Lajme

HRW: Gjykata e Hagës nxjerr në pah nevojën për drejtësi 24 vjet pas luftës në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 11:15 | 31 March 2023

Gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre të tjerëve me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, nxjerr në pah nevojën e vazhdueshme për drejtësi 24 vjet pas luftës në Kosovë, tha sot Human Rights Watch.

Gjyqi, i cili zhvillohet para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, fillon më 3 prill 2023.

Thaçi, ish-presidenti dhe kryeministri i Kosovës, akuzohet së bashku me tre pjesëtarë të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të gjithë politikanë të nivelit të lartë në Kosovë, për krime gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës në vitet 1998-99, përfshirë Shqipërinë veriore.

-Advertisement-

UÇK-ja luftoi forcat serbe dhe jugosllave derisa një fushatë ajrore 78-ditore e NATO-s i detyroi ato forca të largoheshin nga Kosova. Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit pasi akuzat u ngritën në nëntor 2020 dhe u transferua menjëherë në Hagë.

“Ky gjyq është ndaj katër personave të akuzuar për kryerjen e krimeve të tmerrshme gjatë dhe pas luftës, kur luftimet ishin ndalur, duke përfshirë kundër njerëzve nga grupe të ndryshme etnike”, tha Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Human Rights Watch”, raporton Klankosova.tv.

Gjyqi i Hagës, sipas HRW, “ofron një shans pas kaq shumë vitesh për viktimat që të mësojnë se çfarë ndodhi dhe nxjerr në pah pandëshkueshmërinë e përhapur që ende qëndron mbi konfliktin e Kosovës, dhe më gjerësisht mbi luftërat në ish-Jugosllavi”.

HRW në këtë komunikatë flet për luftën e Kosovës e cila thotë se u shënua nga një sërë krimesh lufte, shumica dërrmuese nga forcat serbe dhe jugosllave, duke përfshirë vrasjet, përdhunimet, torturat, zhvendosjet e detyruara dhe transferimin e organizuar të më shumë se 1000 trupave në Serbi, ku u hodhën në varre masive. Qeveria serbe, thotë HRW, ka refuzuar vazhdimisht të zbulojë vendndodhjet e të gjitha vendeve të varrimit.

“Vetëm një numër i vogël i udhëheqësve ushtarakë dhe politikë serbë janë përballur me gjyq për krime lufte në luftën e Kosovës, përfshirë ish-presidentin serb dhe jugosllav Sllobodan Millosheviq”, thekson HRW në këtë komunikatë.

Katër të pandehurit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u arrestuan dhe u transferuan në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.

“Mbrojtja e dëshmitarëve është veçanërisht e rëndësishme për këtë gjyq duke pasur parasysh sfidat me frikësimin e dëshmitarëve në rastet e tjera kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së”, tha “Human Rights Watch”.

Përveç Thaçit dhe tre të pandehurve të tjerë, HRW thotë se gjykata ka raste edhe ndaj dy ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Salih Mustafa dhe Pjetër Shalës, si dhe dy anëtarëve të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët janë gjykuar dhe dënuar për nxjerrjen e emrave të dëshmitarëve në raste të tjera. Mustafa u shpall fajtor në dhjetor 2022 për krime lufte kundër të burgosurve shqiptarë të Kosovës dhe u dënua me 26 vjet burg; çështja e tij është në apel. Gjyqi i Shalës filloi në shkurt.

Më shumë se 1600 persona mbeten të zhdukur nga lufta e Kosovës, sipas Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Më shumë se 400 nga këto raste kanë të bëjnë me zhdukjet pas përfundimit të luftës në qershor 1999 dhe pasi forcat e NATO-s kishin hyrë në Kosovë, rreth 100 prej tyre shqiptarë etnikë dhe të tjerët kryesisht romë dhe serbë.

HRW kujton se më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia ranë dakord të zbatojnë një marrëveshje të mbështetur nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, e cila përfshin një zotim për të punuar së bashku për fatin e personave të zhdukur.

Më tej, “Human Rights Watch” thotë se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) nuk mbuloi shumë nga krimet për të cilat akuzohen tani para Dhomave të Specializuara të Kosovës, sepse ato ndodhën pas përfundimit të armiqësive më 12 qershor 1999. Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ekzistonte ende kur pretendohet të kenë ndodhur krime.

ICTY ndoqi penalisht Sllobodan Millosheviqin dhe gjashtë zyrtarë të tij të lartë për krime të rënda të kryera në Kosovë, duke dënuar pesë dhe liruar njërin. Millosheviqi vdiq gjatë gjyqit të tij përpara se të jepej një vendim.

ICTY gjykoi gjithashtu gjashtë shqiptarë etnikë për krime lufte në Kosovë, me dy të dënuar dhe katër të liruar.

Qeveria serbe i ka pritur si heronj tre serbët e dënuar nga ICTY për krime lufte në Kosovë, të cilët u liruan pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit. Një tjetër nga të dënuarit, ish-shefi i policisë serbe Vllastimir Gjorgjeviq, po vuan një dënim me 18 vjet burg në Gjermani pasi u dënua, mes krimeve të tjera, për drejtimin e “trajtimit sekret, transportit dhe rivarrimit të trupave”. Kërkesat e tij për lirim të parakohshëm janë refuzuar.

Në Serbi, një gjykatë për krimet e luftës ka gjykuar 60 persona për krime në Kosovë, duke dënuar 23 prej tyre. Por qeveria serbe nuk ka treguar vullnet politik për të ndjekur penalisht askënd mbi forcat e nivelit të ulët, dhe disa nga këto raste janë zvarritur me vite.

“Gjyqi i Thaçit mund të ndihmojë në vendosjen e Kosovës në një rrugë më të qartë drejt drejtësisë dhe sundimit të ligjit pas një historie shtypjeje”, tha Williamson. “Dhe e vë në qendër të vëmendjes qeverinë serbe që të mbajë forcat e veta para përgjegjësisë pas vitesh mbrojtjeje të atyre që janë përgjegjës për krime të rënda”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera