Fokus

Hysen Durmishi hesht për premtimin e dhënë për heqjen e 30 eurove në regjistrimin e veturave

Autori: H. Smajli 10:23 | 30 July 2021

Janë bërë më shumë se 10 ditë që kur, zëvendësministri në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi kishte deklaruar se qytetarët më nuk do të paguajnë taksën prej 30 euro për regjistrimin e veturave, shtesë kjo e cila u bë në vitin 2019.

Këtë premtim Durmishi e bëri pikërisht në ditën kur edhe u dha njoftimi për tiketën ngjitëse prej 5 eurosh e cila nxiti reagime të mëdha te qytetarët e që pas raportimit të Gazetës inFokus, se ky vendim ishte marrë pa konsultimin me zyrën ligjore, ishte vetë zv. ministri i cili e pezulloi vendimin e tij.

“Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë hiqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotësojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbër me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontrolle teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente”, kishte thënë Durmishi.

-Advertisement-

Gazeta Infokus raportoi po ashtu se Ministria në fjalë nuk ka kompetenca për të realizuar premtimin plus 5 euro dhe minus 30 të tjera.

Kjo sipas, drejtorit të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku. Ai në një intervistë për Gazetën inFokus deklaroi se 30 euroshi të cilin e premtuan që do të hiqet nuk është fare në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës.

“Nuk është kompetencë e Ministrisë, nëse ai ka deklaruar për rritjen prej 30 eurove. Rritja e tarifës që është bërë para tre vitesh në 2019, nuk mundet me e largu Ministria e Infrastrukturës. Kjo sepse ajo fillimisht nuk është tarifë, e dyta për çdo ndryshim të tarifave kompanitë i drejtohen BQK-së dhe këta të fundit e aprovojnë ose jo. Ministria si ministri nuk ka të bëjë me këtë vendim mirëpo ka të bëjë me Byronë dhe me BQK-në, kështu që kur ka thënë se është rritur 30 euro, unë nuk e di për çfarë e ka pas fjalën”, është shprehur Mazreku.

Gazeta inFokus ka më shumë se një javë që po pret të marrë një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës në lidhje me këtë premtim të zv. ministrit, se si do të realizohet dhe se a ka biseduar ministri me institucionet që realisht e kanë në dorë të bëjnë një ndryshim të tillë për heqjen e kësaj takse, mirëpo nga ky institucion nuk është dhënë ndonjë përgjigje.

E madje arsyetimet që janë dhënë janë edhe qesharake. Në numrin i cili  është i publikuar në faqen e Ministrisë për stafin e kabinetit të ministrit kanë thënë se nuk mund të kthejnë përgjigje për shkak se zyrtarja përgjegjëse është në pushim.

“Të më falni por nuk jam zyrtarja që jam këtu në kabinet, ajo është në pushim kështu që nuk e kam këtë informacion gjithsesi të marrë shënime dhe do të ja lë këtu”, ka thënë zyrtarja që është përgjigjur në numrin e telefonit të kabinetit.

Kur redaksia e Gazetës inFokus ka kërkuar për një numër tjetër kontakti dhe dikë që mund të përgjigjet e nuk është në pushim, arsyetimi i zyrtares që është përgjigjur në telefon bëhet edhe më qesharak.

“Jo për momentin nuk është askush këtu pasi po rregullojmë të gjitha zyrat, po lyejmë por a mund të thërrisni nesër në mëngjes”, ka deklaruar ajo.

Arsyetime të tilla nga kjo ministri kanë dhënë plot një javë prej kur janë dërguar pyetjet në emailet e tyre zyrtare përderisa Gazeta inFokus insistonte për të marrë një përgjigje./Gazeta inFokus/ 

Qeveria Kurti s’ka kompetencë për heqjen e tarifës 30 euro për regjistrimin e veturave

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera