Lajme

Hovenier: Duhet punë sistemore për të luftuar dhunën në familje

Autori: Gazeta inFokus 13:40 | 18 May 2022

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se institucionet në Kosovë duhet të bëjnë më shumë për të siguruar parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje brenda vendit.

“Testi i çdo demokracie është mënyra se si trajtohen njerëzit më të pambrojtur”, tha ambasadori gjatë një diskutimi të organizuar nga Lëvizja FOL, ku u prezantua raporti statistikor në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Hovenier përmendi rastin e vrasjes së 18-vjeçares, Marigona Osmani, në gusht të vitit 2021 në Ferizaj. Për këtë rast ende nuk është marrë ndonjë vendim i gjykatës për të dyshuarit e arrestuar.

-Advertisement-

“Qytetarët meritojnë më mirë. Institucionet duhet të sigurohen që nuk dështojnë për qytetarët e tjerë, sidomos ata të pambrojtur”, tha Hovenier.

Raporti i publikuar nga Lëvizja FOL për vitin 2021 ka treguar se në shtatë prokuroritë në Kosovë është arritur të zgjidhen 63 për qind e të gjitha lëndëve, sa i përket rasteve të dhunës në familje.

Në anën tjetër, shtatë gjykatat themelore të Kosovës gjatë vitit 2021 kanë arritur të zgjidhin 895 lëndë, apo 68 për qind të të gjitha lëndëve të dhunës në familje që i kanë pasur në punë.

Ndonëse, shifrat tregojnë se më shumë se gjysma e lëndëve janë zgjidhur, sipas drejtoreshës së Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, kjo nuk është e mjaftueshme.

“Ky fakt nuk është i mjaftueshëm për të treguar vendosmërinë dhe seriozitetin e organeve të sistemit të drejtësisë ndaj këtij fenomeni kaq të përhapur në shoqërinë tonë”, tha ajo.

Në këtë organizim foli edhe Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu. Ajo përmendi si të arritur të Qeverisë miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.

“Është përgjegjësi institucionale që t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë vajzat dhe gratë në vendin tonë”, tha Haxhiu.

Sipas saj, duhet bërë më shumë në vetëdijësimin e shoqërisë se dhuna në familje nuk “është çështje private”, por duhet të trajtohet te organet e rendit.

Dhuna në familje u përkeqësua gjatë pandemisë

Raporti i organizatës FOL, por edhe raporte të tjera të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë ndër vite e kanë përshkruar dhunën në familje si fenomen shqetësues dhe që raportohen pak.

“Shumë gra dhunën në familje në Kosovë ende e konsiderojnë si një çështje private, prandaj dhuna me bazë gjinore shpesh kalon pa u vërejtur dhe nuk raportohet fare”, thuhet në raportin e Lëvizjes FOL.

Megjithatë, të paktën sipas statistikave, dhuna ndaj grave shënoi rritje gjatë vitit të parë dhe të dytë pas përhapjes së pandemisë së COVID-19 në Kosovë.

Sipas raportit të Lëvizjes FOL, Policia e Kosovës gjatë muajit mars 2020 ka pranuar raportime për 169 raste të dhunës në familje, përkatësisht 36 për qind më shumë se në muajin mars të një viti më parë, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 janë raportuar 1,374 raste.

Këto gjetje u panë si shqetësuese edhe nga ambasadori amerikan, Hovenier dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sipas të cilëve, i gjithë zinxhiri i institucioneve duhet të kenë parasysh faktin se Kosova ka adaptuar Konventën e Stambollit në Kushtetutë në vitin 2020.

Konventa e Stambollit, e hartuar nga Këshilli i Evropës, është instrument obligues që i detyron shtetet ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe dhunën në familje./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera