Lajme

IKD: Gjykatësit e caktuar favorizojnë politikanët e akuzuar

Autori: Gazeta inFokus 09:59 | 14 November 2020

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, ka publikuar raportin “Krimet e Përgjithshme në Kosovë – 2019”. Ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë të Departamenteve të Përgjithshme – Divizioneve Penale në Sistemin e Drejtësisë, ku përfshihen 3,426 seanca gjyqësore të monitoruara nga IKD, me gjithsej 2,371 raste.

Sipas raporit të IKD, divizionet Penale të Departamenteve të Përgjithshme të Gjykatave Themelore vazhdojnë të përballen me numër të madh të lëndëve të pazgjidhura, të cilat barten vit pas viti. IKD gjen se ky numër i lëndëve është një ndër arsyet kryesore të zvarritjes së rasteve gjyqësore në sistemin gjyqësor të Kosovës, e cila zvarritje konsiston në shkeljen e të drejtës kushtetuese për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor.

“Por, për dallim nga vitet paraprake, gjatë vitit 2019 divizionet penale të Gjykatave Themelore janë përforcuar me 18 gjyqtarë të rinj, i cili përforcim ka ndikuar edhe në uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese. Për dallim nga viti 2018 kur kishin mbetur të pazgjidhura 40,118 lëndë, në fund të vitit 2019 ky numër është zvogëluar për 6,861 lëndë, përkatësisht në 33,257 lëndë. Por, përkundër kësaj rritje, shprehur në mesatare të numrit të lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e gjyqtarëve, gjyqtarët e divizioneve penale gjatë vitit 2019 kanë zgjidhur lëndë më pak se sa në vitin 2018”, thuhet në komunikatën e IKD, lidhur me raportin “Krimet e Përgjithshme në Kosovë – 2019”, transmeton Telegrafi.

-Advertisement-

Sa i përket politikës ndëshkimore në divizionet penale, dënimi më i shqiptuar është dënimi me gjobë, që përbën 49.39% të dënimeve, pasuar nga dënimi me kusht në 40.26% të rasteve, derisa në vetëm 6.64% të rasteve është shqiptuar dënim me burgim efektiv. 3.72% e lëndëve janë zgjidhur në mënyrë tjetër.

Në anën tjetër, divizioni penal i Gjykatës së Apelit gjatë vitit 2019 ka zgjidhur më pak lëndë se sa që ka pranuar, derisa kësaj gjykate në fund të vitit 2019 i kanë mbetur të pazgjidhura 391 lëndë. Gjatë vitit 2019, kjo gjykatë ka kthyer në rigjykim 19.7% të lëndëve të zgjidhura.

Sipas raporteve zyrtareve, në departamentet e përgjithshme të prokurorive në fund të vitit 2019 kanë mbetur të pazgjidhura 74,849 lëndë. Sa i përket sistemit prokurorial, të dhënat statistikore të gjeneruara nga ky sistem e bëjnë të pamundur vlerësimin e trendeve të efikasitetit, për shkak të paqartësive të shumta. Për më tepër, sistemi prokurorial nuk ka ofruar të dhëna sa i përket numrit të rasteve të parashkruara në departamentet e përgjithshme të prokurorive gjatë vitit 2019.

Sa i përket zgjidhjes së lëndëve, IKD në këtë raport ka evidentuar disbalanc mes gjyqtarëve sa i përket numrit të lëndëve të zgjidhura, derisa sa i përket prokurorëve, sistemi prokurorial nuk ka dhënë qasje në këto të dhëna. Në raport me normën orientuese për prokurorë, sipas mesatares, këtë normë e kanë arritur Prokuroria Themelore në Prishtinë, ajo në Pejë, Mitrovicë dhe Ferizaj, derisa këtë normë nuk e kanë arritur Prokuroria Themelore në Prizren, Gjilan dhe Gjakovë.

Sa i përket procedimit të rasteve gjyqësore, IKD ka gjetur se vazhdon të jetë e theksuar dukuria e shtyrjes së seancave gjyqësore. Nga 3,426 seancat gjyqësore që IKD ka monitoruar në divizionet penale, 1,055 prej tyre janë shtyrë. Shprehur në përqindje, i bie se nga totali i seancave të monitoruara, 30.7% e tyre janë shtyer. Pra, afërsisht çdo e treta seancë. Sfidë tjetër vazhdon të jetë dukuria e parashkrimit. Shprehur në mesatare, IKD gjenë se gjatë vitit 2019, në çdo ditë kalendarike janë parashkruar mesatarisht 6,49 lëndë, e që në muaj i bie të jenë parashkruar 197,5 lëndë penale.

IKD ka gjetur se në trajtimin e rasteve penale, prokurorët e departamenteve të përgjithshme nuk i kanë kushtuar rëndësi luftimit të kriminalitetit përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Nga 2,371 raste të monitoruara, IKD ka gjetur se prokurorët e këtyre departamenteve në vetëm 54 raste kanë parashtruar kërkesë për sekuestrim të pasurisë, derisa këtë nuk e kanë bërë në 2,381 raste të tjera.

Gjetjet e IKD-së në këtë raport argumentojnë se mënyra e trajtimit të rasteve nga DP-të e Gjykatave dhe Prokurorive shkel të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, kohëzgjatja e procedurave penale vazhdon të jetë një problematikë e theksuar. Edhe në këtë raport, IKD ka evidentuar raste ku procedura gjyqësore ka zgjatur mbi 13 vite. Nga të dhënat e IKD-së, të nxjerra nga analizimi i rasteve të përzgjedhura ëistike që janë në këtë raport, del se Divizionet Penale të Gjykatave Themelore, për caktimin e shqyrtimit fillestar pas dorëzimit të aktakuzës në gjykatë u janë nevojitur mesatarisht 561 ditë, ndonëse KPPK-ja në nenin 242.4 ka përcaktuar mbajtjen e kësaj seance brenda 30 ditëve nga ngritja e aktakuzës.

Në anën tjetër, në këtë raport IKD ka evidentuar raste të trajtimit selektiv dhe diskriminues të gjykatave ndaj personave të akuzuarve. Ky standard i dyfishtë i gjyqësorit vjen në shprehje në rastet kur persona me ndikim të lartë publik ballafaqohen me drejtësinë. Në raste të tilla, gjykatat zbatojnë praktika të ndryshme krahasuar me rastet tjera gjyqësore, kur si persona të akuzuar paraqiten njerëzit e rëndomtë. Po ashtu, IKD ka evidentuar edhe raste kur për shkak të neglizhencës së gjykatës, një qytetar ishte dënuar dy (2) herë për veprën e njëjtë penale, derisa janë evidentuar edhe raste të procedimeve penale për vepra penale të rëndësisë së vogël. Po ashtu, IKD në këtë raport ka evidentuar edhe shkelje ligjore sa i përket kompetencës së gjykatave me rastin e vendosjes.

Po ashtu, IKD gjatë procesit të monitorimit ka evidentuar praktika të Prokurorit të Shtetit të cilat janë negacion i sigurisë juridike të qytetarëve. Këto praktikë, konsistojnë në ngritjen e aktakuzave nga të cilat hiqet dorë ende pa u shqyrtuar asnjë provë, madje ende pa u caktuar as shqyrtimi fillestar. Për më tepër, edhe gjatë vitit 2019 IKD ka evidentuar raste të shumta ku prokuroria ka ngritur aktakuza ndaj personave të vdekur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera