Hovenier: ShBA nuk mbështet diçka që veç edhe një grimcë mund t’i ngjajë Republikës Srpska

Autori: Gazeta inFokus
21:14 | 01 March 2023
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendi i tij nuk do ta mbështesë një Asociacion që mund t’i ngjajë Repulikës Srpska
“Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin dhe nuk do të mbështesin diçka që edhe veç një grimcë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”.
Kjo është deklarata e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kur pyetet se cili është qëndrimi i ShBA-së për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për Debat Plus, Hovenier ka deklaruar se ShBA nuk i ka kërkuar asnjëherë Kosovës që të themelojë diçka që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
“Por, dua të jem shumë i qartë dhe e kam thënë këtë shumë herë tashmë, dhe me siguri do ta them prapë: Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që shkel Kushtetutën e saj; Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; Shtetet e Bashkuara nuk mbështet dhe nuk do të mbështetë diçka që edhe veç një grimcë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”, ka deklaruar ai.
Hovenier u shpreh se ShBA është duke kërkuar një lloj Asociacioni, i cili bën vetëm renditjen në mënyrë më të mirë të funksioneve qeverisëse komunale, që tashmë, sipas tij, rregullohen edhe përmes ligjeve të Kushtetutës.
“Po kërkojmë një Asociacion të komunave me shumicë serbe që i bashkërendit më mirë funksionet që këto qeverisje komunale tashmë i kanë sipas Kushtetutës së Kosovës, në fushat si kujdesi shëndetësor, arsimi, rregullimi urban, planifikimi, që ua mundëson atyre që në mënyrë më efikase t’i përdorin, t’i përmbushin ato përgjegjësi, në një mënyrë që është domethënëse për komunitetin etnik serb”, ka thënë ai.
“Siç e kam thënë, pritjet tona janë që të ketë përparim dhe do ta citoj sërish deklaratën e Departamentit të Shtetit “duhet të ketë përparim në krijimin e tij në këtë proces”. Në afat të gjatë, presim që të ketë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe. Gjithashtu, siç e thashë, presim që ajo të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që të mos jetë shtresë e tretë të pushtetit, assesi të mos jetë përsëritje e Republikës Serbe, por të jetë diçka që ua mundëson këtyre komunave të bashkërenditin çështjet e tyre se si i përmbushin funksionet e tyre komunale dhe që të bëjnë atë në mënyrë më efikase”, ka vijuar ai.
Tutje, Hovenier ka thënë se nuk pret që çështja e Asociacionit të jetë e para që përfundon, por as edhe e fundit.
“Ambasadori Hovenier: E dini, dua të theksoj këtu se edhe pse Shtetet e Bashkuara fuqimisht e mbështetin dialogun, ky është dialog i lehtësuar nga BE-ja dhe BE-ja ka emëruar një përfaqësues të posaçëm, Miroslav Lajçak, si personin kryesor për lehtësimin e dialogut. Prandaj, është z. Lajçak ai që duhet të mendojë – së bashku me palët – rreth renditjes së pjesëve të ndryshme brenda dialogut. Nuk ma merr mendja që Asociacioni do të jetë gjëja e parë që kryhet; gjithashtu nuk ma merr mendja që Asociacioni do të jetë gjëja e fundit që kryhet. Por, mendoj se përderisa ky proces ec përpara, edhe ne presim të shohim përparim drejt zbatimit të Asociacionit”, ka thënë ai.
Një gjë mbetet e qartë, sipas tij, se qëndrimi i ShBA-së, lidhur me Asociacionin, nuk ka ndryshuar dhe as nuk pritet të ndryshojë. Themelimi i Asociacionit, sipas tij, është zotim i Qeverisë së Kosovës, përmes marrëveshjes së Brukselit./RTV Dukagjini/

Të tjera
-
Ndërrojnë jetë dy figura të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Kosova ka humbur sot dy personalitete të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të K...
-
Ndryshimi i motit, komuna me paralajmërim për qytetarët
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka njoftuar qytetarët se pas...
-
Trump i vendos tarifa Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës
Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi tarifa prej 35 përqind pë...
-
Fermerët ankohen për çmim të ulët të grurit: 1 kg grurë 17 centë, 1 bukë 60 centë!
Fermeri Valon Vehapi nga Komuna e Lipjanit i cili ka të mbjella 120 hektarë m...
-
Arrestohet një person për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”
Policia në Ferizaj gjatë ditës së djeshme rreth orës 02:00 pas mesnate ka arr...
-
Mbi gjysmë milioni euro për një Kuvend që nuk e ka nisur punën
Pa kryer asnjë punë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe asistent...
-
Havolli akuzon Muratin për bllokim të projektit të unazës së jashtme të Prishtinës
Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, i ka reagu...
-
Kush është Prek Kodra që kërkohet nga SPAK, dikur ishte akuzuar se kishte planifikuar të vriste Albin Kurtin
Lene Prroni është e moshuara që dyshohet se është përdorur nga i kërkuari i d...
-
Shehu njofton asfaltimin e një segmenti të rëndësishëm në Junik, thumbon “kryetarët e statuseve”
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar fillimin e asfaltimit të rrugës...
-
“Paska rrejtë”, Murati i reagon Ramës pasi akuzoi Qeverinë në detyrë për bllokim të buxhetit të Prishtinës
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka r...
-
Situata me zjarret merr përmasa serioze në Kosovë, sot u regjistruan 66 raste
Agjencia për Menaxhimin Emergjent (AME) ka njoftuar se situata me zjarret ka ...
-
Abdixhiku: Imri Ahmeti plus 4, sonte zyrtarizuam kandidaturën e njeriut më meritor për transformimin e Lipjanit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur përkrahjen për Imri Ahmetin s...