Lajme

Ikja e trurit: A do t’i fikë dritat mjeku i fundit që largohet nga Kosova?

Autori: Gazeta inFokus 10:25 | 04 December 2019

Autori : Shkumbin Ahmetxhekaj| Gorance, Prishtinë, Nuremberg, Mynih, Ivankovo dhe Zagreb | BIRN

BIRN zbulon pasojat alarmuese që ka emigrimi në sistemin shëndetësor të Kosovës – që është përkeqësuar edhe më shumë nga  industria private që po rrëmben staf mjekësor për eksport në Gjermani.

Dikur u dorëzua. Udhëtimet e lodhshme e të gjata për në punë e bindën që të marr vendimin e padëshiruar.

-Advertisement-

Blerim Berisha ishte kardiolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në kryeqytetin, Prishtinë, ku punonte ditë pas dite duke ekzaminuar elektrokardiogramet dhe ultratingujt.

Pas një turni tetë-orësh, ai hipte në një makinë rrangallë dhe udhëtonte për 60 kilometra përgjatë rrugës M9 për në qytetin e Klinës, në perëndim të Prishtinës, ku jetonte me gruan, vajzën dhe djalin.

Në të vërtetë, nuk është se arrinte t’i shihte shpesh ata.  Kjo pasi që mënyra e vetme për të mbuluar shpenzimet e jetës dhe specializmit ishte që të punonte në turne nate në burgun e Dubravës, 30 kilometra më tutje. Pastaj kthehej në shtëpi sa për të ngrënë e pushuar pak dhe sërish drejt Prishtinës për ta nisur sërish nga fillimi.

“Nganjëherë më dukej se nuk do të arrija kurrë të ngopesha me gjumë,” rikujton ai. “E aq më pak të kisha kohë të kaloja me familjen.”

Këto ditë, Berisha, 42, shkon në punë me makinë përgjatë rrugëve me shtëpi gjysmë prej druri në qytezën piktoreske të Pegnitzit, pranë qytetit gjerman të Nurembergut, ku punon si kardiolog në spitalin kryesor të zonës.

Ai fiton dhjetë herë më shumë se sa në Kosovë dhe kalon fundjavat duke vizituar vendbanime historike bashkë me gruan dhe fëmijët.

Pesë vjet pasi mori stetoskopin dhe u zhvendos në Gjermani, Berisha nuk është bërë pishman.

“Vendimi për të ardhur këtu ishte shumë i vështirë, po nuk kisha zgjidhje tjetër,” tha ai, teksa më priti për intervistë në shtëpinë e tij në Nuremberg.

Ndërsa orët e gjata të punës dhe udhëtimi i përditshëm e lodhën shumë, diagnoza që ai i bëri sistemit shëndetësor të Kosovës është ajo që i ndryshoi mendjen përfundimisht.

“Korrupsioni, mungesa e perspektivës dhe nepotizmi në institucionet publike po vrasin të ardhmen e vendit,” tha ai.

Berisha është një nga qindra mjekë të Kosovës që kanë shkëmbyer pagën e ulët dhe stresin e lartë për jetë më të mirë jashtë vendit. Shumica shkojnë në Gjermani, vend që njeh diplomat mjekësore të Kosovës.

Ndërsa rruga e migrimit bëhet më e lehtë për mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë në Kosovë, BIRN zbuloi përmasa të gjera të ikjes së trurit në shtetin më të ri të Evropës.

Në një vend që ka një nga densitetet më të ulëta të mjekëve në kontinent për kokë banori, një mjek emigron çdo dy ditë ndërsa dy infermierë largohen çdo ditë, bazuar nga të dhënat e Odës së Mjekëve dhe Odës së Infermierëve.

Emigrimi vjen me një kosto: qendrat e mjekësisë gradualisht po zbrazen nga stafi, pacientët po përballen me mungesë përkujdesje primare ndërsa shkollimi i ofuar publik po shkon huq. Dhe pastaj është kostoja për taksapaguesit – pasi vlerësohet se arsimimi i një mjeku tjetër kushton rreth 100 mijë euro.

“Stuhia po vjen,” thotë Afrim Blyta, një profesor i neuropsikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

“Mund të them se 95 për qind e studentëve po mësojnë gjermanisht dhe synojnë të shkojnë në Gjermani. Shumë shpejt Kosova do të përballet me një mungesë akute në staf mjekësor.”

Ekspertët e shëndetësisë fajësojnë sistemin në përgjithësi si shkaktar kryesor, duke u nisur nga pagat e  ulëta dhe mungesa e  perspektivës për punësim në Kosovë, shto këtu edhe kërkesën e jashtëzakonshme për staf mjekësor në Gjermani, vendi që është ekonomia më e madhe në Evropë por që po përballet me plakje të popullsisë.

Por një fenomen më pak i njohur po ushqen gjithashtu largimin: një industri private në lulëzim, qëllimi i vetëm i së cilës është të tërheqë punonjësit e gatshëm të shëndetësisë për t’i dërguar në Gjermani.

Nga kolegjet private tek kompanitë e shumta të ‘etura’ për rekrutim e deri tek marrja e certifikatave false të gjuhës gjermane, BIRN hedh dritë mbi këtë treg në përgjithësi të parregulluar të eksportit të punëtorëve shëndetësor.

Kritikët thonë se pasojat e kësaj  do të jenë zbrazja e vendit si dhe promovimi i sasisë përkundrejt cilësisë, që do të ketë pasoja serioze për sektorin e shëndetit publik.

Mjekë pa kufij

Në Gorance, një fshat i strukur në kodrat e Kosovës së jugut, vendësit janë mësuar me mjekët që i ikin për në Gjermani. I fundit iku shumë muaj më parë dhe banorët thonë se kanë pak shpresa për një zëvendësim të shpejtë.

Në qendrën mjekësore, infermierja Sevime Shkreta bën çfarë të mundet për t’u përkujdesur për të sëmurët. Ajo është ndihmëse me një termometër dhe për të lidhur fasha rreth plagëve të vogla. Por shpesh asaj i duhet të dërgojë pacientët për qendrën shëndetësore të Hani i Elezit.

Ky nuk është një opsion për familjen e 65 vjeçares Arife Berisha. Ajo vuan nga hipertensioni ndërsa bashkëshorti i saj ka probleme me zemrën e vjehrra vuan nga diabeti.

“Ne nuk kemi mundësi të udhëtojmë për në Han të Elezit për shkak se nuk kemi makinë dhe fëmijët i kam të papunë,” tha ajo ndërsa infermierja Shkreta i mati tensionin.

Në të gjithë vendin me 1.8 milionë banorë, disa qendra shëndetësore që dikur ishin të zhurmshme janë kthyer në zyra fantazmë. Edhe spitalet rajonale në qytetet perëndimore të Pejës dhe Gjakovës u detyruan të mbyllin njësi.

Në të gjithë vendin, 4,100 mjekë ushtrojnë këtë profesion, sipas Odës së Mjekëve, Kjo do të thotë se vendi ka 2.3 mjekë për 1 mijë banorë, një nga normat më të ulëta mes 47 vendeve që përbëjnë Këshillin e Evropës (Kosova ende nuk është anëtare e kësaj organizate).

Vendet e vetme që kanë raport edhe më te keq janë Shqipëria (1.2), Turqia (1.8) dhe Bosnjë e Herzegovina (2.0), sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në kontrast me këtë, Gjermania ka 4.2 mjekë për 1 mijë banorë ndërsa Suedia ka 5.4.

Pleurat Sejdiu, kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se vendi ka nevojë për së paku 5 mijë mjekë për të plotësuar standardet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo do të thotë se ka nevojë edhe për 900 mjekë të tjerë përveç ekzistuesve.

Por statistikat tregojnë nivele alarmuese.  Ndërsa vendi arsimon 150 mjekë në vit, së paku 180 mjekë ikin, shpjegoi Sejdiu.

“Shumica e tyre kanë në plan të ikin nga Kosova, pavarësisht faktit se ata do të duhet të kalojnë përmes trajnimeve dhe praktikave shtesë në vendin pritës,” tha Sejdiu.

Përgjatë vitit të fundit, ai mori 176 kërkesa nga mjekët për certifikata për të kaluarën etike dhe profesionale, të cilat kërkohen ligjërisht për të marrë punë jashtë vendit.

Suzana Manxhuka Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, është gjithashtu e bombarduar nga kërkesa për certifikata nga studentë të shkuar dhe aktualë që po kërkojnë të emigrojnë.

“Ana negative është që fuqia jonë mendore po largohet,” tha ajo. “Në anën pozitive, ajo që ne po ofrojmë në treg po vlerësohet pozitivisht, por për ne kjo është keq për shkak se do të përballemi me mungesa.”

Ajo shtoi se pothuajse të gjithë studentët e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës po ndjekin kurse private për të mësuar gjuhën gjermane, në përgatitje për emigrim.

“Nuk mund t’i kërkosh dikujt të qëndrojë vetëm për patriotizëm,” tha ajo. “Jo nëse ne nuk ofrojmë kushte të mira pune dhe studimi.”

Nuk mund t’i kërkosh dikujt të qëndrojë vetëm për patriotizëm. Jo nëse nuk i ofrojmë kushte të mira pune dhe studimi.

  • Suzana Manxhuka Kerliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës

Ironia është se pavarësisht deficitit në mjekë, shumë të diplomuar në mjekësi nuk po arrijnë të punësohen në Kosovë.

Oda Dhoma e Mjekëve thotë se Kosova ka prodhuar 440 mjekë të kualifikuar të cilët nuk kanë gjetur punë — së paku jo në atdhe.

Ekspertët ia hedhin fajin një kulture nepotizmi në një vend që shpenzon vetëm 220 milionë euro në vit në kujdes shëndetësor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo i bie  122 euro për person, në krahasim me 5 mijë euro që shpenzohen në Gjermani.

“Nëse nuk ke njohje, është e vështirë të gjesh një vend pune apo një vend në programet e specializimit,” thotë Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

Por edhe ata që kanë kontrata pune, janë me dy mendje.

Një hulumtim i kohëve të fundit nga Oda e Mjekëve zbuloi se arsyeja kryesore se pse stafi mjekësor synon migrimin janë kushtet e këqija të punës, pasuar nga mungesa e mundësive për zhvillim profesional. Vetëm pas këtyre renditet faktori i pagave të ulëta.

Flamur Llabjani, 34, është një i pakënaqur tipik. I diplomuar prej pesë vitesh, ai është afër përfundimit të specializimit në gastroenterologji në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë, ku punon cdo ditë, duke udhëtuar nga qyteti i Ferizajt, 40 kilometra në jug.

“Për fat të keq, mjekët më me eksperiencë që supozohet se duhet të na mësojnë neve dhe të na japin dijen që kanë, nuk po e bëjnë këtë, me ndonjë përjashtim” tha ai.

Llabjani ka frikë se do të përfundojë specializimin pa mësuar si të kryejë procedurat bazë të diagnostikimit, të tilla si gastroskopinë dhe kolonoskopinë. Ai pret që të ketë angazhime shtesë në Gjermani në kuadër të specializimit.

“Unë kam qenë kategorik kundër largimit,” tha ai. “Tani e shoh se edhe shokët e mi më të ngushtë që m’u lutën të mos e bëja, janë vetë duke menduar të ikin.”

Biznesi po lulëzon

Gjermania ka nevojë për rreth 70 mijë mjekë dhe infermierë më shumë nga 500 mijë që ka aktualisht, thotë ministria e shëndetësisë së Gjermanisë.

Rreth një e dhjeta e forcës punëtore vjen nga jashtë, tërhequr në një vend që shpenzon më shumë në shëndet publik se sa çdo vend tjetër në Evropë — 351.7 miliardë euro më 2016, sipas agjencisë evropiane të statistikave, Eurostat.

Vetëm një pjesë shumë e vogël e mjekëve të huaj në Gjermani janë nga Kosova. Oda Gjermane e Mjekëve jep shifrën 292 deri me 31 Dhjetor 2018, megjithëse Oda e Mjekëve të Kosovës thotë se janë më shumë se 450.

Sado të vogla duken këto shifra në krahasim me popullsinë e Gjermanisë prej 84 milionësh, ato janë gjithsesi një pjesë e konsiderueshme e forcës punëtore të shëndetësisë në Kosovë.

Dhe ekspertët thonë se portat e shkarkimit në Kosovë janë duke u hapur – veçanërisht sa i përket infermierëve.

Është e pamundur që të arsimosh siç duhet më shumë se 4 mijë studentë. Unë i shoh ata duke ecur çdo ditë nëpër sallat e spitalit, por ata nuk marrin praktikën e nevojshme.

  • Pleurat Sejdiu, kreu i Dhomës së Mjekëve të Kosovës.

Kosova ka rreth 27 mijë infermierë të certifikuar, sipas Dhomës së Infermierëve, megjithëse vetëm 21 mijë janë të punësuar në vend. Shanset janë se shumë nga ta mund të jenë duke punuar në Gjermani. Dhe shumë të tjerë janë rrugës.

Më 2016, Kosova lejoi kolegjet private të fillojnë të arsimojnë infermierë dhe mami në masë. Gjashtë të tilla aktualisht funksionojnë krahas dy universiteteve publike që ofrojnë studime në mjekësi.

Ndërsa kolegjet private mund të pranojnë studentë pa limit, universitetet publike kanë një kufi prej 50 studentësh në vit për secilin nga institucionet, tavan i vënë nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), e cila mbikëqyr standardet e arsimit të lartë.

Hyrja e kolegjeve private në skenë ka sjellë një shpërthim të stduimeve në infermieri. Pothuajse menjëherë, këto drejtime tjekaluan ekonominë dhe juridikun si zgjedhjet më të pëlqyera të të rinjve për studime.

Më shumë se 5,700 studentë ishin aktiv në infermieri dhe mami në vitin akademik 2017/18, sipas të dhënave të ministrisë së arsimitstria e arsimit.

Gjenerata e parë e studentëve të kolegjeve private do të diplomohet këtë vit – që do të thotë se mijëra infermierë do të jenë në kërkim të vendeve të punës.

Kritikët thonë se se kjo valë masive e studentëve në infermieri ngre pikëpyetje mbi kontrollin e cilësisë (shiko kutinë: Një çështje standardesh).

“Është e pamundur të arsimosh siç duhet më shumë se 4,000 studentë,” tha Sejdiu nga Oda e Mjekëve. “Unë i shoh ata duke u endur ditë për ditë nëpër korridoret e klinikës, por ata nuk marrin praktikën e nevojshme.”

Ekosistem emigrimi

Nuk është koincidencë që një ekosistem i tërë është krijuar për të dërguar punonjësit e shëndetësisë në tregun gjerman.

Qindra qendra për kurse gjuhe nëpër Kosovë premtojnë ndihmë për ata që aspirojnë për të emigruar se do të kalojnë testet e gjuhës gjermane që kërkohen për aplikim për vizë pune.

Shumë kolegje private kanë kontrata me agjenci punësimi të krijuara për të gjetur staf për spitalet në Gjermani.

Michael Weiss-Gehring, menaxher i infermierëve në spitalin publik Hassberg në qytezën bavareze të Hasfurit, i tha BIRN në korrik, se spitalet gjermane zakonisht paguajnë 6 mijë euro për agjencitë e punësimit për çdo mjek apo infermier që ata e sjellin.  Një nga qendrat më të mëdha të gjuhës në Kosovë është InterPersonnel në Prishtinë, e cila ofron 18 muaj kurs falas për gjuhën gjermane dhe praktikë infermierie për rreth 550 studentë në vit – që të gjithë me destinacion Gjermaninë.

Kjo qendër,  nxjerr paratë vetëm nga tarifat e rekrutimit nga vet institucionet gjermane. Kursistët duhet të nënshkruajnë një kontratë në të cilën bien dakord se do të gjejnë punë përmes InterPersonnel, e cila bashkëpunon me kompaninë gjermane të burimeve njerëzore Dekra.

“Çdo 3 muaj ne hapim konkurs për 140 vende të lira, e pranojmë rreth 3 mijë aplikime,” thotë drejtori ekzekutiv i InterPersonnel Musa Ahmeti. “Ne nuk po kontribuojmë për të zbrazur Kosovën por për të reduktuar papunësinë dhe për t’i ofruar infermierëve një mundësi për jetë më të mirë.”

Për çdo 140 vende të lira, ne marrim rreth 3 mijë aplikime. Ne nuk po kontribuojmë për të zbrazur Kosovën por për të reduktuar papunësinë dhe për t’i ofruar infermierëve një mundësi për jetë më të mirë.

Drejtori ekzekutiv i InterPersonnel, Musa Ahmeti

Duke nuhatur një mundësi, agjencitë e burimeve njerëzore të përqendruara në Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit po shfaqen në të gjithë Gjermaninë.

“Kërkesa nga spitalet është e lartë dhe po rritet shumë,” tha Sadik Shkreli, i cili la Kosovën më 1991 dhe tashmë drejton një kompani rekrutimesh në qytezën Landshut, pranë Mynihut. Ai vlerëson se sjell në Gjermani 50-60 infermierë e mjekë në vit, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Por rekrutuesit e burimeve njerëzore munden që së shpejti të gjejnë më pak kërkesë për shërbimet e tyre.

Në janar, Gjermania do të lehtësojë kufizimet për profesionistët e huaj që kërkojnë punësim, duke lejuar mjekët dhe infermierët të hyjnë me viza gjashtëmujore në mënyrë që të kërkojnë vetë për punë.

Punëkërkuesve do t’u kërkohet sërish të dinë gjuhën – një pengesë domethënëse për ata që nuk kanë prirje për gjuhë të huaja. Por disa kanë gjetur një rrugë më të shkurtër, ndonëse joetike.

BIRN bisedoj me katër kosovarë që thonë se kanë paguar të tjerë për të kaluar provimin e gjuhës gjermane në vend të tyre.

Njëri ishte një infermier 39 vjeçar nga pjesa lindore e vendit, i cili vendosi të shkojë në Gjermani pasi nëna e tij vdiq nga kanceri i gjirit. Një problem me furnizimet me barna në spital bëri që ai të paguante vetë për ilaçet e saj, proces që pothuajse e falimentoi financiarisht.

“Imagjino si është kur ti ki pagë vetëm 400 euro në muaj por të duhet të blesh ilaçe që kushtojnë 5 mijë,” tha ai. “U ndjeva i braktisur. Unë isha vetë i fushës së mjekësisë, por nuk munda të ndihmoja shumë as nënën time.”

Për të aplikuar për vizë pune në ambasadë, infermierit i nevojitej një dëshmi e aftësisë në nivelin B2 në gjermanisht. Ai tha se e gjeti veten duke rënë dakord me dramaturgun britanik Oscar Wild që thotë se “jeta është tepër e shkurtër për të mësuar gjermanisht”. Dhe për 2 mijë euro, ai nuk kishte nevojë ta mësonte gjuhën në atë nivel, duke e marr një certifikatë nga njëra prej qendrave të gjuhës në Serbi.

Ekzaminuesit në teste të tilla si Diploma e Gjuhës Austro-Gjermane (OSD) dhe në Institutin Gëte thonë se ata po bëjnë çfarë munden për të parandaluar mashtrime të tilla.

“Ofruesit e testit si OSD po dëmtohen shumë rëndë nga mashtrimet e tilla të përshkruara, në lidhje me marrjen e testit të gjuhës,” tha Brigitte Mitteregger, drejtuese e zyrës së Vjenës për OSD në një email.

Raportet për mashtrime kanë shtyrë edhe Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë që të kufizojë listën e qendrave që pranon certifikatat e tyre. Ambasada pranon certifikatat nga OSD dhe Goethe-Zentrum në Kosovë; OSD në Maqedoninë e Veriut dhe në Austri; dhe Instituti Gëte dhe TELC në Gjermani.

Horizonte të reja

Në shkurt, parlamenti i Kosovës miratoi ligj të ri për pagat, që pothujase do të dyfishoj pagat e mjekëve, por ky ligj nuk ka nisur ende të zbatohet. Mjekët në spitalet publike aktualisht marrin mes 600 dhe 750 euro në muaj.

Infermierët do të marrin gjithashtu një rritje me rreth 50% në rreth 600 euro në muaj, nga 400 që e kanë aktualisht.

“Bashkë me një përmirësim në kushtet e punës, mjekët e rinj dhe infermierët do të duhet të mendojnë më mirë para se të vendosin të ikin,” tha Basri Sejdiu, drejtor i Qendrës Spitalore  Universitare të Kosovës.

Ai shtoi se qendra, e cila menaxhon spitalet rajonale, po punon për të riorganizuar programet e specializimit në të gjithë vendin në mënyrë që vendet e punës të ndahen në mënyrë të drejtë.

Ministria e shëndetësisë synon të rrisë numrin e studentëve të mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në 250 nga 150 që janë aktualisht.

Në të njëjtën kohë, Gazmend Luboteni, kreu i agjencisë së akreditimit tha se planet për të rivendosur kuota në pranimet në kolegjet private mund të nisin të zbatohen që këtë vit.

Përpjekje të tilla për të mbajtur talentet në vend gjithsesi mund të rrezikohen nga një marrëveshje mes Kosovës dhe Gjermanisë në korrik për të hapur një qendër rajonale për të përgatitur dhe akredituar infermierë nga Kosova, posaçërisht për tregun gjerman.

Qendra, e cila do të ndërtohet në një vend ende të papërcaktuar në Kosovë, do të ofrojë shkollim të financuar nga shteti gjerman, eksperiencë praktike pune dhe kurse të gjuhës gjermane për ata që dëshirojnë të punojnë si infermierë në Gjermani.

Në shkëmbim, Gjermania do të ndihmojë Kosovën të fuqizojë sistemin e kujdesit të vet shëndetësor, përfshirë zhvillimin e sigurimit shëndetësor publik.

Kritikët mendojnë se kjo iniciativë do të bëhet mundësi transportimi për ata që kërkojnë një biletë njëdrejtimëshe për në Gjermani.

I pyetur në një konferencë për shtyp nëse qeveria po përpiqej të promovonte migrimin mjekësor, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha: “I takon atyre të vendosin nëse duan të kthehen apo jo.”

Ndërkohë, për punonjësit e shëndetësisë së Kosovës, opsionet vetëm sa po shtohen, për shkak se edhe vende të tjera po hapin dyert e veta.

Ahmeti, drejtori ekzekutiv i InterPersonell, tha se kompania e tij është në bisedime me Kryqin e Kuq Zviceran, i cili certifikon infermierë, “për të hapur një treg të ri në Zvicër”.

“Pagat janë jashtëzakonisht të mira dhe fillojnë në 8 mijë franga zvicerane (7200 euro) [në muaj],” tha ai. “Por ata do të duhet të kenë së paku tre vjet eksperiencë pune dhe nivel gjermanishteje B2.”

Për mjekët si Blerim Berisha në Pegnitz afër Nurembergut, nuk është e gjitha vetëm për para.

I pyetur nëse ka diçka që mund ta shtyjë të kthehet pas në Kosovë, ai u mendua një çast para se të përgjigjej.

“Respekt dhe ndershmëri,” tha ai.

Shkumbin Ahmetxhekaj është redaktor në Televizionin Publik të Kosovës dhe raporton mbi aktualitetin dhe lajmet nga bota. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative. Redaktimi u bë nga Timothy Large.

 

Box: Një çështje standardesh

Ndërsa mijëra studentë synojnë infermierinë si një mënyrë për t’u zhvendosur drejt Gjermanisë, ekspertët e shëndetësisë shqetësohen për rënien e standardeve.

Suzana Manxhuka Kerliu, dekane në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, dënoi një vendim të tre viteve më parë nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (KAA) për të lejuar universitetet private të pranojnë studentë pa limit në infermieri çdo vit.

“Si mundet që fakulteti ynë të lejohet të pranojë 50 studentë në infermieri ndërsa privatët pranojnë mijëra?” tha ajo. “Është mirë të kesh konkurrencë, por ne duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe cilësisë dhe monitorimit të rreptë.”

Kreu i AK-së Gazmend Luboteni tha se vendimi u bazua në një vlerësim se “nevojat e tregut ishin më të larta se sa oferta e Fakultetit të Mjekësisë” pavarësisht faktit se qindra të diplomuar në mjekësi dhe infermieri nuk kanë arritur të gjejnë vende pune në Kosovë.

Lul Raka, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe ish anëtar bordi i AKA-së, tha se Kosova ka shkelur si direktivat e Komisionit Europian ashtu edhe ligjet mbi arsimin e lartë.

“Bazuar në direktivat e BE-së, tituj të tillë si mjek, dentist, farmacist, infermier apo fizioterapist mund të jepen vetëm nga një universitet apo universitete që janë të lidhura me institucione shkencore,” tha ai. “Asnjë nga universitetet private nuk e plotëson këtë kusht.”

Ajo që shton ankthin mbi standardet janë raportet që tregojnë për ‘rrugë të shkurtra’ të gjetura nga kolegjet private.

“Ata nuk i respektojnë rregullat… Kanë shumë staf me titullin profesor që nuk kanë Phd,” tha Manxhuka-Kerliu.

Kolegjet private të cilat zakonisht i faturojnë studentët për 1,000-2,000 euro në vit, përgjigjen duke thënë se Universiteti i Prishtinës nuk ka monopol mbi cilësinë.

Fitim Alidemaj, kreu i departamentit të infermierisë në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë, tha se institucioni i tij investon më shumë në staf dhe infrastrukturë.

“Ne kemi 102 vetë staf vetëm te infermieria,” tha ai.

Një analizë nga BIRN i CV-ve të stafeve të publikuara në internet zbulon se të gjitha universitetet publike dhe private ofrojnë studime infermierie me stafe akademike që nuk kanë PhD sipas kërkesave  të ligjit. Në shumë raste, pedagogët janë studentë masteri.

Në mbrojtje të tyre, institucionet e arsimit të lartë citojnë një urdhër administrativ të lëshuar nga ministria e arsimit më 2017 që i jep atyre një “grejs periudhë pesëvjeçare”, kohë gjatë së cilës duhet të sigurojnë diplomat e nevojshme pasuniversitare.

AKA supozohet se monitoron universitetet dhe kolegjet për t’u siguruar se stafi është adekuat, por disa ekspertë vënë në pikëpyetje aftësinë – apo gatishmërinë – e AKA-së për ta bërë këtë.

Në Shtator, Shoqata Europiane për Garantimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), një grup me bazë në Bruksel që përfaqëson organizatat e sigurisë, anuloi anëtarësinë e AKA-së me argumentin se nuk po bënte mjaftueshëm për të garantuar standardet.

“Nuk ka pasur monitorim apo ndjekje të rekomandimeve të bëra nga rishikimet e mëparshme,” shkroi ENQA në një letër në AKA, e disponueshme online. “Monitorimi është kufizuar vetëm te kërkesat formale, kufizuar te kontrolli më shumë se sa te përforcimi i cilësisë.”

Ekspertët thonë se vendimi i ENQA mund ta bëjë më të vështirë për studentët e Kosovës ekujvalentimin e diplomave.

 

Box: Integrim ndërkombëtar

Ekspertët japin shumë arsye për të shpjeguar mungesat në punonjës të shëndetësisë në Gjermani, përfshirë norma të ulëta nataliteti si dhe emigrimi i mjekëve e infermierëve të vendit, kryesisht drejt Zvicrës, Britanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Austrisë, ku pagat janë më të larta.

Administratorët që përpiqen të mbushin mungesat e 70 mijë punonjësve të shëndetësisë thonë se punësimi nga jashtë vendit nuk është i lehtë për shkak se aplikantët duhet të dinë gjermanisht si dhe të kenë diplomat të njohura dhe të certifikuara. Në rastin më të mirë, procesi mund të marrë 9 deri në 12 muaj.

Menaxherët e spitaleve thonë se integrimi i stafit të huaj mund të jetë gjithashtu një problem.

“Edhe pasi i punësojmë, mund të nevojiten dy vjet për të pasur integrim të plotë të një të punësuari të ri këtu,” thotë Michael Weiss-Gehring, një menaxher infermierësh në Klinikën Hassberg në qytetin gjerman Hasfurt, ku gjysma e të gjithë mjekëve janë jo-gjermanë.

Weiss-Gehring organizon takime të përjavshme, të tipit të ekskursioneve për të ndihmuar stafin të përmirësojë gjuhën dhe të integrohen.

“Gjuha është problemi më i madh që ne kemi, por gjëja tjetër është kultura,” tha ai. “Njerëzit vijnë nga sisteme shëndetësore tërësisht të ndryshme – veçanërisht për infermierët, për shkak se puna e tyre këtu është krejt e ndryshme.”

Ai shtoi: “Shumë pacientë besojnë se mjekët nuk i kuptojnë problemet e tyre.”

Alfred Schmitt, një pacient 82 vjeçar në Klinikën Hassberg, tha se atë nuk e shqetësonte fakti që shumë nga stafi nuk janë gjermanë. “Ata kuptojnë nevojat e mija,” tha ai.

Por një infermierë shqiptar që punon në qytetin jugor të Mynihut tha se të tjerët nuk ishin kaq tolerantë.

“Në një nga turnet e natës, nga 10 vetë staf, vetëm dy ishin gjermanë,” tha infermieri i cili refuzoi të identifikohej. “Mund të dëgjoje pacientët që ankoheshin dhe shanin faktin që po trajtoheshin nga të huaj.”

 

Box: ‘Fusha e minuar’ mjekësore e Kroacisë

Kosova nuk është vendi i vetëm në Europën Juglindore që përballet me ikjen e trurit mjekësor. Fenomeni prek të gjitha vendet e rajonit, përfshirë anëtarin më të ri të BE-së, Kroacinë.

Oda e Mjekëve të Kroacisë thotë se më shumë se 10% e mjekëve të vendit – rreth 1,700 në total – kanë kërkuar certifikata që nevojiten për të punuar jashtë vendit.

“Zakonisht unë them se sistemi shëndetësor kroat është një fushë e minuar për mjekët dhe pacientët dhe se situata po përkeqësohet çdo ditë,” thotë Ljiljana Cenan, një mjeke e Mjekësisë Familjare në fshatin Ivankovo në lindje të vendit.

Pasi ka punuar 20 vjet në fshat, Cenan ka siguruar një vend pune në Suedi. Ajo thotë se do të jetë e vështirë për të gjetur një mjek zëvendësues kur ajo të ikë.

Njësoj si kolegët e tyre në Kosovë, shumë mjekë kroatë ankohen se kanë mundësi të kufizuara për specializim.

Në përpjekje për të ndalur eksodin, Kroacia ka vendosur t’i kërkojë mjekëve në programe specializimi të vijojnë të punojnë në spitalin ku kryejnë specializimin pasi të mbarojnë kursin – ose të paguajnë një gjobë, që varion deri në 135,000 euro.

Ivan Bekavac, kreu i Zyrës së Dhomës së Mjekëve për Çështje Ndërkombëtare, tha se ndërsa ai kundërshtonte lidhjen me ‘pranga’ të mjekëve të rinj në këtë mënyrë, vendi përballej gjithsesi me një problem të madh.

Ai përmendi shembullin e një spitali në Slavonski Brod që shpalli vende të lira pune për 32 mjekë por mori vetëm shtatë aplikime.

“Sistemi ynë i ri tregon se sa mjekë do të dalin në pension brenda pak viteve të ardhshme në secilin rajon, dhe se sa shumë mjekë sipas të gjitha specializimeve i kanë letrat gati për të ikur jashtë vendit,” tha ai.

Kroacia ka rreth 470 mjekë në pension që vijojnë të punojnë me gjysëm orari për shkak se nuk ka mjekë të rinj.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera