Lajme

Hoti: Kontesti i Klan Kosovës me Qeverinë Kurti duhet trajtuar edhe si çështje e lirisë së medieve

Autori: Gazeta inFokus 13:03 | 03 August 2023

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur lajm të mirë pezullimin e ekzekutimit të vendimit për heqjen e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën derisa çështja të shqyrtohet në procedurë të rregullt gjyqësore.

Sipas tij, kontesti i Klan Kosovës me Qeverinë Kurti duhet trajtuar edhe si çështje e lirisë së medieve, e jo vetëm si çështje biznesore, raporton Klan Kosova.

“Sigurisht se ligji duhet të zbatohet pa asnjë kompromis, por ka qenë gabim që në fillim që me vendime administrative të komisioneve të Ministrisë të tentohet të mbyllet një nga mediet kryesore në vend. Një media mund të mbyllet vetëm nëse ka një vendim gjykate. Prandaj, që në fillim Ministria do të duhej ta drejtonte çështjen në gjykatë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

-Advertisement-

Tutje, ai ka theksuar se në një sistem demokratik, mediet përbëjnë njërën nga shtyllat e shtetit.

“Nëse shembet ajo shtyllë, atëherë sistemi demokratik kolapson dhe shkohet drejt diktaturës. Nuk ka rrugë të mesit”, ka shtuar ai.

“Liria e medieve nuk matet me numrin e medieve të regjistruara, siç po tentohet të shitet nga demagogët në pushtet. Liria e medieve matet me lirinë e aktivitetit dhe fjalës së tyre në çdo rrethanë. Nëse mediet bëjnë shkelje të etikës profesionale, atëherë janë mekanizmat ligjorë që mund të përdoren”, ka thënë më tej Hoti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera