Sport

Hoxha flet për rikthimin në fushat e blerta dhe zbulon përse nuk u transferua te Alanyaspor

Autori: Gazeta inFokus 22:03 | 15 October 2020

Rikthimi në fushat e blerta pritet të ndodh më shpejtë se që ishte pritur. Krejt kjo falë progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë futbollisti Arbër Hoxha, i cili nuk është ndalur së punuari asnjëherë, teksa ëndrra për t’u transferuar në Evropë mbetet një ‘mision’ për t’u ndjekur nga ish-reprezentuesi i Kosovës U21.

Përveç fazës rehabilituese dhe rikthimit në stërvitje me skuadrën e Ballkanit, 22 vjeçari ka folur për herë të parë ekskluzivisht për Gazetën “Sheshi” në lidhje me ofertën e skuadrës turke Alanyaspor, e cila asnjëherë nuk u konkretizua.

Hoxha ishte lënduar gjatë një seance stërvitore në edicionin e kaluar te Ballkani më 21 qershor, teksa ishte detyruar të operohej.

-Advertisement-

“Faza e rikuperimit më ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Të them të drejtën as që e kisha menduar që për një kohë kaq të shkurtër të vij deri në këtë pikë në të cilën ndodhemi tani. E gjitha kjo falë punës së jashtëzakonshme të fizioterapeutit Ervin Meqikukiq, të cilin dua ta falënderoj jashtë mase për kujdesin në periudhën më të vështirë të karrierës time”, e ka nisur fillimisht Hoxha rrëfimin.

Prej ditësh Hoxha ka filluar të punojë së bashku me skuadrën e Ballkanit, teksa ka folur edhe për rikthimin në ndeshjet zyrtare.

“Kam filluar me disa stërvitje të lehta me skuadrën dhe kam filluar gjithashtu edhe ta ndjej topin pa ndonjë problem të madh”.

“Kohën nuk mund ta them qysh tani, por jam i sigurt që do të rikthehem shpejtë në fushat e blerta dhe do të rikthehem më i fortë se që isha. Ky është një mesazh për gjithë ata që më kanë përkrahur dhe më kanë mbështetur në momentet më të vështira të karrierës time”, potencoi Hoxha.

Ai ka folur gjithashtu për skuadrën e tij Ballkanin, teksa e sheh si një pretendent kryesor për të arritur objektivat, pasi që ka një skuadër cilësore dhe tejet kualitative.

“Ballkanin këtë edicion e shoh shumë të fuqishëm duke patur parasysh edhe përforcimet tejet cilësore që kanë ardhur dhe konkurrenca në ekip është shtuar. Ky është një fakt shumë i mirë dhe besoj që këtë edicioni do të jemi të fuqishëm dhe ambiciet nuk diskutohen asnjëherë, pasi që kemi kualitet dhe ekip për t’i arritur ato”, deklaroi 22 vjeçari.

Megjithatë, futbollisti pejan nuk është i bindur nëse do të qëndrojë te Ballkani deri në fund të këtij edicioni. Ai ka shtuar se mbetet i përkushtuar për t’u rikthyer sa më parë në fushat e blerta, derisa për të ardhmen do të vendos më vonë.

“Nuk e di nëse do të qëndroj te Ballkani deri në fund të edicionit. Të ardhmes nuk i dihet, mirëpo për momentin jam i fokusur në punë dhe të rikthehem sa më shpejtë në fushat e blerta”, theksoi Hoxha.

Ç’është e vërteta në verën e këtij viti ai ishte me një këmbë drejt kampionatit turk, pasi që skuadra e Alanyaspor bëri ofertë zyrtare në drejtim të Ballkanit, mirëpo gjërat ndryshuan në momentin e fundit dhe transferimi nuk u realizuar.

“Është e vërtetë që ka patur ofertë zyrtare nga Alanyaspor në drejtim të klubit, mirëpo të ju them të drejtën nuk e di se përse ka dështuar transferimi. Gjithsesi ambicjet dhe dëshira ekzistojnë ende që të transferohem në ndonjë kampionat më të fortë“, përfundoi Hoxha.

Në edicionin e kaluar Hoxha regjistroi 24 paraqitje për Ballkanin dhe ishte njëri ndër futbollistët kryesor të skuadrës.

Ai realizoi gjashtë gola dhe asistoi katër herë për bashkëlojtarët e tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera