Kulturë

Histori e përjetime rrënqethëse të para me sytë e fëmijëve, tani pjesë e ekspozitës në Prishtinë të Muzeut të Fëmijërisë së Luftës

Autori: Gazeta inFokus 13:25 | 18 April 2022

Edoni ishte vetëm 3 vjec kur u vra nga një shpërthim. Ai nuk ishte fëmiu i vetëm në Kosovë që humbi jetën për shkak të luftës. Bluza e tij, tashmë është pjesë e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës e cila ka hapur ekspozitën e saj edhe në Prishtinë.

“Bluza e Edonit” është vetëm një nga deshmit e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, që ditën e djeshme hapi ekspozitë edhe në Galerinë e Arteve në Prishtinë.

Historia e tij, është e shkruar përkrah. Për të gjithë ata që ndalen dhe e lexojnë, trishtimi dhe rrënqethja janë të pashmangshme. Edoni ishte vetëm 3 vjec e gjysmë, në kohën kur humbi jetën nga një minë e vendosur afër shtëpisë së tij. Ai bashkë me Fisnikun, Burimin, Osmanin e Valdetin, që të gjithë fëmijë, u vranë nga ky shpërthim, për të cilin kishin menduar se ishte një lodër.

-Advertisement-

I vetmi që shpëtoi ishte Blinori 7 vjec, që kishte qëlluar pak metra larg. Ai shpëtoi, për t’mos e harruar kurrë atë ditë dhe për të sjellë këtë rrëfim për gjithë ne. Muzeut i dhuroi bluzën e Edonit, që ishte edhe djali i axhës së tij.

Bashkë me “Bluzën e Edonit” në Galerinë e Arteve të Kosovës, do të qëndrojnë për 14 ditë me dhjetëra dëshmi, gjësende dhe kujtime, të fëmijëve që e kaluan fëmijërinë e tyre në luftë dhe të cilat tashmë janë pjesë e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës.

Muzeu që për herë të parë është hapur në Bosnjë dhe Hercegovinë, po udhëton në vende të ndryshme, duke ofruar dëshmi të asaj që ka ndodhur në vatrat e luftës, e parë dhe e përjetuar nga perspektiva e fëmijëve.

Pjesë e ekspozitës në Prishtinë janë kujtime të fëmijëve nga Kosova, Bosnja, Kroacia, Afganistani, Siria por edhe Ukraina.

Në hapjen e ekspozitës, Drejtoresha e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës Amina Krvavac tha se në këtë ekspozitë janë shfaqur objekte personale, histori personale të treguara përmes këndvështrimit të fëmijëve për përvojën e tyre të kohës së luftës, nga të cilat të gjithë shpresojmë se do të mësojmë ta jetojmë dhe ta ruajmë paqen.

“Ndër shumë procese të tjera, Muzeu ka qëllim edhe t’i ndihmojë shoqëritë të pranojnë dhe të përballen me të kaluarën e vështirë”, tha znj. Krvavac.

Ndërkaq, Ministri i Kulturës Hajrulla Ceku në hapjen e ekspozitës tha se ky muze dhe kjo ekspozitë është një shembull shumë i rrallë i muzealizimit të vuajtjeve të fëmijëve në situate të luftës dhe se në atë dhimbje ka edhe mjaft elemente të qëndresës, mjaft elemente të ballafaqimit me të kaluarën, që na shtynë të mendojmë ndryshe për të ardhmen, që të bëjmë shumë më shumë për ta ruajtur paqen që e kemi sot në vendin tonë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme që fëmijët tonë t’i ruajmë në cdo situate, jo vetëm në luftë por edhe në paqe.

Organizimi i ekspozitës në Kosovë u bë në bashkëveprim edhe me Galerinë e Arteve të Kosovës dhe e ndihmuar nga shumë institucione dhe partnerë vendor dhe të huaj.

Ushtruesi i drejtorit të Galerisë së Arteve, Naim Spahiu tha se është nder për këtë institucion, që të jetë nikoqir i kësaj ekspozite, e cila na sjellë mjaft emocione, duke e ditë se si e kemi përjetuar edhe ne luftën.

Ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës do të jetë e hapur në Galerinë e Arteve të Kosovës nga 16 deri më 30 Prill, me hyrje falas për të gjithë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera