Fokus

Hulumtim| Tmerri në Serbi – Si po i vret shteti me koronavirus banorët e Sanxhakut

Autori: Halil Berisha 17:56 | 06 July 2020

Qytetarë me maska mbrojtëse të shtrirë rrugëve të qytetit e nëpër oborr të spitalit dhe dyqane të mbushura me njoftime për vdekje masive tregojnë më së miri për gjendjen dhe tmerrin me të cilin po përballen qytetarët e Sanxhakut në Serbi.

Gjendja që po mbretëron në këtë pjesë, saktësisht në qytetin e Novi Pazarit, veç telasheve që po përballen banorët që shumica dërrmuese i takojnë komunitetit boshnjak e përkatësisë fetare myslimane, tregon edhe dy gjëra tjera, shkruan gazeta Infokus.

-Advertisement-

Virusi “SARS-CoV-2” i njohur ndryshe si COVID-19 është i vërtetë dhe shumë i rrezikshëm dhe se këta qytetarë janë braktisur tërësisht nga shteti serb.

Madje, jo veç të braktisur, këtyre po ju ndalohen edhe ndihmat që po nisen nga shtetet tjera për të hyrë në këtë pjesë, ku po ndodhë tmerri që veç qytetarët e kësaj ane dinë ta tregojnë.

Gazeta Infokus ka realizuar një hulumtim në lidhje me atë se çfarë po ndodhë në këtë anë dhe kësisoj ka biseduar me më shumë se 40 persona që banojnë në këtë qytet.

Jo veç nga rrëfimet e tyre, por edhe dëshmitë me fotografi e video, Gazeta Infokus, ka mësuar se këta qytetarë po lihen të vdesin pa asnjë ndihmë, madje edhe të bllokuar nga shteti serb.

“Beogradi nuk ka leju me ditë të tëra që të vijnë ndihma as nga Bosnja dhe as nga Turqia, kanë qenë ekipet e gatshme me u nisë, por Beogradi sikur Beogradi, nuk i ka leju asnjë ndihmë që të vjen në Novi Pazar”, ka thënë R.K (Emër i njohur për redaksinë).

Kësisoj një qytetar tjetër Semir Bulic, nga gjendja e rëndë në Novi Pazar është detyruar t’i shkruaj letër kancelares gjermane, Angela Merkel, e t’i kërkoj ndihmë.

Këtë letër e ka siguruar Gazeta Infokus.

“Në këtë mënyrë po ju kërkojnë ndihmë, kam shumë shpresë tek ju duke pas parasysh krejt çka keni bërë deri tash për të ardhmen e Evropës e sidomos për njerëzit nga Siria dhe vendet e tjera, ju keni hapur derën për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë, kështu që vendosa t’u shkruaj personalisht. Unë jam Sermi Bulic, vij nga Serbia në qytetin e Sanxhakut në Novi Pazar, jetoj në vendin tuaj për 6 vite, në qytetin Kassel. Qyteti im i dashur i Novi Pazarit, sikur krejt rajoni i Sanxhakut, është përballur me probleme të mëdha të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, sidomos muajin e fundit. Numri i pacientëve është rritur me shpejtësi nga fillimi i qershorit, raste të reja po shtohen me të madhe në baza ditore dhe pacientët në gjendje kritike po dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në qendrat e mëdha mjekësore në Serbi, çdo ditë. Ne dëshirojmë që t’iu informojmë se njëzet mjekë dhe më shumë se dyzet teknik mjekësorë dhe stafi ndihmës u sëmurën vetëm në spitalin e Novi Pazarit. Numri i vdekjeve po rritet gjithashtu dita ditës. E nderuara Nënë e Evropës, duke pas parasysh dëshirën dhe aspiratën tuaj për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë, po ju drejtohem tek ju me kërkesë urgjente për ndihmë në Sanxhak. Është shumë e nevojshme në këtë moment”, thuhet në letrën e dërguar Merkelit nga Buliq.

Pjesa më e madhe e këtyre qytetarëve kanë treguar informacione e kanë dërguar edhe dëshmi, por me kusht që të mbesin anonim.

R.K (Emër i njohur për redaksinë) gjendjen që po mbretëron në Sanxhak e ka konsideruar si gjenocid që po bën Serbia tek këta banorë.

“Në Novi Pazar këtyre ditëve kanë vdekur njerëzit vetëm e vetëm që nuk kanë pasur oksigjen, a mundemi ta paramendoni. Krim i organizuar, gjenocid, siç edhe jemi mësuar me regjimet e Serbisë”, ka thënë ky qytetar për Infokusin.

Ndërsa, ka treguar se për vizitë në këtë vend erdhi ministri serb i Shëndetësisë,  Zlatibor Loncar bashkë me Kryeministren Ana Brnabic, në mënyrë që të fshihet e vërteta.

“Të gjitha, madje edhe afishet e të vdekurve i kanë larguar në ditën e vizitës së ministrit të Shëndetësisë dhe asaj **** Bërnabiqit. Por, fatmirësisht, janë organizuar OJQ-të, gazetarët dhe e kanë publikuar të vërtetën, Al Jazeera Balkans, gjermanët dhe Kosova përmes juve”, ka thënë R.K.

Ndërsa, Senad Konicanin, pronar i një restoranti në Novi Pazar, ka thënë që në këtë qytet, më thuajse nuk ka familje që nuk e ka dikë të infektuar me koronavirus, shkruan gazeta Infokus.

“Unë besoj se nuk ka familje në Novi Pazar që nuk e ka ndonjë anëtar të infektuar ose që nuk kanë simptoma të Coronës. Problemi më i madh është që spitali është plot”, ka thënë Konicanin.

Konicanin shton se gjendja është aq e rëndë, sa detyrohen që dy të infektuar të jenë në një shtrat në mënyrë që të marrin oksigjenin së bashku.

“Njerëzit po duhet të shtrihen edhe korridoreve, të rrinë ulur nëpër karrige, nga 2 pacientë të shtrihen në të njëjtin shtrat në mënyrë që të marrin infuzionet e antibiotikët. Nuk ka sistemi të oksigjenit në spital, kështu që pacientët po detyrohen që atë ta marrin nga bocat aq të vjetra sa nuk dihet cilit shekull i takojnë. Fatmirësisht po duket se mund të përmirësohet situata pasi tash janë lejuar mjek nga Bosnja the Turqia, bile edhe nga krejt Serbia po vijnë”, ka thënë Konicanin.

I njëjti ka thënë që zyrtarët shtetëror serb si Aleksandar Vuçiq, ministri i Shëndetësisë, Lonçar e kryeministrja Brnabic po gënjejnë për numrin e të vdekurve, duke treguar që ky numër është shumëfish më i madh.

“Ne jetojmë këtu, ne po shohim njerëz të vdesin korridoreve, para spitalit, kemi 10 deri në 15 funeralë në ditë e zyrtarët po thonë që 7 ose 8 kanë vdekur nga Korona. Megjithatë, veç nga komunitetet fetare myslimane e ortodokse ka të dhëna se mbi 25 persona janë varrosur me qefinë të mbyllur, dhe këta mbyllen kur janë të vdekur nga COVID-19. Por, ne kemi shokë që po na vdesin, fqinjë e familjarë”, ka thënë Konicanin për Infokus.

E një qytetare tjetër, D.C, ka një dilemë tjetër. Ajo thotë që është e çuditshme se si qytetet afër Novi Pazarit, por që janë të banuara më shumë me serbë, kanë gjendje të mirë.

“Novi Pazar, Sjenica dhe Tutin janë në rrezik. A mundet dikush të shpjegoj pse Rashka është në gjendje aq të mirë? Dhe ajo është veç 20 kilometra larg Novi Pazarit?”.

Por, edhe më të zhgënjyer e mllefosur se me gjendjen janë edhe me tentimin që të fshehët kjo punë dhe gënjeshtrat e shtetit serb, shkruan gazeta Infokus.

“Ne jemi të diskriminuar nga Serbia. Nuk kemi asnjë ndihmë nga ta, Kryeministria Ana Brnabiq erdhi në qytet dhe na tha që jemi duke gënjyer, që krejt gjërat janë në rregull, por videot nga brenda spitalit tregojnë krejt tjetër gjë, njerëzit po vdesin korridoreve. Ishte Senada Jasareviq që i vdiq babai një ditë para se të vije Brnabiq në vizitë e të thotë që gjithçka është në rregull, pastaj erdhi Vuçiq e tha që keni spitale më të mira se në Gjermani, ky ishte kulmi”, ka thënë qytetari E.S për Infokus.

Kësisoj, duke parë këtë gjendje, por edhe atë që po ndalohen ndihmat që të hynë në këtë vend, dy qytetare dolën me një aksion humanitar.

Ato për 24 orë mblodhën vet rreth 40 mijë euro për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.

“Ne nuk kemi gjërat elementare në spital, nuk kemi as oksigjen, dy zonja nga Novi Pazar, Nerma dhe Selma për 24 orë mblodhën 36 mijë euro për të blerë gjëra të nevojshme”, ka thënë E.R.

E një qytetar tjetër, që gjithashtu dëshiroi të mbes anonim, T.D, ka treguar edhe arsyen e cila ka sjellë deri në këtë gjendje Novi Pazarin.

“Në mënyrë që të organizohen zgjedhjet, Qeveria largoi krejt ndalesat, madje edhe ato për tubime të mëdha elektorale gjatë fushatës. Secila prej 3 partive boshnjake organizuan evente masive”.

“Pastaj filloi edhe gjendja të përkeqësohet me të madhe, në një moment 70 punonjës shëndetësorë dolën që janë infektuar dhe me gjendje të rëndë. Pastaj në mënyrë që të vazhdohet me fushatën zgjedhore, qeverisja lokale fshehu gjendjen që mbretëronte nëpër spitale, pavarësisht shumë fotografive e dëshmive që dilnin nga aty”.

“Kësisoj, kur ministri i Shëndetësisë dhe Kryeministrja vendosën të vijnë për vizitë në spital, pastruan çdo gjë aty dhe larguan njerëzit nga spitali, kështu që vendi që ishte plot me të sëmurë mbeti i zbrazët për të pritur këta politikanë”, ka thënë T.R për Infokus.

Por, kjo nuk kreu punën siç menduan. Aty ishin mbledhur banorë që të kërkojnë sqarime dhe vizita e krerëve shtetërorë serb, nuk shkoi ashtu siç kishin planifikuar ata.

Këtu, kur erdhi Kryeministrja Bernabiq në shenjë proteste e mllefi edhe mjekët dolën dhe i kthyen shpinën asaj.

“Në ditën e vizitës ndodhën tri ngjarje të rëndësishme, derisa këta politikanë po flisnin para mediave. 10 mjekë ua kthyen shpinën në shenjë proteste. Një grup prej rreth 100 personave, shumica familjarë të personave që kanë vdekur, u mblodhën aty”.

“Një grua vrapoi për në spital dhe ia tha të gjitha në fytyrë Kryeministres Ana Brnabiq, sepse nëna e saj ndërroi jetë para një dite dhe ishte shumë e mllefosur me situatën dhe atë që po fshehej gjendja e vërtetë, ajo ja tha të gjitha në mënyrën më demokratike dhe me tonin më të mirë të mundshëm, por askush as nuk u mor me të”, i tha T.R Infokusit.

Megjithatë, kjo gjë nuk është që nuk pati efektin e vet, shkruan gazeta Infokus.

“Nga ky moment, ani se ajo nuk mori ndonjë përgjigje, u hoq disi bllokada e mediave dhe fjala u shpërnda, e tash pavarësisht që ende e mohojnë gjendjen që po mbretëron këtu, kanë lejuar ndihmat që të hynë brenda. Para kësaj ngjarjeje refuzonin çdo donacion pavarësisht që banorët kërkonin me sa mundnin ndihmë”.

T.R ka thënë që askush nuk e di numrin e saktë të të vdekurve, por siguron që ai është shumëfish më i madh se sa ai që thotë Serbia.

“Epo askush nuk di numër të saktë, por në konferencë, ministri tha që janë 8 ose 9, por numri në atë kohë ishte shumë më i madh”.

Por, një qytetarë e kësaj ane, i ka thënë Infokusit se shifra e të vdekurve është disa fish më e madhe se sa ajo e raportuar.

“Asnjë nga zyrtarët nuk tregon ndonjë gjë. Të gjithë janë të kërcënuar nga shteti. Të gjithë kanë heshtur. Fillimisht ata gënjyen, por tash kanë heshtur sepse e kanë parë se çfarë kanë bërë. 114 persona kanë vdekur për 10 ditë e raportimet thonë rreth 20”, ka thënë A.M nga Novi Pazar për Infokusin.

“Duhet ta dini, Novi Pazar është vend i vogël, të gjithë e njohin njëri tjetrin. E vërteta nuk mund të fshehët. Ne të gjithë i njihnim ata që kanë vdekur. Prindërit e mi ishin të sëmurë e nuk kishte vend në spital për ta”, ka thënë A.M.

A.M i ka thënë Infokusit se zyrtarët komunal ishin të kërcënuar që të mos reagojnë dhe mos ndalojnë tubimet zgjedhore, shkruan gazeta Infokus.

“Zyrtarët gënjyen që të mbajnë zgjedhjet. Kishte tubime masive me njerëz. Zyrtrarët komunal nuk guxonin t’i kundërshtonin. Ata nuk u lejuan të thonë asgjë, sepse ishin të kërcënuar dhe ne e dimë që ata ishin të kërcënuar”.

“Novi Pazar është qytet multietnik, por më së shumti ka mysliman që jetojnë këtu. Tash askujt nuk i bëhet më vonë se kush apo çka jemi, tash ne e kemi synim veç të kujdesemi për jetën tona dhe të atyre që i duam”.

A.M thotë se nuk e di arsyen pse nuk po iu ofrohet ndihma e pse u lanë në këtë gjendje nga shteti, shkruan gazeta Infokus.

“Në të vërtetë nuk kam ide. Është fjalë e madhe të them që shkaku i përkatësisë etnike ose fetare. Këtu jetojnë edhe serbë”, ka thënë A.M.

Ndërsa, qytetarja tjetër D.O. ka thënë që duke pa gjendjen që është krijuar, pacientëve në spital iu është ndaluar të mbajnë edhe telefona, në mënyrë që të mos dalin faktet jashtë.

“Problemi nuk është veç në nivel spitali. Partia e parë vendos drejtorët, tash Mirsad Djerlek ka zëvendësuar Meho Mahmutoviq. Nuk ka progres. Pacientët nuk po lejohen të mbajnë telefona mobil, kjo që të mos bëjnë xhirime të tmerrit që po ndodhë në spital. Fakt është që njerëzit, të rinj e të vjetër po vdesin me të madhe. Kushdo që e thotë të vërtetën menjëherë konsiderohet armik i Rasim Ljajiq. Ne jemi të frikësuar. Shumë kërkesa janë bërë nga mjek që dëshirojnë të ndihmojnë por janë refuzuar”, ka thënë D.O.

D.O thotë që është e mistershme edhe se ku kanë mbetur punonjësit e spitalit, shkruan gazeta Infokus.

“Ajo çka më së shumti kemi nevojë është ndihma. Fakt është që në spital janë prej 1200 deri 1300 të punësuar. Autoritetet thonë që problem është që nuk kanë staf. Veç 60 nga ta punojnë. Askush nuk e di se çka u bë me ata 1 mijë të tjerët. A janë të sëmurë e janë liruar ose ata ekzistojnë veç në listat e pagave. Ne nuk e dimë. Autoritetet, qeverisja lokale nuk japin asnjë informatë, pavarësisht që kemi kërkuar disa herë”

jo gjithashtu ka shtuar se nuk guxon të flas publikisht me emër e mbiemër, shkruan gazeta Infokus.

“Nuk mund të flas publikisht për ato që i di. Do të ishte me rrezik për mua dhe familjen. Kështu funksionon këtu. Të jam shumë falënderuese që kontaktuat me ne, u gëzova shumë që dikush po kujdeset. Të falënderojmë pa masë për punën që po bën për t’ia treguar të vërtetën që po ndodhë në Novi Pazar botës”, ishin fjalët që kjo qytetare D.O i tha gazetarit të Infokusit duke u lutur që ndihma të shkoj sa më shpejtë atje./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera