Lajme

Hoti: Takimi në Bruksel, me epilog zero

Autori: Gazeta inFokus 10:43 | 25 October 2024

Ish-kryeministri, tash deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se takimi i djeshëm në Bruksel në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndërmjetësimin e BE-së, është me epilog zero.

“Mungesa e rezultatit të takimit nuk është për shkak të kushtëzimit të Kosovës për njohje reciproke, si mundësia e vetme për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Qeveria LVV-Guxo, qysh në fillim, ka hequr dorë nga ky kushtëzim duke e braktisur dialogun për njohje të nisur në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja”, ka shkruar Hoti në ‘Facebook’.

Sipas tij, mungesa e rezultatit të këtij takimi lidhet me kundërshtimin e Kosovës për kohën e themelimit të asociacionit, të cilin Qeveria LVV-Guxo, me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit dhe draftin e statutit të asociacionit, e avancoi dhe e nxori jashtë rendit kushtetues të Kosovës.

-Advertisement-

“Këta e dinë mirë se Marrëveshja e Bukselit/Ohrit dhe drafti i statutit të asociacionit janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo edhe është arsyeja përse nuk e procedojnë atë draft për opinion në Gjykatën Kushtetuese, duke ia bartur problemin qeverisë së ardhshme. Tani kjo Marrëveshje është bërë pjesë e kushteve në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s, duke krijuar kështu problem edhe më të madh për vendin, duke qenë se me të është vendosur një status-quo e re për Kosovën, duke stopuar njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare. Që nga shpallja e pavarësisë, secila qeveria ka bërë hapa drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kanë qenë njohjet e shumta nga vendet perëndimore të vitit të parë pas shpalljes së pavarësisë që kanë dhënë mesazhin e qartë anembanë botës për përhershmërinë e shtetit të Kosovës, të cilat njohje kanë mundësuar anëtarësimin në: Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Evropiane për Investime, Federatat e ndryshme sportive e shumë mekanizma të tjerë”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera