Lajme

Hoxhaj: Dialogu, kyç për njohjen e pesëshes së BE-së

Autori: Gazeta inFokus 13:19 | 03 July 2018

Dialogu me Serbinë dhe marrëveshja finale është kyç për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, derisa ka folur në tryezën me temën ”Cila duhet të jetë qasja e Kosovës ndaj pesëshes mos njohëse të BE-së”, organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Ai tha se institucionet e Kosovës duhet ta bëjnë të kundërtën e asaj që mendon Serbia që Kosova të mos ketë politikë të jashtme. Megjithatë, ka pranuar se procesi i dialogut rreth ndryshimit të qëndrimit të këtyre vendeve është kyç.

-Advertisement-

Këtë ai e ka shpjeguar edhe me rastin e Greqisë, e cila në vitin 2013 ka qenë shumë afër njohjes së Kosovës, pikërisht pas arritjes së marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Nëse ka një situatë e cila është një mundësi, një dritare e re e mundësisë për një kthesë të re në raport edhe me këto vende që nuk kanë njohur Kosovën, anëtarësimi i Kosovës në OKB, pa dyshim që unë e shoh dialogun. Gati mos njohja nga këto pesë vende është, ose ka qenë më e rëndësishme në vitin 2008, 2009, 2010, se sa është në vitin 2018”, tha Hoxhaj.

Ish-kryediplomati kosovar ka theksuar se pasojat në nivel evropian nga mos njohja e pesë vendeve, kanë qenë të shumta dhe janë të shumta edhe sot. Derisa, ka folur për qasjen e BE-së ndaj Kosovës, Hoxhaj ka thënë se ky institucion ka tri qasje politike në raport me Kosovën.

 

“BE-ja dhe shtetet anëtare e njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, këtu mendoj Parlamentin Evropian, por edhe gjitha shtetet anëtare, por edhe sjelljen mandej de facto dhe de jure të BE-së në raport me Kosovën. Qasja e dytë është një lloj qasje e ambiguitetit, një lloj sjellje dykuptimshme, paradite një qëndrim tjetër, pasdite një qëndrim tjetër. Dhe, qasja e tretë ka qenë qasja e neutralitetit, do të thotë kjo ka qenë pasoja e parë konkrete, reale për Kosovën, e cila ka ardhur si rezultat i mos njohjes së pesë vendeve të shteteve anëtare të BE-së”, u shpreh ai.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka shtuar se BE-ja duhet të flasë me një zë në lidhje me Kosovën, në mënyrë që e njëjta të garantojë zgjerim të besueshëm dhe të drejtë të saj në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka përmendur Singaporin, në të cilin i ishte thënë se nëse vetëm një shtet jo njohës i BVE-së e njeh Kosovën atëherë ata e njohin qysh të nesërmen Kosovën. Ani pse me vonë ky shtet ka njohur Kosovën, derisa këto pesë vende ende jo.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka kritikuar institucionet e vendit për qasjen ndaj pesë vendeve mos njohëse të BE-së. Ai ka përmendur mos hapjen e Zyrës ndërlidhëse në Athinë të Greqisë tash e dhjetë vite. Derisa, thotë se ekzistojnë disa shtet që nuk e dinë pse duhet njohur Kosovën, e disa tjera për shkak të ndikimit të madh rus.

 

“Në këto dhjetë vjet nuk kemi arritur që të shkojmë te të gjitha, sepse këtu në Kosovë ka qenë një garë për marrje të meritave për njohje apo për komunikim. Tash ta bëjë një digresion, Greqia në vitin 2008 thotë ne nuk mund ta njohim Kosovën por nuk do ta pengojmë Kosovën dhe menjëherë e thërrasin Kosovën ta hapin zyrën ndërlidhëse në Athinë. Dhjetë vite më vonë ajo zyre ende nuk është hapur. Në vitin 2008 nuk u merreshin vesh kënd ta dërgojnë atje, do të thotë është vendimmarrja kosovare është primitive, politika e Kosovës është primitive, sepse nuk është me rëndësi avancimi i shtetit por i personit, e derisa është kështu kurrë s’do të përparojmë”, u shpreh Deda.

Duke folur për dialogun në Bruksel dhe ndikimin e tij në njohjen e Kosovës nga pesëshja e BE-së, Deda tha se kjo nuk e garanton asnjëherë njohjen, sidomos të Spanjës. Ndërsa, e ka quajtur të palogjikshëm marrëveshjen juridikisht të obligueshme me Serbinë nëse synimi nuk është anëtarësimi në OKB, BE e NATO.

 

“Dialogu me Serbinë apo marrëveshja juridike e obligueshme, ka kuptim vetëm me garancat për anëtarësim në OKB dhe me ruajtje të funksionalitetit të brendshëm. Nëse ka marrëveshje nuk ka njohje as të Spanjës, rrjedhimisht nuk je as në BE, as nuk je në NATO, as në OSBE dhe as nuk anëtarësohesh në OKB, çka është kjo, a është kjo “sui generis”, a do të vijë dikush të na thotë dikush se ju jeni rast “sui generis”, por ne nuk flasim sinqerisht mes vete këtu në Prishtinë”, tha Deda.

Sipas tij, pas vendimit të GJND-së, shtetet jo njohëse nuk kanë pasur më argumente që të mos e njohin Kosovën.

Deda ka pasur kritika të ashpra edhe ndaj Kryesisë së Kuvendit duke thënë se nuk po aprovon vizitat zyrtare në shtetet e BE-së, pa pasur ftesa, ani pse kërkesa e tyre është që ta kryejnë rolin e tyre në lobimin për ndryshimin e qëndrimit të këtyre shteteve në raport me Kosovën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera