Lajme

Hoti në Klinë, flitet për rrugën transit që lidhet me autostradën Kievë-Zahaq

Autori: Gazeta inFokus 12:55 | 20 October 2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi kanë vizituar komunën e Klinës.

Pas takimit që zhvilluan me kryetarin e kësaj komune, Zenun Elezaj, kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti ka lavdëruar këtë komunë për menaxhim të pandemisë.

Hoti tha se projekti i rrugës transit si dhe projekti për ujë të pijes tashmë janë në rrugë të mbarë për tu realizuar. Veç këtyre, Hoti ka folur edhe për çështjen e personave të pagjetur.

-Advertisement-

“U dakorduam për projektin që përfshinë rrugën transit që lidhet me autostradën Kievë-Zahaq, që tejkalon qytetin e Klinës për të evituat tollovinë, e dyta furnizimi me ujë që ka kohë që nuk është zgjidhur për komunën e Klinës dhe tani besoj se është në rrugë të mbarë me ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit do jetë pjesë e buxhetit 2021 dhe besoj do përmbyllet njëherë e përgjithmonë kjo çështje. Komuna e Klinës dhe disa komuna të tjera e kanë dhe është shumë e ndjeshme çështja e personave të pagjetur jemi duke punuar shumë me Komisionin Qeveritar”, tha ai.

Për projektet kulturore dhe sportive që dedikohen për Klinën foli ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cila tha se kjo komunë më herët nuk ka qenë e përfshirë në buxhetin e kësaj ministrie.

E sipas saj projektet që kërkojnë investime kulturore dhe sportive për klinasit do të përfshihen në buxhetin e vitit 2021.

“Fusha për tenis, fushë basketboll tek parku i qytetit e gjithashtu është edhe shtëpia e Kulturës ku do i ndihmojmë që të realizohet një kinema e qytetit janë disa nga projektet që do të bëjmë. Kurse, në pjesën e trashëgimisë kulturore në Dresnik është një park shumë unik ku paraqitet një park mozaik me mijëra vjeçar dhe do vazhdojmë punimet edhe në pjesën e arkeologjisë. Kërkesa janë edhe për dy kulla të cilët i takojnë pjesës së trashëgimisë edhe me ato do procedojmë dhe do i kryejmë bashkë”, tha ajo.

Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj tha se kjo komunë ka arritur ta menaxhoj mirë pandeminë Covid-19.

Ai tha se ka marr mbështetje për projekte jetike për qytetarët e kësaj komune.

“Klina ka nevojë për mbështetjen e kryeministrit sidomos për çështjen e furnizimit me ujë të pijes së qytetarëve dhe transiti i qytetit e cila është një rrugë e cila e bashkon edhe komunën e Istogut por edhe e lehtëson lëvizjen e qytetarëve. Për të dy projektet hasëm mirëkuptim dhe besoj që do kemi mbështetjen e qeverisë”, tha ai.

Gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka marr pjesë edhe në inaugurimin e palestrës sportive në Deçan./B.Ibishi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera