Lajme

Hovenier për propozimin e Ramës për Asociacionin: Propozim serioz dhe i menduar mirë

Autori: Gazeta inFokus 21:59 | 29 June 2023

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se propozimi i Edi Ramës për draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është serioz dhe i menduar mirë.

Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë nga Kosova që ta formojë një Asociacion i cili bie ndesh me Kushtetutën e saj.

“Po, gjëja e parë që do ta thosha është se kam pasur mundësi ta lexoj, por jo në detaje, propozimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që Rama e ka prezantuar, është serioz, është i menduar mirë, por ka shumë ide dhe shumë mënyra se si mund të bëhet. Është një propozim i bërë nga Friedrich Ebert Foundation, që ishte gjithashtu serioz dhe i realizuar me kujdes. Pra ajo që do të thosha është se nuk kemi mungesë të ideve të mira se si mund të bëhet kjo”, ka thënë ai në Klan Kosova.

-Advertisement-

Tutje, Hovenier duke iu referuar asaj që ka thënë Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se është e qartë që Asociacioni nuk do të ketë autoritet ekzekutiv.

“Dhe më lejoni ta përsëris atë që e kam thënë disa herë, ShBA-ja nuk i kërkon Kosovës që të bëjë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe që e shkel kushtetutën e saj aktuale, që nuk është në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo që shkon përtej asaj që ne u munduam ta shtrojmë në një editorial të botuar nga Ndihmës-sekretari Escobar dhe nga Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, që e bënë shumë të qartë se nuk do të ketë autoritet ekzekutiv, jo nivel të tretë të qeverisjes, jo model si të Republikës Serbe, ne nuk do ta përkrahim këtë. Ka mënyra për ta bërë këtë, që u përgjigjen shqetësimeve të komunitetit dhe natyrisht i mirëpresim idetë e njerëzve të tjerë se si të bëhet kjo”, ka theksuar Hovenier.

Më tej, ai ka thënë se në fund të ditës, Qeveria e Kosovës duhet të prezantojë ide të reja, duhet të punojë me Miroslav Lajçakun dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ecur përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij, edhe Serbia ka përgjegjësi, të cilat duhet t’i realizojë për ta zbatuar marrëveshjen e Ohrit.

“Në pyetjen që ngritët lidhur me hapat e ardhshëm për dialogun, ne nuk do të shprehim opinion mbi hapat më të mirë, në hapat e ardhshëm dhe mënyrën më të mirë për ta bërë, qoftë që të mbyllen njerëzit në një dhomë deri sa ta arrijnë një marrëveshje, qoftë negocim në mënyra të ndryshme. Ky është një proces i lehtësuar nga BE-ja dhe BE-ja e ka emëruar dikë, në të cilin kemi besim, Miroslav Lajçak, që të jetë përfaqësues special dhe përfaqësuesi i lartë, Borell, i cili aktualisht është duke luajtur rol të rëndësishëm në tërë këtë. Ata do ta përcaktojnë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Ne do t’i mbështesim ata hapa të ardhshëm”, ka thënë ambasadori.

I pyetur rreth asaj nëse e sheh të mjaftueshëm përfshirjen e presidentes Vjosa Osmani, ai ka thënë se ajo me vendosmëri e ka mbrojtur sovranitetin dhe të drejtat e Kosovës si dhe ka folur mbi rëndësinë e koordinimit të plotë me komunitetin ndërkombëtar.

“Nuk jam i sigurt a është me vend që unë ta vlerësoj performancën e presidentes së një shteti sovran. Do të them se i kam parë deklaratat publike të presidentes Osmani dhe kemi pasur biseda private, në të cilat ajo me vendosmëri i ka mbrojtur sovranitetin dhe të drejtat e Kosovës dhe ka folur mbi rëndësinë e koordinimit të plotë me komunitetin ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë veprime në përgjigje dhe në bashkëpunim me miqtë dhe partnerët e saj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera