Lajme

Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shumë kohë

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 22 November 2024

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur tryezë diskutimi lidhur me katërvjetorin e marrëveshjes historike për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga presidenti, Donald Trump.

Avdullah Hoti i cili atë kohë ishte kryeministër i Kosovës, tha se përkundër që kanë kaluar mbi 4 vite nga arritja e marrëveshjes, Kosova nuk ka arritur të implementojë projekte të rëndësishme të cilët do të kishin impakt në ekonominë e vendit.

Ai theksoi se gjatë kohës sa ka qenë kryeministër ka punuar me aleatët në mënyrë që Kosova të ecë para sa i përket integrimit si dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

-Advertisement-

“Ne kemi punuar ngushtë me aleatët që çështja e Kosovës të jetë sfidë për integrim euroatlantik, e jo sfidë e sigurisë. Tash kam frikë se gjatë këtyre viteve jemi kthyer prapë në pikën zero ku Kosova trajtohet në tavolinat e aleatëve si problem i sigurisë. Nuk ka më dialog për njohje reciproke, është arritur një marrëveshje në Bruksel dhe një aneks në Ohër. Sot në vitin 2024 besoj që do të duhej të ishim në kulm të investimeve edhe në hekurudhë edhe në autostrada edhe në krijimin e portit në dalje të Prishtinës dhe më vie shumë keq që nuk kemi avancuar në projektin e gazit. Këto projekte nuk janë anuluar, por kemi humbur kohë shumë të vlefshme. Unë besoj që pas zgjedhjeve të ardhshme t’i kthehemi kësaj agjende. Ne nuk po duket që në të ardhmen e afërt mund të arrijmë një marrëveshje me Serbinë, andaj duhet të fokusohemi në ekonominë e vendit”, shtoi ai.

Hoti tha se pret që administrata e re Trump të ketë qasje më pragmatike ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

“Unë hezitoj të interpretoj politikat e presidentëve amerikanë. Se si do të qaset tani presidenti i ri karshi dialogut Kosovë-Serbi po tentoj të besoj që do të shohim një qasje shumë më pragmatike. Unë nuk besoj që kjo qasje mund t’i cenoj arritjet që i kemi deri më tani. Kjo nënkupton që të shtyhen të dy palët që të hyjnë në aranzhime që e ndërrojnë qasjen e dy vendeve në arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, shtoi Hoti.

Për rëndësinë e marrëveshjes së Washingtonit foli edhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane.

Ai tha se janë duke organizuar aktivitete për të përafruar më shumë bizneset kosovare dhe ato serbe.

“Si asnjëherë tjetër nuk ka ndodhur që një marrëveshje e tillë të ndërmjetësohet nga SHBA dhe të nënshkruhet në njërin prej institucioneve të rëndësishme. Jemi krenar që Oda Amerikane edhe në atë kohë edhe përgjatë këtyre viteve ka vazhduar të mbështes dispozitat e marrëveshjes së Uashingtonit. Oda Ekonomike është duke organizuar aktivitete për të përafruar bizneset e Kosovës me ato të Serbisë. Ne synojmë dhe besojmë që katër liritë janë të mundshme dhe mbajmë qëndrim optimist sa i përket të ardhmes së këtyre katër lirive”, theksoi Zeka.

Ndërsa, përkundër që kanë kaluar katër vite, gazetari Adriatik Kelmendi tha se Kosova aktualisht është në pikën më të ulët të marrëdhënieve me aleatët.

“Atëherë kishte optimizëm. Kishte një proces që kishte hyrë në kanalet e veta. Ishte procesi që udhëhiqej nga Brukseli. Ne sa herë që shihnim se procesi mund të merrte ndonjë kahe ne më së shumti thoshim se na duhet përfshirja e drejtpërdrejt amerikane. Atëherë kishte optimizëm se një marrëveshje përfundimtare mund të ishte më afër se sa që shihet sot. Ne jemi fituesit e asaj çfarë ka ndodhur. Por Serbia është aleate më e madhe ekonomike për shtetet tjera sesa Kosova. Ky është dëm për Kosovën. Rëndësia ekonomike nuk mund të ndahet nga politika. I vetmi shtet i cili nuk e sanksionon Rusinë por përfiton gjatë gjithë kësaj kohe është Serbia”, shtoi ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera