Lajme

Hoti: Koalicioni properëndimor me duar të pastra do të fitojë bindshëm më 11 qershor

Autori: Gazeta inFokus 19:46 | 07 June 2017

Para mijëra simpatizantëve në Gjilan, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën se masiviteti i tubimeve të koalicionit të djathtë tregon se më 11 qershor në Kosovë do të fitojë koalicioni properëndimor dhe me duar të pastra.

“Ju falënderoj që keni ardhur kaq shumë në tubimin e sotëm Gjilan dhe anekënd Kosovës për të përkrahur programin tonë për qeverinë e re pa krim dhe korrupsioni, nga njerëz të dëshmuar që nuk kanë probleme me personalitetin e tyre dhe i kanë duart e pastra. Partnerët tanë evropianë po kërkojnë qeveri properëndimore. Nuk ka parti politike në Kosovë më të integruar se LDK, e cila është pjesë e Partive Popullore Evropiane. Qytetarët e Kosovës do t’i japin atdheut të tyre një qeveri properëndimore që i ka dyert e hapura në Evropë”, ka thënë Hoti.

“Qytetarët e Kosovës e dinë kush janë pro-perëndimorët në Kosovë. Ka treguar edhe Presidenti i Partive Popullore Evropiane Joseph Daul para pak ditësh. Ne do ta çrrënjosim krimin e organizuar dhe korrupsionin sepse i kemi duart e pastra”, ka thënë Hoti.

-Advertisement-

“Ne jemi të sigurt në fitore, por ju kërkoj përkrahje që kjo fitore të jetë e thellë, për ta krijuar një qeveri të fortë, që e udhëheq Kosovën kah përmbyllja e shtetndërtimit. Vetëm qeverisja jonë, Kosovës ia çel rrugën për integrimet euro-atlantike. Ne kemi zgjidhje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pa humbur asnjë pëllëmbë tokë. Ne do t’ua sjellim krejt qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave. Ne do ta krijojmë ushtrinë e Kosovës. Ne kemi miq të fortë që na besojnë ne dhe që duan ta ndihmojnë Kosovën. Prandaj, dilni masivisht në këto zgjedhje, që janë referendum për Kosovën”, ka thënë Hoti.

“Pas asaj që pamë në Viti e Kamenicë, kjo masë madhështore në Gjilan vetëm sa e vulos fitoren e 11 qershorit, të cilën do ta arrijmë si në kohën e Presidentit Rugova. Për këto tri javë kemi biseduar me të gjitha shtresat e shoqërisë dhe në sytë e të gjithëve e kam parë dëshirën e madhe për ndryshim, e këtë ndryshim do ta bëjë koalicioni ynë, me një listë të cilës jam i nderuar që i prij”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi i ka përshëndetur familjet e Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit, Agim Ramadanit e Ibrahim Rugovës, ka thënë të mërkurën në tubimin në këtë qytet se LDK-ja edhe këtë herë do të dëshmojë se është forca e vetme politike që e meriton besimin e qytetarëve.

“Ky tubim nuk është një tubim i thjeshtë, kjo është një kryengritje politike, kundër çdo lëvizje të kuqe dhe kundër çdo ideologjie, e cila në këto anë është luftuar me çdo mjet. Kryengritja e sotme politike është për mbrojtjen e LDK-së, për mbrojtjen e koalicionit, por mbi të gjitha për mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haziri.

Ai u ka bërë me dije të gjithëve se LDK-ja është parti e familjes, e familjes për shtet, me besim të madh në Zot jemi bërë bashkë edhe me partnerët për t’u bërë edhe më të fortë, për të ecur përpara drejt fitoreve të reja.

“Zoti kryeministër Mustafa, ju dëshmuat se kryeministri i LDK-së është i vetmi që mund ta largojë liderin e PDK-së nga qeverisja. Ju e larguat edhe liderin e dytë të tyre. Tani më ajo parti nuk ka emër, nuk ka kandidat dhe është mbështetur në një gardh tjetër”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, ata janë mosmirënjohës me partnerë, me luftëtarët e lirisë, me bizneset, me Kosovën dhe mosmirënjohësi e dini ku e ka vendin.

“Nëse nuk e kanë kuptuar ende, do t’u tregojmë më 11 qershor”, ka shtuar Haziri, duke theksuar se me PDK nuk do të ketë asnjë mundësi koalicioni, as me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

“Dëshirojmë t’i tregojmë edhe lëvizjes së kuqe se Gjilani nuk i duron vijat e kuqe të yllit dhe as zemrat e zbrazura. Kot e kanë që janë qethur, rruar e teleisur. Prej që janë zbuluar gërshërët dhe zhileti, në Gjilan njerëzit janë rruar me kohë dhe nuk ka pasur nevojë të ketë zgjedhje për diçka të tillë”, ka thënë Haziri.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë Gjilani është model se si qeveriset komuna. “Ky është model i qeverisjes për zhvillim ekonomik, kundër krimit dhe korrupsionit. Ne ishim qeveria e parë në nivelin qendror që e luftuam këtë dukuri, por ata nuk e duruan. Nuk e duruan, sepse nuk e duruan ngushtimin e lakut”, ka thënë Mustafa.

“Ne kemi ndërtuar rrugë, shkolla, sheshe, të tjerët i prishën sheshet për t’i marrë gurët dhe ta gjuajnë shtetin tonë, policinë tonë. Prandaj, ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë votën tuaj. Ne u thamë PDK-së të mos nguten dhe të presim deri në zgjedhjet lokale, në mënyrë që të shpenzojmë shumë më pak, e njëkohësisht do ta respektojmë muajin e shenjtë të Ramazanit. Ata që nuk e respektuan këtë muaj, nuk mund ta kenë respektin e popullit. Njëjtë do të kisha thënë edhe nëse kjo do të kishte ndodhur në Ditën e Pashkëve”, ka thënë Mustafa.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se vota e 11 qershorit ka rëndësi për dy arsye. “Ndarja nga matrapazët dhe profiterët, të cilët e mbajtën Kosovën peng deri tash. Ndërsa, arsyeja e dytë është krijimi i qeverisë së zhvillimit, shpresës dhe prosperitetit. Kosovën duhet ta ndërtojmë sipas idealit të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe idealit të dëshmorëve tanë, të cilët ranë për një Kosovë ndryshe nga kjo që e kemi sot”, ka thënë Pacolli.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se na ndajnë edhe nga katër ditë nga festa e fitores. “Më 11 qershor, në mediat ndërkombëtare do të lexojmë: ‘Zgjedhjet në Kosovë u morën nga ata që Kosovës ia kanë zënë frymën’, ose, ashtu siç duhet të ndodhë: ‘Koalicioni proevropian i fitoi zgjedhjet, Kosova u drejtua kah Evropa’. Fitoren do ta finalizojmë më 11 qershor”, ka thënë Kusari Lila.

Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Qerkezi ka thënë se në këtë koalicion jemi bashkë për të punuar drejt. “Është abuzuar gjatë gjithë kohës edhe me ramazanin edhe me iftarin, por ne kemi vendosur që këtë çështje ta zgjidhim ashtu siç duhet. Besoj që në qeverinë e re duhet të ketë edhe një ministri për çështje fetare. Po vërehet kthimi i frymës rugoviane, por ky është vetëm fillimi, sepse numri ynë po rritet çdo ditë e më tepër”, ka thënë ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera