Lajme

“I mbytën me çekan në kokë”, Berani shpalos detaje të masakrave mbi shqiptarët në Mitrovicë

Autori: Gazeta inFokus 23:00 | 12 December 2019

Halit Berani kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë në rrjetin e tij social “Facebook”, ka publikuar një shkrim në të cilin ka treguar disa prej masakrave që serbët kanë kryer mbi popullullatën civile në Mitrovicë gjatë përiudhës 1998-1999.

Berani ka bërë të ditur se në fshatrat e Shalës së Bajgorës janë vrarë 12 shqiptar pa dallim moshe apo gjinie, shkruan gazeta inFokus.
Pas Bajgorës serbët mësyn fshatrat, të cilat janë rrëzë vargmaleve të Qyqavicës, ku brenda këtyre dy ditëve pushkatuan 24 shqiptarë, 6 prej të cilëve i mbytën me çekanë, duke iu rënë në kokë.

Ai ka thënë se çekanët i kanë mbajtur paraushtarakët romë, të cilët i kanë përdorur për mbytjen e shqiptarëve.

-Advertisement-

Ndërsa të shtunën e 13 marsit ditë tregu në Mitrovicë, Berani tregon se ushtria serbe hedh tri mjete shpërthyese në mes të tregut të gjelbër, ku mbetën të vdekur 6 persona, dy prej tyre romë, ndërsa katër shqiptarë.

Në të njejëtën ngjarjë plagosen mbi 120 veta.
E me 24 mars në orët e mesnatës, në Mitrovicë, kriminelët serbë vrasin brenda nëpër shtëpitë e tyre 4 veta 2 burra, 1 grua plakë dhe 1 fëmijë, shkruan gazeta inFokus.

Me 27 mars Berani tregon se u pushkatuan 6 shqiptarë vetëm në lagjen “Ilirida”, ndërsa me 28 mars familjes Alushi ja morën dy djem, dhe gjithsej 7 person u vranë vetëm këtë datë.

Gjithsej nga të dhënat siç tregon Berani në komunën e Mitrovicës kanë ndodhur 14 masakra.

Nga 27 marsi e deri në përfundim të luftës sipas të dhënave në komunën e Mitrovicës serbët kanë vrarë e masakruar pamëshirshëm popullsinë shqiptare.

“Në Mitrovicë dhe rrethinë janë gjetur 14 varreza masive, të cilat janë hapur, prej nga janë zhvarrosur mbi 200 trupa të pajetë, një pjesë e tyre janë identifikuar, përmes ADN-së, rrobave dhe nga familjet. Disa kanë mbetur ende të paidentifikuar”./Gazeta inFokus/.

Postimi i Plotë:

DISA PREJ MASAKRAVE NE MITROVICË

DISA PREJ MASAKRAVE QË USHTRIA, POLICIA, PARAUSHTARAKËT DHE CIVILË TË ARMATOSUR SERBË, I KRYEN MBI POPULLATËN CIVILE SHQIPTARE NË MITROVICË GJATË LUFTËS SË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS 1998 / 99

Popullata e Mitrovicës është një popullatë e thjeshtë, e urtë e shumë e ndershme dhe e sinqertë, por që vazhdimisht ka qenë e përndjekur dhe e persekutuar nga pushtuesit e shumtë. Këtij pushtimi të gjatë ajo i është kundërvënë përherë me guximin dhe qëndrueshmërinë e vet të pathyeshme.

Kjo popullatë, e cila i përjetoi katrahurat e ofensivave të shumta të ushtrisë, policisë, paraushtarakëve dhe civilëve të armatosur serbë, mbi të gjitha e çmon drejtësinë dhe integritetin njerëzor; e do jetën, gjallërinë, punën, përparimin, buzëqeshjen e fëmijëve e të rinisë, qetësinë, por, mbi të gjitha, e do lirinë dhe mëvetësinë.

Me këta rreshta, në vija të trasha, ju informojmë për katrahurat që përjetoi popullata shqiptare e Mitrovicës dhe e rrethinës gjatë luftës 1998/99.
Lufta frontale në komunën e Mitrovicës, përkatësisht në fshatrat e Shalës së Bajgorës, ka filluar më 15.IX.1998.

Në vitin 1998, përkatësisht më 15, 16 dhe 17 shtator 1998, ushtria, policia dhe paraushtarakët serbë, të cilët erdhën me armatimin më të rëndë që kishin, në fshatrat e Shalës së Bajgorës – Mitrovicë, vranë mbi 12 shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie; dhunuan femra shqiptare; i dëbuan me dhunë të gjithë banorët e fshatrave të Shalës; dogjën pjesërisht 12 fshatra, të cilat paraprakisht i plaçkitën; plaçkitën gjëra të ndryshme; vranë shumë bagëti; plaçkitën, po ashtu, bagëti, të cilat i bartën me kamionë për në Serbi; plaçkitën automjete të ndryshme, ku një pjesë të tyre, pra ata që ishin të vjetër, i dogjën; dogjën shumë ushqim të bagëtive; dogjën, po ashtu, të gjitha rrethojat e shtëpive dhe të arave, të cilat ishin rrethoja të drunjta, etj.

Më 22-24.IX.1998 ushtria, policia, paraushtarakët dhe civilët serbë, të armatosur gjerë në dhëmbë, me armatim shumë të rëndë, mësyn fshatrat, të cilat janë rrëzë vargmaleve të Qyqavicës, ku brenda këtyre dy ditëve pushkatuan 24 shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie, 6 prej të cilëve i mbytën me çekanë, duke iu rënë në kokë.

Vlen të ceket se çekanët i kanë mbajtur paraushtarakët romë, të cilët i kanë përdorur për mbytjen e shqiptarëve. Edhe më këtë rast kanë djegur shumë shtëpi, të cilat paraprakisht i kanë plaçkitur e prej nga më parë i kishin dëbuar me dhunë të gjithë banorët.

Deri në janar të vitit 1999 nuk ka pasur më vrasje në komunën e Mitrovicës, mirëpo më 1.I.1999 rifillojnë vrasjet e shqiptarëve, vrasje këto pjesërisht enigmatike.

Më 13.III.1999, ora 1420, ditë e shtunë, ditë tregu në Mitrovicë, ushtria serbe hedh tri mjete shpërthyese në mes të tregut të gjelbër, ku mbetën të vdekur 6 persona, dy prej tyre romë, ndërsa katër shqiptarë. Me këtë rast plagosen mbi 120 veta, të gjithë shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie. 6 prej të plagosurve kanë mbetur, sot e asaj dite, invalidë të përjetshëm, ngase kanë mbetur pa të dyja këmbët. 4 të tjerë kanë mbetur pa njërën këmbë, ndërsa mbi 128 kanë mbetur të plagosur disa sish pa gjymtyrë të ndryshme të trupit.

Më 24.III.1999, në orët e mesnatës, në Mitrovicë, kriminelët serbë vrasin brenda nëpër shtëpitë e tyre 4 veta: 2 burra, 1 grua plakë dhe 1 fëmijë.

Më 25.III.1999, në orët e pasdites, ushtria, policia, paraushtarakët dhe civilët serbë, të armatosur, hyjnë nëpër shtëpitë e shqiptarëve, në lagjen “Bair” të Mitrovicë, ku e dëbojnë me dhunë gjithë popullatën shqiptare. Më këtë rast, ushtria serbe ka shtënë me armë zjarri nëpër dritaret e shtëpive shqiptare (në këtë lagje ka pasur edhe banorë serbë).

Më 27.III.1999, në orët e paradites, në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë, polici Tofill Vuinoviq dhe një tjetër polic serb, pushkatuan, në mes të rrugës, 2 shqiptarë. Të njëjtën ditë, prej orës 1430-1600, në lagjen “Ilirida” (ish Tavnik), policët serbë vranë edhe 4 shqiptarë dhe plagosën dy të tjerë, të cilët, sot e kësaj dite, janë invalidë. Gjatë kësaj dite u pushkatuan 6 shqiptarë vetëm në lagjen “Ilirida”

Më 28.III.1999, në orët e pasdites, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, katër paraushtarakë dhe katër policë serbë, brenda në oborrin e shtëpisë së tyre, vrasin 2 vëllezër. Pas kësaj vrasje, kriminelët dalin nga oborri, ku para dyerve vrasin edhe të 2 tjerë, anëtarë të së njëjtës familje – Alushi. Kriminelët e vazhdojnë rrugën për në Mitrovicë, ku në afërsi të ish restorantit “Te Llapa” i vrasin edhe 3 shqiptarë të tjerë,dy të moshës së shtyrë dhe një 17 vjeçar. Këtu u vranë 7 shqiptarë.

Më 29.III.1999, në lagjen “Bair”, ushtria serbe i pushkaton 4 pleq të moshës së shtyrë, 2 femra e 2 meshkuj, të cilët ishin të palëvizshëm. Pastaj, kohë pas kohe, rrugëve të qytetit, policia kriminele serbe, e udhëhequr nga Ratko Antonijeviq, Dejan Saviq, Nenad Paviqeviq, Boban Milosavleviq, Tofill Vuinoviq etj., keqtrajton fizikisht, në mënyrën më barbare, shqiptarë të të gjitha moshave, pa dallim gjinie. Në orët e mbrëmjes të kësaj dite, ushtria e policia serbe fillon djegien masive të shtëpive dhe dyqaneve të shqiptarëve në lagjet “Ilirida” (ish Tanvik) dhe lagjen “Qendra 1 dhe 2” .

Që nga 30.III.1999 e deri më 14.IV.1999, ushtria, policia, paraushtarakët dhe civilët serbë të armatosur masovizuan dëbimin e shqiptarëve me dhunë nga shtëpitë dhe banesat e tyre në lagjet “Lumbardhi” (ish Ibri), kuarti i boshnjakëve, pjesërisht në lagjet “Kodra e Minatorëve”, “Kroi i Vitakut”, “7 Shtatori”, “2 Korriku”, Bairi”, “Ura e Gjakut “.

Të gjithë të dëbuarit u grumbulluan në lagjen “Ilirida” (ish Tavnik), Fushë Ibër (ish Zhabar), Koshtovë, Broboniq, Vinarc dhe Gushavc.

Më 14.IV.1999, në lagjen “Qendra 1” dhe “Bair”, përkatësisht në Rrugën e Kovaçëve, kriminelët çetnikë serbë (grupi i quajtur Frankjevci) hynë nëpër shtëpi dhe banesa, ku i nxorën jashtë të gjithë ata shqiptarë të mbetur, ku në rrugë i ndajnë meshkujt prej grave dhe fëmijëve.

Këta të fundit i urdhërojnë që të shkojnë drejt për në Shqipëri, kurse në oborrin e shtëpisë së Haki Kurshumliut, të cilin e kishin vrarë më 27.III.1999, dhe në oborrin e shkollës fillore “Meto Bajraktari”, kriminelët serbë pushkatuan 31 shqiptarë. Në mesin e këtyre gjakatarëve ishte edhe kryekrimineli, Oliver Ivanoviq, i shoqëruar nga Igor Simiq, etj.

Të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, ushtria e policia serbe dëbon me dhunë nga banesat edhe ata pak shqiptarë të mbetur në qendrën e qytetit, të cilët gjejnë strehim në lagjen “Ilirida” (ish Tavnik) .

Më 15.IV.1999, në orët e paradites, policia kriminele serbe rrethon lagjen “Ilirida” dhe fshatin “Fushë Ibër”, ku tubon gjithë popullatën e strehuar në këto dy lokalitete dhe i fut në kolonë drejt Shqipërisë. Meqë policëve, me gjasë, u erdhi një urdhër (prej kah nuk dihet) ata e ndalën kolonën. Atë natë popullata ka fjetur, ashtu siç ka mundur, nëpër shtëpitë që ishin buzë rrugës, rrugëve dhe nëpër oborre të shtëpive.

Edhe natën e 15 prillit 1999 policia serbe vrau disa shqiptarë përgjatë rrugës Mitrovicë-Broboniq, të cilët bënin përpjekje që të largoheshin prej kolone, kolonë kjo e cila ishte nën kontrollin e ushtrisë, policisë, paraushtarakëve dhe civilëve serbë të armatosur.

Më 16.IV.1999, në orët e paradites, hordhitë çetnike serbe i futën me dhunë në kolonë rreth 80.000 shqiptarë, banorë të Mitrovicës me rrethinë, të cilët ishin në kolonën e gjatë mbi 10 kilometra. Me të arritur gjysma e kolonës në lagjen “Ura e Gjakut”, një grup policësh, të prirë nga Oliver Ivanoviq i nxjerrin nga kolona meshkuj, kryesisht të rinj.

Vetëm Momqilla i nxjerr nga kolona, duke ua marrë nga duart nënave të tyre, 9 të rinj, të cilët i fusin në oborrin e shtëpisë së Maliq Likoshanit. Atyre ua lidhin duart me tela rreth një pusi, ku edhe i pushkatojnë 8 prej tyre, ngase njëri arrin të ik, por me vonë edhe atë e zënë dhe e pushkatojnë. Edhe përgjatë rrugës nga Mitrovica deri në fshatin Ternavc të Skënderajt, policët dhe paraushtarakët serbë pushkatuan njerëz, të cilët ishin në kolonë.

Nga kolona në fjalë, edhe në fshatin Klinë e Epërme nga kolona i nxjerrin 4 banorë të lagjes “Bair”, ku i pushkatojnë dhe i dërgojnë me automjete në fshatin Kuçicë, ku i hedhin në një pus. Pas lufte u nxorën trupat e tyre të pajetë nga ky pus dhe u rivarrosën në varrezat e qytetit në Mitrovicë.

Më 24.IV.1999 i kthejnë nga kolona, pasi kishin udhëtuar mbi 80 kilometra këmbë, mijëra shqiptarë, të cilët kur arrijnë në Skënderaj i ndajnë mbi 120 meshkuj nga familjet, të cilët i burgosin në shkollën e mesme Teknike në Skënderaj, për t’i marrë pastaj si mburojë, të cilët i dërgojnë në fshatin Ternavc, ku i qesin përpara dhe i fusin në fshat me qëllim që t’i vrasë UÇK-ja, por ajo nuk ndodh pasi që UÇK-ja largohet prej andej, ngase e kishte kuptuar qëllimin e kriminelëve serbë. Më këtë rast, pasi i detyrojnë që t’i hapin disa gropa, i largojnë prej andej dhe i dërgojnë në burgun e Smrejkonicës, pastaj prej andej për në Shqipëri.

Më 2.V.1999, nëpër fshatrat e Shalës së Bajgorës, hordhitë ushtarako-policore e paraushtarake serbe i tubojnë ata pak banorë shqiptarë, të cilët kishin mbetur nëpër shtëpitë e veta dhe i fusin me dhunë në kolonë, duke i nisur në drejtim të Vushtrrisë. Kur arrijnë në fshatin Trimor (ish Studime) i pushkatojnë mbi 123 veta, pa dallim moshe e gjinie, ku shumë sish edhe keqtrajtohen fizikisht në mënyrën më barbare. Shumë prej të keqtrajtuarve, sot e kësaj dite, kanë mbetur invalidë të përjetshëm.

Më 16.V.1999 ushtria e policia serbe i grumbullojnë, nga të gjitha pjesët e qytetit, të gjithë banorët shqiptarë, që kohë më parë i kishin kthyer nga kolona vetë çetnikët. I qesin në ara të Zhabarit, ku i ndajnë meshkujt nga femrat, të cilët i ngarkojnë në maune dhe i dërgojnë në burgun e Smrekonicës, por paraprakisht i kishin dërguar në lokalet e stacionit policor dhe disa në lokalet e Shkollës së Mesme Teknike në Mitrovicë, ku, përveç që ua kishin marrë nga një deklaratë, edhe i kishin keqtrajtuar shumë rëndë fizikisht.

Më 20.V.1999, ushtria, policia, paraushtarakët dhe civilët serbë, pasi granatuan fshatrat Koprivë dhe Broboniq të Mitrovicës, hynë me këmbësori në Koprivë, ku pushkatuan në odë të vet 1 plak 83 vjeçar. Në Broboniq – 2, po ashtu pleq 80, përkatësisht 73 vjeç.

Më këtë rast dogjën, në këto dy fshatra, 141 shtëpi dhe shumë objekte tjera ndihmëse, të cilat paraprakisht i plaçkitën. Këta kriminelë ikën rrugës për në Mitrovicë, ku gjatë rrugës i arrestojnë 3 banorë të Koprivës, babanë me dy djem, të cilët i dërgojnë në Shipol ku edhe i pushkatojnë.
Më 8.VI.1999, në orët e mesditës, ushtria e policia serbe, në fshatin Zhabar të Mitrovicës, arreston 16 shqiptarë moshash të ndryshme, banorë të Vinarcit të Epërm, Koshtovës së Bobit, Zhabarit dhe të lagjes “7 Shtatori”.

Po ashtu më 9.VI.1999, në orët e para të mbrëmjes, paraushtarakët kriminelë serbë, të armatosur gjerë në dhëmbë, në lagjen “7 Shtatori”, hyjnë nëpër banesa të shqiptarëve, ku i arrestojnë 14 të rinj shqiptarë. Tre prej tyre arrijnë t’u ikin kriminelëve, ndërsa për fatin e 11 të tjerëve nuk dihet asgjë as sot e kësaj dite.

Më 9.VI.1999, në orët e vona të mbrëmjes, në lagjen Lumbardhi, kuarti i boshnjakëve, shkojnë një grup kriminelësh serbë të armatosur, ku në një shtëpi i djegin 6 shqiptarë, në mesin e tyre 2 femra. Po në atë kuart i arrestojnë 12 shqiptarë moshash të ndryshme, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë sot e kësaj dite.

Gjatë muajve prill dhe maj 1999, nga Mitrovica, ushtria, policia, paraushtarakët dhe civilët serbë të armatosur kanë dëbuar me dhunë nga shtëpitë dhe banesat e tyre mbi 80.000 shqiptarë, të cilët i kanë deportuar për në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, etj.

Siç shihet nga të dhënat e mësipërme, në Mitrovicë,përkatësisht në komunën e Mitrovicës kanë ndodhur 14 masakra.

Në grup janë vrarë 100 persona, pa dallim moshe e gjinie; janë pushkatuar 455 persona civilë, pa dallim moshe e gjinie; janë plagosur me armë zjarri 429 persona, pa dallim moshe e gjinie; 129 persona ende janë të pagjetur; të arrestuar dhe të dënuar prej 30 ditë deri 20 vjet burg kanë qenë 5802 persona, supozohet se janë dhunua rreth 60 femra e meshkuj shqiptarë/re në Mitrovicë, në mbarë Kosovën janë dhunuar rreth 20 mijë femra e meshkuj shqiptarë/re.

Në Mitrovicë u dogjën 9540 shtëpi dhe objekte tjera ndihmëse; u dogjën shumë biblioteka personale, ku vlerësohet të ketë pasur rreth 100 mijë tituj librash, dokumente e dorëshkrime të ndryshme; u dëmtuan dhjetëra mijëra hektarë tokë pjellore; u plaçkitën dhe u dogjën rreth 15.000 automjete të ndryshme: vetura, kamionë, makina shirëse, traktorë, motoçikleta, etj.; u vranë e u plaçkitën bagëti mbi 20.000 krerë; u dëmtuan qindra mijëra shpezë shtëpiake: pula, rosa, pata, biba, pëllumba etj.; u dëmtuan institucione të ndryshme, si Qendra e Kulturës, dy ndërtesa të kinemave në vlerë prej mbi 2.000.000 eurosh, u shkatërruan e u dogjën 100 -1.000 hektarë pyje; janë djegur e shkatërruar 8 fabrika industriale, 21 fabrika të përpunimit të drurit në Zhabar të Mitrovicës, ku janë plaçkitur 100-1.000 kub dërrasa e lëndë druri; janë djegur 14 shkolla, 10 prej tyre janë rrafshuar me themel; janë djegur 17 xhamia e objekte tjera fetare; 1 xhami është rrafshuar me themel, e cila ka qenë buzë urës kryesore mbi lumin Ibër; janë shkaktuar dëme në amvisni mbi 30 milionë euro.

Në Mitrovicë dhe rrethinë janë gjetur 14 varreza masive, të cilat janë hapur, prej nga janë zhvarrosur mbi 200 trupa të pajetë, një pjesë e tyre janë identifikuar, përmes ADN-së, rrobave dhe nga familjet. Disa kanë mbetur ende të paidentifikuar.

Dyshohet se janë edhe shumë varreza masive, të cilat nuk janë hulumtuar fare deri më sot, gjoja për shkak të pasigurisë. Varrezat për të cilat dyshohet gjenden në pjesën e okupuar të Mitrovicës.
Është e domosdoshme që kriminelët e këtyre rasteve të hulumtohen e të arrestohen dhe të nxirren para drejtësisë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera