

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera