Lajme

Hoti: Kërkojmë mbështetje si në kohën e Ibrahim Rugovës

Autori: Gazeta inFokus 19:45 | 01 June 2017

I nominuari i koalicionit LDK-AKR-Alternativa për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se rrahja e gjoksit nuk është atribut i këtij koalicioni.

Ai ka kërkuar nga hapja e fushatës në Prishtinë se për zgjedhjet e 11 qershorit kërkojnë mbështetje si në kohën e presidentit Ibrahim Rugova.

Hoti ka thënë se vendi nuk do të humbë tokë në rastin e demarkacionit.

-Advertisement-

“Ashtu siç ka thënë kryeministri Mustafa, nuk do të humbet asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës, nga demarkacioni me Malin e Zi por edhe Serbinë”, ka shtuar ai.

“Do të thellojmë bashkëpunimin vëllazëror me Shqipërinë. Qeveria jonë do të kontribuojë në ruajtjen e paqes në rajon”, ka thënë Hoti.

“Kosova është çliruar, është pavarësuar tash duhet të punojmë në idenë e një shtetit demokratik”.

Ai ka thënë se vendi sot është këtu falë kontributit të presidentit Ibrahim Rugova dhe gjakut të derdhur të ushtarëve të UÇK-së.

“Kosova është këtu falë mbështetjes nga bota e civilizuar”, ka pohuar Hoti.

“Ne jemi të aftë dhe të guximshëm t’i dalim zot Kosovës”, ka theksuar ai më tej.

Në fund fjalimin e tij e Hoti e ka përmbyllur ashtu siç Rugova bënte dikur.

“Zoti e bekoftë Kosovën, zoti e bekoftë popullin e Kosovës, zoti i bekoftë miqtë e Kosovës”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera