Sport

I pezulluar për ryshfet nga trukimet e ndeshjeve, e kaluara e errët e gjermanit që arbitron Shqipërinë

Autori: Gazeta inFokus 13:59 | 11 November 2021

Mbrëmjen e nesërme në orën 20:45, Shqipëria do të zbresë në Wembley për të sfiduar Anglinë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022. Një takim me vështirësi maksimale për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edy Reja, teksa në grupin e kombëtares ka ende shpresa për të kapur vendin e dytë që aktualisht mbahet nga Polonia.

Ndërkohë, është zyrtarizuar edhe arbitri që do të ndajë drejtësi në takimin e Shqipërisë dhe fjala është për Felix Zwayer. 40-vjeçarit iu besua së fundmi nga ana e UEFA-s edhe përballja e Champions League mes Sheriff Tiraspol dhe Inter. Megjithatë, e kaluara e tij nuk është shumë pozitive, duke qenë se gjermani më parë ka qenë i pezulluar për gjashtë muaj nga Federata Gjermane e Futbollit si pasojë e përfshirjes në një skandal të trukimit të një ndeshje. Në vitin 2005, Zwayer ishte asistent i arbitrit Robert Hoyzer me këtë të fundit që ishte pjesëmarrës në trukimet e disa ndeshjeve. Kështu, edhe Zwayer u bë pjesë e kësaj skeme dhe u zbulua se kishte pranuar një ryshfet prej 300 eurosh.

Vetë Zwayer dhe tre arbitra të tjerë informuan Federatën Gjermane të Futbollit për implikimin e Hoyzer në trukimin e ndeshjeve dhe si pasojë ai mori pezullimin gjashtëmujor. Ndërkohë, akuzat për Zwayer kanë vazhduar edhe në vitin 2020, teksa në nëntor ai arbitroi takimin mes Rennes dhe Chelsea në Champions League. Vendimet e marra nga gjermani, shtypi francez i cilësoi si më skandalozet ndonjëherë dhe e akuzuan se me qëllim dhe në bashkëpunim me UEFA, favorizoi një ekip të madh si Chelsea. Ndërkohë, sa i përket jetës jashtë fushës së blertë, Zwayer njihet si një agjent i suksesshëm imobiliar në Berlin, qyteti edhe ku jeton.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera