Lajme

Hoti: BE-ja s’po e kushtëzon Serbinë për hapjen e arkivave

Autori: Gazeta inFokus 18:24 | 31 July 2024

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se ka mungesë të përkrahjes nga Bashkimi Evropian për të kushtëzuar Serbinë që të hapë arkivat shtetërore, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Ne kur e kemi dërguar kërkesën e parë më 1 qershor të vitit të kaluar për hapjen e arkivave në përgjithësi, kjo kërkesë ka qenë në zbatim të deklaratës për personat e zhdukur e miratuar në Bruksel. Ka qenë kërkesë në zbatim të asaj që kanë premtuar të dyja palët, edhe Kosova edhe Serbia, që do të dorëzojnë çfarëdo lloj informacioni që kanë për personat e zhdukur, përfshirë arkivat ushtarake dhe ato të klasifikuara si sekrete nga Qeveria e Serbisë”, ka deklaruar  Hoti.

Hoti ka theksuar se Serbia nuk ka treguar vullnet për të hapur këto arkiva dhe se nevojitet një presion apo kushtëzim nga BE-ja për ta detyruar Serbinë të japë këto informacione.

-Advertisement-

“Por, deri më sot nuk e kemi marrë as nga BE-ja për kushtëzimin në këtë formë ndaj Serbisë për hapjen e arkivave, pavarësisht që më 1 shtator kam dërguar letër ankesë zotit Borrell pikërisht për letrën e 1 qershorit, më 31 janar të 2024-tës prapë e kam ripërsëritur kërkesën ndaj palës serbe në takimin e jashtëzakonshëm të dy delegacioneve, më 2 korrik as një muaj nuk ka që prapë e kemi ripërsëritur kërkesën tonë, por nuk është që ka ndonjë vullnet as të përgjigjen, se lere më të dorëzojnë apo të flasin për çështjen e arkivave”, ka thënë ai.

Dokumentet sekrete të Serbisë, sipas tij, lehtësojnë në masë të madhe punën deri në arritjen e fatit të personave të zhdukur, qoftë për atë që kanë bërë me ta, qoftë për lokacionet e ndryshme të varrezave masive, sidomos në Serbi.

“Këto ndihmojnë, në Kosovë ka ndodhur një luftë e mirë organizuar, prej një shteti gjenocidial siç është Serbia me ushtrinë dhe policinë e saj. Ne e dimë se policia vepron me urdhra shtetërorë, dhe kjo hierarki, këto urdhra janë dokumentet, këto janë diku në Serbi të klasifikuara si sekrete. Neve na lehtësojnë punën në masë të madhe deri në arritjen e fatit të personave të zhdukur, qoftë për atë çfarë kanë bërë me ta, qoftë për lokacionet e ndryshme të varrezave masive sidomos në Serbi”, ka thënë Hoti në emisionin FIVE.

Deklarata për Personat e Zhdukur, u miratua më 2 maj të 2023-ës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik.

Palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si ‘konfidenciale’.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera