Fokus

Heronjtë e Kosovës presin nga 300 euro

Autori: H. Smajli 09:56 | 22 September 2020

Ka tre muaj që mantel-bardhët po presin nga 300 euro të premtuar nga Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta inFokus.

Por edhe kjo shumë, nga punëtorët shëndetësorë po konsiderohen nënçmuese.

Kështu ka thënë për Gazetën inFokus, Fitim Havolli, Kryetar i Sindikatës së Mamive, Infermierëve dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë sipas të cilit këto shtesa ishin premtim i qeverisë dhe jo kërkesë e tyre por që as këtë premtim nuk e mbajti ekzekutivi.

-Advertisement-

“Nesër do të mbajmë një konferencë për media ku do të shfaqim kërkesat tona qeverisë së Kosovës, ku pjesë e tyre do të jenë edhe shestat prej 300 euro. Mirëpo këto shtesa janë vetë propozim dhe vendim i qeverisë. Qeveria vetë po e shkel vendimin e saj përndryshe na nuk kemi kërkuar 300 euro shtesë dhe nuk do e kishim kërkuar sepse është nënçmuese mirëpo përderisa ata e kanë si shtesë edhe në këtë kohë të pandemisë por edhe ajo s’ka ndodh ende. Domethënë kjo është një premtim i tyre që na nuk ish dashtë me e përmirësuar, ata veç ish dashtë me ekzekutua këtë vendim”, ka thënë Havolli për inFokus.

Ndërsa Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e ka bërë të qartë kërkesën për qeverinë Hoti dhe i ka dhënë afat deri në fund të muajit që shtesat tu shpërndahen punëtorëve të shëndetësisë.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, ka thënë për Gazetën inFokus se janë duke pritur vendimin e qeverisë dhe në rast se nuk vendosen shtesat prej 300 euro, atëherë do të mblidhet Këshilli Drejtues dhe të vendosin se çfarë do të bëjnë në vazhdim.

“Ne do të presim edhe këto dy ditë ose tri sepse janë disa afate ligjore dhe pastaj do të mblidhet Drejtoria Këshilli Drejtues dhe do të merret vendimi. Mirëpo ne të premten e kemi dorëzuar kështu që ka afat të shqyrtimit, dhe varësisht prej vendimit të qeverisë se çfarë përgjigje do të na japë kryeministri ne do të marrin vendimin”, ka thënë Syla.

E në një komunikatë për media, javën e kaluar, FSShK-ja kërcënoi qeverinë Hoti se nëse nuk i paguan këto shtesa atëherë ata do të  pezullojnë punën, shkruan gazeta inFokus.

“Andaj në qoftë se nuk merren seriozisht nënshkrimet e punëtorëve shëndetësor dhe stafit mbështetës në drejtim të realizimit të kësaj të drejte, FSSHK nga e Hëna do të dal me veprime konkrete duke filluar nga dorëzimi i mjeteve transportuese të emergjencës, dorëzimi i mjeteve për pastrim nga ana e punëtorëve të higjienës, mos funksionimi i sistemeve teknike dhe sigurimi i objekteve shëndetësore, të gjitha këto bijnë në përgjegjësinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase ne e kemi konsumuar dialogun social”, thuhet në njoftimin e FSShK-së”, thuhej në komunikatë.

Shtesat prej 300 euro u premtuan nga qeveria ndërsa në korrik qeveria ka marrë vendimin për aprovimin e shtesave mujore prej 300 eurosh për personelin shëndetësor që janë në frontin e parë në luftën kundër COVID-19./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera