Lajme

Hoti zotohet për luftimin e krimit dhe çrrënjosjen e korrupsionit

Autori: Gazeta inFokus 18:29 | 03 June 2017

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Kishnicës, ka premtuar barazi për të gjithë qytetarët e Kosovës, luftimin e krimit dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

“Nuk mund të tolerojmë që e ardhmja jonë të rrezikohet nga krimi dhe korrupsioni. Krimi dhe korrupsioni nuk është luftuar asnjëherë më shumë sesa nga qeveria e kaluar. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Gjatë mandatit katërvjeçar ne do ta çrrënjosim korrupsionin dhe paprekshmërinë e individëve para ligjit”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se, Kosova jonë dhe e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të ndërtohet nga ata që janë mbi ligjin dhe nga ata që kanë probleme me biografinë e tyre. “E ardhmja e Kosovës ndërtohet nga koalicioni ynë i djathtë me duar të pastra. Ne do ta marrim besimin e qytetarëve për ta pastruar atdheun tonë nga krimi dhe korrupsioni”, ka thënë Hoti.

-Advertisement-

Ai ju ka premtuar banorëve të Kishnicës se do të kujdeset maksimalisht për mjedisin gjatë zbatimit të projekteve për aktivizimin e minierave.

Kryetari i LDK-së dhe kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria Hoti do t’ju shërbejë me nder dhe do t’i trajtojë me dinjitet të gjithë qytetarët pa dallim.

“Koalicioni i fitores së madhe të 11 qershorit është alternativa e vetme që ka dëshmuar dhe që garanton ç’kapjen e shtetit. Përmes luftës pa kompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe nëpërmes vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se koalicioni i fitores që kemi ndërtuar ne, i ka frikësuar oponentët politikë.

“Përshëndetje për të gjithë ju që jeni në shtëpinë e madhe të koalicionit tonë. Ne, AKR-ja, kemi vendosur të mbështesim profesorin e nderuar Avdullah Hoti për kryeministër të Kosovës. Do ta mbështesim me të gjitha mundësitë tona, sepse Kosova e meriton një kryeministër të tillë. 11 qershori do të jetë ditë madhështore, duhet të dalim të gjithë, të votojmë dhe ta kthejmë Kosovën në një shtet madhështor”, ka thënë Pacolli.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera