Sport

I theu këmbën kundërshtarit, klubi e përjashton nga skuadra (Video)

Autori: Gazeta inFokus 13:06 | 26 March 2019

Në ndeshjen mes Kinës dhe Uzbekistanit u pa një ndërhyrje e rëndë e lojtarit kinez Wei Shihao, i cili ndërhyri nga pas ndaj Otabek Shukurov, për pasojë i theu këmbën e djathtë, e cila ishte këmba mbështetëse në momentin e goditjes.

“Nuk ishte e qëllimshme. Ishte thjesht një ndërhyrje taktike për të ulur ritmin e ndeshjes. Nuk e di nëse ai është dëmtuar. Ndërhyrjet e ashpra janë pjesë e futbollit dhe dëmtimet janë pjesë e saj”, tha lojtari kinez pas ndeshjes.

Arbitri kryesor i takimit u mjaftua me një karton të verdhë, ndërsa lojtari uzbekistanas u dërgua me urgjencë në spital ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale.

-Advertisement-

Wei ka vetëm një muaj që është transferuar te skuadra e Guangzhou Evergrande dhe klubi e ka dënuar që të mos stërvitet me ekipin për një muaj, vetëm për ndërhyrjen që ai bëri në ndeshjen me kombëtaren.

Ndërkohë 23-vjeçari kinez, pasi mësoi dëmtimin e rëndë të Shukurov mori një karrige me rrota dhe një kosh me fruta për ta pritur tek hoteli ku ishte akomoduar përfaqësuesja e Uzbekistanit.

“Pas ndeshjes, mësova se lojtari tjetër ishte dëmtuar rëndë. U ndjeva shumë keq. Ky ishte një faj. Nuk prisja që goditja ime të dërgonte një person në spital. Kërkoj ndjesë sinqerisht. Këmbët e futbollistëve janë shumë të rëndësishme. Asnjë nuk dëshiron të lëndohet, kjo është puna jonë”, tha Wei, pasi mori vesh lajmin për dëmtimin që i kishte shkaktuar kundërshtarit.

Ai e priti 23-vjeçarin nga Uzbekistani derisa mbërriti në hotel dhe i kërkoi ndjesë, teksa në fund e mbyllën me një shtrëngim duarsh.