Lajme

Hoti: Bota po zhvillohet e ne merremi me thashetheme

Autori: Gazeta inFokus 15:13 | 26 January 2020

Janë bërë gati katër muaj që janë mbajtur zgjedhjet e Kosova ende nuk e ka Qeverinë e saj.

Ndërsa, derisa këtu arsye e krejt kësaj zvarritjeje janë postet politike, bota e shtetet përparimtare të saj po vazhdojnë rrugën e zhvillimit, shkruan gazeta inFokus.

Agron Hoti, po thotë që politikës sonë po i mungon vizioni, ku në vend që të mendohet për të ardhmen, politikanët merren me thashetheme.

-Advertisement-

“Në vend që spektri i jonë politik pa përjashtim të bënte projeksione të bazuara në të dhëna e analiza se si do të duhesh dukur vendi në 20 apo 30 vitet e ardhshme, ai përkundrazi merret 24 orë e 7 ditë në javë vetëm me amatorizëm e thashetheme vrerë-mbjellëse dhe vjellje-sjellëse”, ka thënë Hoti.

“Si mund të thuash që je pjesë e spektrit politik, që planifikon të konkurosh në politika evropiane, kur në përbërjen tënde s’ke as institute e as fondacione hulumtuese sikurse që kanë spektret politike në pothuaj të gjitha vendet e BE-së, mekanizma këto, të cilat përpos që do të orientonin politikat programore të spektrit tonë pioner-politik, kuptohet të bazuara në të dhëna statistikore e analiza, ato për më tepër do të promovonin meritokracinë aq shumë të munguar brenda spektrit politik dhe institucioneve publike”.

Tutje shton se gjendja dukshëm do të përmirësohej nëse si brenda spektrit politik, por ashtu edhe institucioneve publike do të promovohej e vlerësohej meritokracia, shkruan gazeta inFokus.

“Duke promovuar meritokracinë brenda spektrit politik dhe institucioneve publike, sigurisht që do të përmirësohej dukshëm qeverisja e përgjithshme në vend ashtu sikurse që do të hapej gradualisht rruga e kalimit nga demokracia procedurale, që aktualisht mbretëron në Kosovë, në atë përmbajtësore”.

“Duke parë që bota po ecën me ritme të jashtëzakonshme zhvillimore, një ndërgjegje e pastër do të duhej zgjuar sa më shpejtë brenda spektrit politik për t’i hapur rrugë meritokracisë para çfarëdo injorance, sepse vetëm duke vepruar kështu do të kapnim trenin e shpejtë, i cili do të na shkurtonte dukshëm kohën e arritjes në BE si synimin tonë të vetëm”.

Ndërsa, sipas tij, deri tash, spektri politik në vend ka promovuar veç injorancën, shkruan gazeta inFokus.

“Mënyra se si ka funksionuar dhe funksionon spektri politik në Kosovë, nuk është asgjë më shumë se sa promovim i injorancës e analfabetizmit të skajshëm në jetën publike e private. Mjaft më me tranzicion; e kemi kryer atë fazë, me meze e alltia psiçiko-shkarkuese nuk shkohet as në Qabe, as në Vatikan e qe besa as në Jerusalem. Shteti do letra bra vlla”./Gazeta inFokus.

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera