Lajme

Hudhet poshtë aktakuza ndaj Agron Mustafës dhe të tjerëve në rastin e “Z-Mobile”

Autori: Gazeta inFokus 16:20 | 18 December 2018

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa  dhe të akuzuarve Ejup Qerimi e Rexhë Gjonbalaj, të cilët akuzoheshin për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, akuzoheshin se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile.

Hudhjen e aktakuzës në këtë rast e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi Lutfi Shala.

-Advertisement-

Ai shkurtimisht ka thënë se arsye për hudhjen e kësaj aktakuze ka qenë raporti juridiko-civil i kontratës në fjalë.

Kurse, mbrojtësi i Agron Mustafës, avokati Artan Qerkini, ka deklaruar se sipas vendimit të gjykatës, prokuroria nuk ka arritur që me asnjë provë të vetme të vërtetojë që qëllimi i të akuzuarve në këtë rast ka qenë ndonjë përfitim për veti apo për operatorin “Z-Mobile”.

“Prokuroria nuk ka arritur që asnjë provë të provojë që qëllimi i tyre ka qenë ndonjë përfitim për veti apo për të dëmtuar operatorin Z-Mobile. Në mungesë të këtyre elementeve nuk mund të bëhet fjalë për veprën penale në fjalë”, tha Qerkini.

Po ashtu, Qerkini tha se gjykata nuk ka gjetur ndonjë dyshim të bazuar se Mustafa dhe të tjerët të kenë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për çka akuzoheshin.

“Për faktin se gjykata nuk ka gjet se ekziston një dyshim i bazuar se Mustafa dhe të tjerët kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, sepse, në rastin konkret tek Agron Mustafa, është vërtetuar se i njëjti ka ardhur në pozitën e drejtorit në kohën kur veç është krijuar marrëveshja domethënë mos marrëveshja mes Postës dhe Z-Mobile dhe thjesht ai nuk ka pasur mundësi të ndikojë në epilogun e kësaj çështje pasi që menjëherë është paraqitur padia në arbitrazh dhe i njëjti nuk ka kurrfarë mekanizmi të detyrojë palën në kontest që të tërheq padinë, dhe thjesht gjykata ka konstatu që kemi të bëjmë me raport civile-juridike. Kjo, sepse nuk ekziston vetëm përgjegjësia penale, si lloj përgjegjësi penale por ekziston edhe përgjegjësia civile, administrative, disiplinore e kështu më radhë”, tha Qerkini.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 7 nëntor të këtij viti, tre të akuzuarit kishin kërkuar që gjykata ta hedhë poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqesore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafes, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera