Fokus

Hysni Gucati nuk i frikësohet Gjykatës Speciale, atë e quan raciste

Autori: Sylejman Sylejmani 12:29 | 14 January 2019

Besimi në Gjykatën Speciale i ka humbur kryetarit të organizatës së veteranëve të luftës, Hysni Gucati.

Ai në një prononcim për Gazetën inFokus ka thënë se presin gjithçka nga kjo gjykatë, pasi sipas tij janë bërë bashkë shqipfolësit me ata që kanë qenë dikur pjesë e shërbimit sekret serb UDB.

“Të bëhemi realist, neve tash na ka humbë besimi. Ne presim tash çdo gjë prej tyre, edhe ftesa të tjera edhe burgosje. Sepse janë bërë shqipfolësit bashkë me UDB-ashat. E kështu që ne do të presim gjithçka prej tyre, kështu që nuk është befasi për ne nëse ata dërgojnë ftesa të tjera”, ka deklaruar ai.

-Advertisement-

Gucati thotë se atë akoma nuk është kontaktuar nga specialja, por pret që kjo të ndodhë shumë shpejt.

“Me mua nuk kanë kontaktuar deri tash. Ne veç e kemi pasur kontaktin e parë me ministrinë e drejtësisë. Na ka interesu rrjedha dhe procedura qysh po shkon, kjo na ka interesu. Kështu që ma andej nuk kemi pasur asgjë. Me siguri ndoshta na thërrasin”, ka thënë ai.

Për të, kjo gjykatë është e papranueshme.

Qëndrimin se Gjykata Speciale është Gjykatë raciste, thotë se nuk e ka ndryshuar.

“Ne gjithmonë kemi thënë se kjo gjykatë është e papranueshme, është një gjykatë raciste, sepse është e njëanshme sepse është vetëm për UÇK-në e jo edhe për ushtrinë serbe, të cilët kanë bërë krime në Kosovë. Shumë mirë dihet që serbët kanë kryer krime në Kosovë. Ne nuk kemi pasur as mundësi t’i kryejmë ato krime. Edhe me pas mundësi me i kry ato krime, shqiptarët nuk do t’i kryenin sepse nuk e kanë në traditë. Këtu po duan ta barazojnë krimin me viktimën”, thekson Gucati.

Megjithatë, të gjithë ata që ftohen nga kjo Gjykatë, ai thotë se për hir të situatës duhet t’i përgjigjen.

Edhe vet do ta bëjë një gjë të tillë.

“Edhe ne jemi ra pak në dilemë. Fakt është që për hirë të vendit dhe për hirë të situatës nëse edhe mua më ftojnë unë do t’i përgjigjem kësaj gjykate. Ne po kërkojmë nga bashkëluftëtarët që të bashkëpunojnë më drejtësinë. Ne e dimë që do të dalim fitimtarë, pasi kemi dalur edhe në katër gjykata të tjera”, ka thënë ai. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera