Lajme

Hoti kërkon transparencë nga Qeveria para dhe pas çdo raundi të dialogut Kosovë-Serbi

Autori: Gazeta inFokus 11:25 | 09 September 2022

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për vizitat që janë duke i bërë në vend, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, dy këshilltarët e emëruar nga Gjermania dhe Franca për dialogun Kosovë-Serbi, duke kërkuar nga Qeveria që të ketë transparencë në raportimin e saj në Kuvend të Kosovës.

Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se LDK-ja është falënderuese për interesimin e shtuar të partnerëve kryesorë të Kosovës për të përmbyllur marrëveshjen për normalizim dhe njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, me këtë interesim të shtuar, është e domosdoshme të sigurohet kohezioni i brendshëm politik dhe shoqëror për të mbështetur Qeverinë në dialog për marrëveshjen finale.

-Advertisement-

Por, paraprakisht siç theksoi Hoti duhet të sigurohet transparencë e plotë nga ana e Qeverisë përmes raportimit në Kuvend, e cila gjë ka munguar pavarësisht rezolutës së Kuvendit ku i kërkon Kryeminsitrit të raportoj para dhe pas çdo rundi të dialogut.

“Nuk ka forum tjetër për raportim përveç Kuvendit. Takimet me kryetarët e partive politike opozitare nuk e zëvendësojnë raportimin në Kuvend”, tha ai.

Hoti shtoi se kryeministri duhet të jetë i hapur në raportimin në Kuvend.

“Ai nuk mund të evitoj transparencën karshi deputetëve përmes deklarimeve për ndjeshmërinë e dialogut. Përtej kësaj, transparenca në dialog duhet të sigurohet edhe karshi komunitetit akademik, shoqërisë civile dhe mediave. Transparenca karshi tyre i mundëson Qeverisë të marrë sugjerime të dobishme dhe në veçanti, e ndihmon në informimin e publikut të gjerë për të krijuar kohezionin e nevojshëm mbështetës për marrëveshjen finale”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edicioni i 6-të i Garage Sale sjell zbritje të madhe në Comodita Home!
-Advertisement-

Të tjera