Sport

Holanda mposht kampionët e botës!

Autori: Gazeta inFokus 10:45 | 17 November 2018

Holanda është rikthyer dhe këtë mund ta dëshmojnë më së miri kampionët në fuqi të botës, që dolën kokë-ulur nga transferta e Roterdamit, në një takim ku përveç humbjes minimale, vuajtën jashtëzakonisht edhe lojën e vendasve.

“Tulipanët” morën kontrollin e lojës që në fillim dhe e zhvendosën lojën gradualisht në gjysmëfushën franceze, duke gjetur edhe golin e avantazhit në minutën e 44-t, me anë të mesfushorit të Liverpoolit Wijnaldum.

Më pas pjesa e dytë ishte një dialog i vazhdueshëm mes sulmuesve të Holandës dhe portierit francez Hugo Lloris, që në të paktën 3-4 raste shpëtoi kampionët e botës nga pësimi i golit të dytë.

-Advertisement-

Nga ana tjetër, yjet e Francës u panë të izoluar në gjysmëfushën holandeze, duke humbur thuajse gjithmonë duelet me fanellat portokalli dhe duke mos kërcënuar asnjëherë seriozisht portën e Cillesen.

Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, në minutën e fundit shtesë Holanda fitoi një 11-metërsh, të cilën e mori përsipër ta ekzekutojë Memphis Depay. Sulmuesi i Lyon arriti të dërgojë topin në rrjetë për herë të dytë, falë një gjuajtjeje “alla-Panenka”, që mposhti portierin Lloris.

Tashmë Holanda do të luajë pas 3 ditësh në transfertën ndaj Gjermanisë, ku i duhet të paktën një barazim për të siguruar vendin e parë në grup, ndërsa Franca që aktualisht është në krye, e ka mbyllur aventurën në Ligën e Kombeve dhe shpreson që Gjermania t’i bëjë nder për të mbetur e para.

Vlen të theksohet se me fitoren sot të Holandës, Gjermania ka rënë matematikisht në Ligën B të këtij kompeticioni, ndërsa të hënën në mbrëmje do të ketë mundësi të “hakmerret’ ndaj Holandës, duke mos e lejuar të renditet në vendin e parë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera