Lajme

I premtoi një votuesi 10 euro për ta votuar ish-kryetarin e Kamenicës, i akuzuari nuk paraqitet në gjykatë

Autori: Gazeta inFokus 11:36 | 20 December 2021

Mungesa e të akuzuarit F.D, ka bërë që të dështojë seanca fillestare ndaj tij, i cili po ngarkohet nga prokuroria se në ditën e zgjedhjeve komunale ka kërkuar nga i pandehuri tjetër, A.R, që ta votojë Partinë Social Demokrate (PSD) dhe si kundërshpërblim ky i fundit do t’i merrte 10 euro.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit Dërmaku, avokati Selmon Sadiku.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Naser Maliqi që kjo seancë të shtyhet me arsyetimin se klienti i tij momentalisht gjendet në Zvicër.

-Advertisement-

Seanca tjetër për këtë rast është caktuar të mbahet më 24 dhjetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 nëntor 2021, F.D dhe A.R ngarkohen me veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212, paragrafi 1, respektivisht 2 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në pesë vjet.

Sipas prokurorisë, i akuzuari F.D më 14 nëntor 2021, në Kamenicë, në vendin e quajtur “Pasqyra e Kamenicës”, është takuar me të akuzuarin dhe nga i njëjti ka kërkuar që ta votojë numrin 127 (PSD-në), ta fotografojë votën dhe më pas si kundërshpërblim do t’ia jepte 10 euro.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë të saj, i akuzuari A.R pasi paraprakisht është marr vesh me të akuzuarin F.D për ta votuar subjektin politik në fjalë dhe si kundërshpërblim t’i marr 10 euro, shkon voton dhe me celular e fotografon votën e tij, me ç’rast paratë nuk arrin t’i marrë pasi hetohet dhe arrestohet nga policia.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera