Lajme

I akuzuari për vrasjen e dy policëve kërcënon dëshmitarin: E di ku ndodhet familja jote

Autori: Gazeta inFokus 20:26 | 18 April 2019

“E di ku e ke familjen dhe e di adresën”, ka kërcënuar sot i dënuari për vrasje, Bedri Krasniqi, dëshmitarin e mbrojtur të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Shkumbin Mehmetin, pasi u transportuan drejt Gjykatës në mënyrë skandaloze nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) me të njëjtin automjet.

Shërbimi Korrektues i Kosovës sot e ka ekspozuar para një rreziku të lartë, dëshmitarin e mbrojtur, Shkumbin Mehmeti. Ata e kanë futur Mehmetin në të njëjtin automjet transporti me Bedri Krasniqin, nga Burgu i Sigurisë së Lartë deri në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Insajderi.

Krasniqi, i dënuar për vrasjen e dy policëve të Kosovës: Sabahate Tolaj dhe Jusuf Haklaj më 2003, është i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës edhe për vrasjen e dy policëve të tjerë një vit më vonë.

-Advertisement-

Ai dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e policit të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe policit të Kosovës, Arsim Rrustolli, në Podujevë më 2004.

Për të njëjtin rast, është i dënuar Shkumbin Mehmeti. Ai ishte dënuar me me 27 vjet burgim për implikim në vrasjen e dy policëve në Podujevë, por ende nuk ka dëshmuar në Gjykatë për rastin ku akuzohet edhe Bedri Krasniqi.

E Krasniqi, i cili sot në mënyrë të qëllimshme nga SHKK-ja u fut në të njëjtin automjet transportues me Mehmetin, e kërcënoi dëshmitarin e mbrojtur të Prokurorisë. I tha se e di ku ndodhet familja e tij, e cila është po ashtu në mbrojtje nga shteti.

“E di ku e ke familjen dhe e di adresën”, i ka thënë Krasniqi-Mehmetit, teksa ka shtuar: “Nëse vazhdon të dëshmosh do të kesh pasoja”.

Dëshmitari Mehmeti, në Gjykatë, ka deklaruar se gjithmonë gjatë transportit të tij nga burgu në spital apo në vende të tjera, i është veshur jelek anti-plumb. Ndërkaq, sot kur është futur në mjetin transportues me Bedri Krasniqin, atij nuk i kishin veshur jelek anti-plumb.

Mehmeti është ndjerë i kërcënuar dhe seriozisht i rrezikuar, sepse shteti e ka ekspozuar para një rreziku të lartë.

Ndërkaq, Bedri Krasniqi, i lindur më 10 shtator 1979, nga fshati Turjakë i Komunës së Pejës, është duke vuajtur dënimin me burg për dy vrasje dy pjesëtarëve policorë të Kosovës; Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në vitin 2003. Për këtë vrasje, Krasniqi ishte dënuar me 27 vjet burg.

Krasniqi, po ashtu kishte qenë në krye të grupit që kidnapuan pronarin e fabrikës “Gllareva”, Azem Morinën. Kjo ngjarje ndodhi më 2010 dhe për kidnapim, Krasniqi u dënua me 17 vjet burg.

Bedri Krasniqi po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në së paku edhe dy sulme të tjera të armatosura në Deçan.

Krasniqi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, në dhjetor të vitit 2012. Ai ishte kapur në shtëpinë e tij në fshatin Turjakë të Komunës së Pejës.

Ndërkaq, dëshmitari Shkumbin Mehmeti, në një paraqitje televizive vitin e kaluar, ka dhënë disa dëshmi shokuese lidhur me krimet e pasluftës.

Mehmeti ka pranuar se ishte pjesëtar i një grupi kriminal i cili kishte kryer krime të shumta pasluftës, përfshirë edhe vrasje politike për qëllime të themeluesve të tij. Mehmeti kishte thënë se një grup i rrezikshëm kriminal ishte formuar në fund të vitit 2001 në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera