Lajme

Hoti të mërkurën në tri interpelanca

Autori: Gazeta inFokus 16:14 | 16 October 2020

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të mërkurën të mbahet seancë, në të cilën do të jenë tri interpelanca të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti të parashtruara nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Interpelancë për pezullimin njëvjeçar të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, interpelancë lidhur me zotimin e tij për t’u bashkuar në nismën e Novi Sadit dhe interpelancë për qëndrimin e marrëveshjes anti-kushtetuese për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe janë temat për të cilat do të përgjigjet kryeministri i vendit.

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryetarja Vjosa Osmani, tha se në këtë mbledhje është trajtuar kërkesa e kryeministrit që të 5 kërkesat për interpelanca të mbahen në të njëjtën datë.

“Ne e patëm një mbledhje të kryesisë ku e trajtuam letrën e kryeministrit të Kosovës lidhur me 5 interpelancat të cilat janë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryeministri ka propozuar që të mbahen në po të njëjtën datë. Mirëpo, u dakorduam që për shkak të mungesës së rrethanave fizike që të pesë interpelancat që do të zgjasin fare pa pauzë 15 orë dhe për shkak të pandemisë ku llogaritet që vazhdimisht të kemi edhe ajrosje të hapësirës dhe mos qëndrim në të njëjtën hapësirë që tri interpelanca t’i caktojmë të mërkurën, kurse dy të tjera do të dakordohen dy kabinetet tona, pra ai i Kuvendit me atë të Qeverisë për datat se kur do të caktohen”, tha ajo.

Të tjera