Lajme

Historia rrëqethëse e nënës Pashke, Apolloni: Largimi i gurit nga vendi ku dogji veten veprim i pamenduar

Autori: Gazeta inFokus 12:49 | 21 July 2023

Guri përkujtimor i Pashke Markut, nënës që dogji veten në vitin 2003 pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë, është hequr të enjten nga një pronë private në Korenicë të Gjakovës.

E për këtë ka shkruar studiuesi Ag Apolloni.

Apolloni të enjten në një postim në Facebook shkruan se Nëna Pashkë është simbol i Kosovës e i vuajtjeve të popullit, prandaj heqja e gurit është veprim i pamenduar.

-Advertisement-

Lexoni të plotë postimin e tij:

Guri përkujtimor i Pashkë Markut (nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë) qenka hequr sot pasdite me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala.

Nëna Pashkë është simbol i Kosovës, prandaj heqja e atij guri është një gjest i pamenduar i pronarit. Lus Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës (Gjakovë).

Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri.

Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare.

Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi.

Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe muslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet!.

Nëna Pashke, ditën e 27 majit 2003, i vuri flakën vetës pasi ia kthyen trupat e djemve, Gjovalinit dhe Milanit, të vrarë dhe zhdukur me forcë nga Serbia.

Gjovalin dhe Milan Markaj ishin mes 374 të vrarëve më 27 prill 1999, në masakrën e kryer nga forcat e Serbisë në fshatrat Mejë dhe Korenicë të Gjakovës dhe ishin të zhdukur deri në vitin 2003.

Ata u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Më 24 maj 2003 u bë rivarrimi i Gjovalinit dhe Milanit.

Tri ditë më pas, pasi e kreu të pamën, nëna Pashke i vuri vetes flakën, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhimbjes për të bijtë. /Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera