Lajme

Hoti: Jam krenar që i prij Brezit të Republikës në fitoren e 11 qershorit

Autori: Gazeta inFokus 18:45 | 01 June 2017

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të enjten në hapje të fushatës zgjedhore në Prishtinë se është krenar që i prin Brezit të Republikës, siç e quante rininë Presidenti Rugova, drejt fitores së sigurt në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Unë jam krenar për besimin që më është dhënë për t’i prirë një ekipi atdhetar, kompetent dhe përfaqësues, për t’i prirë Brezit të Republikës. Këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen e Kosovës. Unë, dhe i gjithë Brezi i Republikës, e çmojmë shansin për të çuar përpara misionin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ky koalicion do të punojë shumë: me unitetin tonë të plotë, me duar të pastra për t’i bindur qytetarët se përfaqësojmë alternativën më të mirë”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se ka zgjidhje për të gjitha problemet e mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova.

-Advertisement-

“Ne kemi vizionin tonë për Kosovën. Kemi zgjidhje për secilën sfidë dhe jam i bindur se ne do ta vazhdojmë konsolidimin e shtetit të Kosovës. Jam i bindur se përgjegjësit për zhvatjen e pasurisë nacionale do të japin përgjegjësi për dëmet që i kanë shkaktuar të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se ne jemi bashkuar në këtë koalicion si kurrë më parë për t’u shërbyer qytetarëve me nder dhe me duar të pastra, me profesionalizëm, me dinjitet.

“Ky koalicion është alternativa e vetme që garanton zhvillimin ekonomik të Kosovës, mundësi për secilin qytetar dhe kujdes social për shtresat në nevojë. Garanton reformimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Është më e qartë se kurrë më parë se, ne jemi të vetmit që mund të përmbushim kriteret për ta bërë vendin tonë anëtar të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, siç thoshte gjithmonë Presidenti Rugova, për ta bërë të përjetshme dhe speciale miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se koalicioni i fitores që kemi ndërtuar ne, jo vetëm që i ka frikësuar, por siç po dëshmohet përditë, i ka çoroditur oponentët tanë politikë.

“Jam i sigurt se më 11 qershor, qytetarët e Kosovës do të përcaktohen për ne, sepse të gjithë kandidatët për deputetë janë të shkolluar mirë, janë kompetentë dhe më e rëndësishmja, janë me duar të pastra. Kandidatët tanë janë të dëshmuar për shërbim ndaj qytetarëve, në kohë okupimi, janë të dëshmuar për rezistencë gjatë luftës dhe të gatshëm për t’i dalë zot atdheut”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se programi i koalicionit është kontratë me Kosovës. Programi ynë garanton: buxhet të qëndrueshëm prej 3 miliardë euro brenda mandatit për të financuar nevojat e qytetarëve të Kosovës. Rritje ekonomike deri 7 për qind. Zhvillimin e sektorit privat me politika fiskale të përfshira në Pakon Fiskale 2. Krijimi i një Fondi Zhvillimor për të përkrahur bizneset e reja. Programi i ri garanton ulje të papunësisë në numër njëshifror. Pagë minimale prej 210 euro. Rritje të pagave çdo vit. Pensione dinjitoze”, ka thënë Hoti.

Hoti është zotuar se do të mundësojë punësimin e të gjithë të rinjve që kryejnë fakultetin, një vit pune me pagesë, trefishimin e buxhetit për bujqësi, trefishimin e tokave nën ujitje, pushim prindëror dhe përkujdesje 12 mujore për fëmijë me pagesë, gratë lehona të papunësuara, do të marrin 50 përqind të pagës minimale si subvencion për rritjen e fëmijës.

Ai ka thënë se kemi plane konkrete për arsim dhe shëndetësi, investime strategjike, aktivizimin e minierave, ndërtimin e termocentralit të ri etj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera