Lajme

Hua e re për të rritur të hyrat rurale në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 12:49 | 01 May 2017

Një hua e re e Bankës Botërore prej 20.80 milionë eurosh do të ndihmojë në rritjen e të hyrave rurale në Kosovë përmes investimeve në sektorin e bujqësisë së vendit, veçanërisht në hortikulturë dhe blegtori. Huaja është vazhdimësi e investimeve të mëhershme që kanë ndihmuar trajnimin e mbi 2,500 bujqve dhe agro-përpunuesve për përgatitjen e aplikimeve për grante. Më shumë se 700 përfitues kanë marrë grante për të ndërtuar serra, hambarë dhe stalla, për të mbjell vreshta, për të blerë pajisje për fermë dhe për të bërë investime të tjera.

Projekti i Financimit Shtesë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Kosovë do të shtojë aktivitetet ekzistuese si dhe do të financojë aktivitetet e reja për të përmirësuar efektivitetin zhvillimor të projektit. Ai do të kontribuojë në rritjen e: produktivitetit dhe përfitimit të fermave dhe ndërmarrjeve bujqësore; eksporteve bujqësore, veçanërisht të produkteve me vlerë të lartë; punësimit në zonat rurale – si atë afatgjatë ashtu edhe atë stinor; të ardhurave rurale dhe mundësive ekonomike për gratë dhe të rinjtë në sektorin e bujqësisë.

Bujqësia luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Mbi dy të tretat e popullsisë së vendit jetojnë në zonat rurale dhe varen nga ky sektor për të siguruar jetesën. Përkundër përmirësimeve të kohëve të fundit, ky sektor mbetet prapa në plotësimin e potencialit të vet produktiv dhe Kosova ende mbetet shumë e varur nga importet për plotësimin e nevojave të saj për ushqim.

-Advertisement-

“Bujqësia është sektor kritik për ekonominë e Kosovës, me një potencial të madh që të kontribuojë në rritjen e produktivitetit vendor, të konkurrueshmërisë në eksport, në krijimin e vendeve të punës dhe në uljen e varfërisë”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë. “Banka Botërore ka kënaqësinë të vazhdojë të mbështes përpjekjet e Kosovës për krijimin e një sektori bujqësor konkurrues, produktiv dhe të qëndrueshëm”.

Me mbështetjen nga projekti, kompanitë e vogla dhe të mesme përpunuese bëhen fitimprurëse pasi që i rrisin investimet e tyre në teknologji të avancuar, rrisin prodhimin/produktivitetin dhe përmirësojnë cilësinë e produkteve të tyre. Kompanitë më të vogla e zgjerojnë dhe e ngritin infrastrukturën e tyre, bashkë me cilësinë e produkteve të tyre në standardet që nevojiten për prani në tregun konkurrues. Fermat e vogla që dominojnë peizazhin rural gjithnjë e më shumë po integrohen në zinxhirë të vlerës fitimprurëse të blegtorisë dhe hortikulturës. Programi i granteve të këtij projekti po ashtu përmban edhe mekanizma për inkurajimin e grave dhe të rinjve për të marrë pjesë dhe për të përfituar nga projekti.

Kjo hua është kredi nga Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) i grupit të Bankës Botërore, që është fond për vendet me nevojat më të mëdha zhvillimore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionale me shkallë të interesit zero ose shumë të ulët dhe me periudha të gjata të kthimit. Huaja ka periudhë maturiteti prej 25 vitesh, përfshirë grejs periudhë 5 vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera