Lajme

Hoti kritikon Qeverinë: Pas dështimeve në çdo fushë, ia kanë mësyrë shpenzimit të buxhetit përmes subvencioneve

Autori: Gazeta inFokus 16:47 | 12 September 2023

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar qeverinë për mënyrën e shpërndarjes së buxhetit të shtetit.

Hoti përmes një shënimi në Facebook ka thënë se në mungesë të ideve kjo qeveri po e shpenzon buxhetin përmes subvencioneve.

“Pas dështimeve në çdo fushë, ia kanë mësyrë shpenzimit të buxhetit përmes subvencioneve. Subvencionim i pajisjeve shtëpiake! Subvencionim i energjisë elektrike! Subvencionim i librave për nxënës!”, ka shkruar Hoti.

-Advertisement-

“Mos u çuditni kur të subvencionohen policët për uniformë dhe këpucë, apo pacientët për barnat nga lista esenciale, pasi po dështojnë tenderët në vazhdimësi për arsyet që vetëm ata i dinë”, vijon tutje reagimi i ish-kryeministrit.

Ai thotë se kjo lloj politike buxhetore shpërfaq varfërinë në dije të këtyre që po qeverisin.

“As praktikantë nuk mund tu thuash më, sepse praktika zgjatë gjashtë muaj deri në një vit”.

Hoti që është me profesion ekonomist, ka shkruar se kjo qeveri nuk ka aspak ide për tërheqjen e investimeve.

“Pas tri vitesh në qeverisje, është e qartë se ide nuk kanë për politika fiskale e buxhetore në kushtet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës vendore e të jashtme.

“Ide nuk kanë si tërhiqen investimet, si prioritizohen investimet publike, apo si sigurohet vlera maksimale për paranë e shpenzuar nga buxheti”.

Për fund ish-kryeministri thotë se “krejt çfarë dinë është subvencionimi përmes platformës ‘eKosova’”, duke i kushtuar shtetit shumë më shtrenjtë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera