Lajme

Hoti: Veteranët u mashtruan vite me radhë, ne filluam ndarjen e pensioneve për ata!

Autori: Gazeta inFokus 16:20 | 04 June 2017

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të dielën në Junik, se qeveria e kaluar ka filluar që t’ua ndajë pensionet veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pasi që ata ishin mashtruar për vite me radhë nga qeveritë e kaluara.

“Luftën e shenjtë për çlirim, ne nuk kemi tentuar ta përvetësojmë kurrë. Mes nesh ka luftëtarë të shquar, që ju i njihni mirë, për mbrojtjen që ia kanë bërë Kosovës në betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare. Por, këta nuk kanë rrahur gjoks as atëherë kur është dashur të luftohet për çlirim, e as tash kur duhet të luftohet për përparimin e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se, ne jemi ata që, pas 17 vjetësh, me mençuri, urtësi dhe vendosmëri, gjetëm zgjidhjen për kategoritë e dala nga lufta.

-Advertisement-

“Qeveria jonë e ardhshme do të sigurojë trajtim edhe më të dinjitetshëm për secilin që ka kontribuar për Kosovën tonë. Ne do ta çojmë në vend amanetin e dëshmorëve për një Kosovë të lirë e demokratike. Për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht. Për një Kosovë që trajtohet me respekt prej fqinjëve. Për një Kosovë që e admirojnë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se asnjë pëllëmbë e tokës së Kosovës nuk do t’i falet askujt. “Garant për këtë jemi ne. Ne nuk shantazhohemi. Ne nuk mund të na kërcënojë e as të na frikësojë askush, me asgjë.

Sepse ne i kemi duart e pastra. Vetëm ne i kemi duart e pastra. Kur me votën tuaj më 11 qershor t’i fitojmë zgjedhjet, ne do ta adresojmë me prioritet çështjen e kufirit me fqinjin tonë. Me mençuri e me vendosmëri do ta zgjidhim këtë çështje. Pa humbur asnjë pëllëmbë të tokës sonë. Askush tjetër, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë”, ka potencuar Hoti.

Ai ka thënë se oponentët tanë politikë kanë keqpërdorur demarkacionin për interesa politike dhe për interesa të tyre personale. 

“Ne kemi plan konkret dhe kemi mbështetjen e miqve tanë për ta zgjidhur këtë çështje. Unë besoj fuqishëm se ky plan do të qartësojë gjithçka dhe do të hapë rrugën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Kryetari i LDK-së dhe kryeministri, Isa Mustafa, ka thënë se gjeneratat e vjetra na kanë edukuar që mos ta lavdërojmë veten, por të na lavdërojnë të tjerët. “Kandidati ynë për kryeministër nuk po lavdërohet, por vërtet meriton lavd. Është personalitet që meriton ta drejtojë Qeverinë e Kosovës, që ne duhet t’i besojmë. Gjithë punën e tij, në arsim, shkencë, komunë e Qeveri e ka bërë me shumë përkushtim dhe përgjegjësi”, ka thënë Mustafa.

“Unë kërkoj nga ju të punoni maksimalisht në terren, të bindni çdo qytetar që ka të drejtë vote, që ta përkrahë këtë listë të koalicionit, sepse është lista më e mirë. Ne, me këtë listë, do të fitojmë dhe do ta marrim të drejtën të formojmë Qeverinë”, ka thënë kreu i LDK-së.

Ai ka shtuar se duhet t’i mundim ata që kanë qeverisur keq për 17 vjet, t’i mundim ata që nuk i kanë kryer punë dhe t’i përkrahim ata që e kanë programin më të mirë.

“Koalicioni LDK-AKR-Alternativa-Lëvizja për Drejtësi e ruan krejtësisht frymën rugoviane, e ruan orientimin tonë për zhvillimin dhe krijimin e shtetit demokratik, e ruan përmirësimin e lirive qytetare, zhvillimin ekonomik”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i Degës së LDK-së në Junik, Ruzhdi Shehu, ka thënë të dielën se LDK dhe koalicioni i saj janë zgjidhja e vetme për Junikun dhe gjithë Kosovën.

Ai ka thënë se kandidati ynë për kryeministër është personaliteti i duhur për të zgjidhur problemet ekonomike dhe politike me të cilat përballet Kosova.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se dëshiroj që ashtu siç ka filluar ndryshimi në qytetin më të madh të kësaj ane, në Pejë, në vitin 2013, të më jepni fjalën se do të fillojë edhe këtu në Junik, edhe në Deçan dhe kjo pjesë të frymojë me program të zhvillimit, të urtësisë dhe besës.

“Ju në Junik e dini që trimëria dhe mençuria janë urtësi. Ju jeni shembulli më i mirë në tërë Kosovën që të jesh trim dhe i mençur do të thotë të jesh i urtë. Kjo besë, mençuri dhe urtësi, sot janë mishëruar te kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti”, ka thënë Kusari Lila.

“Ne po duan të na zmbrapsni duke na i treguar muskujt. Muskujt na i treguan edhe në vitin 2013, duke thënë se një grua nuk mund t’i mundë burrat. Unë i munda dhe a e dini pse? Sepse gratë e Dukagjinit janë të forta”, ka thënë kryetarja e Gjakovës.

Ajo ka shtuar se kjo listë është më e mira, që i sjell vendit vetëm të mira, shkollim, ekonomi, shëndetësi, ushtri. “E jo si dikush që nuk e njeh shtetin, e madje e kërkon votën për shtet ose si dikush që flet për trimëri, e brenda natës i ndërron të gjitha pozicionet, vetëm pse ia kanë ofruar një karrige”, ka thënë ajo. 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera