Shëndetësi

Hernia diskale, si ta shëroni pa operacion

Autori: Gazeta inFokus 12:01 | 03 May 2017

Dhimbja e mesit është një ndër shqetësimet e përditshme për mbi 90% të popullsisë. Shpesh abuzohet me termin ‘hernie diskale’, pasi jo çdo dhimbje e mesit mund të përkufizohet si hernie diskale.

Çfarë është hernia diskale?

Hernia diskale është dalja nga vendi natyral i diskut vertebral, i cili ndodhet në mes të vertebrave. Ky i fundit luan rolin e një amortizatori midis vertebrave, duke bërë shpërndarjen e peshave në mënyrë të barabartë. Disku është i përbërë nga një veshje e jashtme fibroze dhe shumë rezistente, e quajtur annulus. Veshja e brendshme është më e dobët dhe më elastike e quajtur nukleus polpoz.  Disku duke dalë nga vendi bën një presion në rrënjët nervoze që ndodhen aty pranë, duke shkaktuar dhimbje.

Në cilat zona mund të shfaqet më shpesh?

-Advertisement-

Zonat që e vuajnë më shumë këtë fenomen janë zona lumbare, më specifikisht e më shumë se 80 % të rasteve në zonën L4-L5 edhe L5-S1. Por nuk përjashtohet shpeshtësia e madhe edhe në zonën cervikale.

Siç mund ta kuptoni, zonat më të prekura janë zonat më të stresuara ndaj faktorëve të jashtëm ose më të ekspozuara ndaj traumave direkte edhe indirekte.

Cilat janë shqetësimet më të mëdha që shfaq hernia?

Ndjesia e parë edhe ajo më shqetësuese është dhimbja. Është prania e dhimbjes ajo që na bën të shkojmë te mjeku. Zakonisht dhimbja shoqërohet edhe me mpirje të zonës edhe të gjymtyrëve,  pamundësi për të ngritur pesha, vështirësi për të ndenjur për një kohë të gjatë në të njëjtin pozicion etj.

Pak më lart shpjeguat që jo çdo dhimbje mund të jetë hernie. Si mund t’i klasifikojmë?

Normale që jo çdo dhimbje shpine mund të klasifikohet si hernie diskale. Dhimbjet mund të jenë edhe me natyrë muskulo-skeletike nga faktorë të ndryshëm. Por kur disku vihet përballë disa traumave direkte ku ndodhin disa ndryshime anatomike në të:

“Bulging” – deformim i lehtë i diskut, pa thyerje.

“Protusion” – deformim i vertebrës i shoqëruar me prishje parciale e të fibrave të brendshme të anulusit.

“Hernie diskale” – prishje totale e anulusit me dalje jashtë e nukleusit polpoz.

Dhimbja edhe klasifikimi i saj duhet bërë në dy mënyra; duhet të dallojmë nëse kemi të bëjmë me një dhimbje të mesit, lumbalgji apo një dhimbje më të fortë ku si pasojë e hernies kemi edhe prekje të nervit shiatik, me parestezi dhe humbje ndjeshmërie përgjatë kofshës deri te gishtat e këmbëve, humbje të forcës dhe masës muskulare. Këto janë edhe shenjat më të rënda të hernies, e cila duhet filluar një trajtim që në momentet e para kur është thjesht një dhimbje lumbare.

Çfarë duhet të bëjmë kur kemi dhimbje mesi?

Ajo çka duhet bërë, është një vizitë te mjeku neurolog ose neurokirurg. Pas testeve edhe konsultës, një rezonancë magnetike do të kompletonte dhe saktësonte diagnozën. Këshillohet që në rastet e dhimbjeve akute, zona e prekur duhet të rrijë e pangacmuar dhe në një pozicion të përshtatshëm. Injeksionet antiinflamatore do të ishin të këshillueshme, por vetëm me rekomandimin e mjekut. Masazhet, nëse kryhen ashtu siç duhen edhe në momentin e duhur, shpeshherë japin një qetësim të dhimbjeve, por masazhet e kryera nga joprofesionistë mund ta acarojnë më shumë dhimbjen.

Të  paktën për një hark kohor prej 7-10 ditësh duhet të jemi të kujdesshëm për të qëndruar larg situatave që krijojnë dhimbje. Duhet të shmangim:

Ngritje peshash.

Kujdes ndaj incidenteve, si për shembull rrëshqitjeve.

Qëndrimi për një kohë të gjatë ulur.

Të qëndrojmë larg temperaturave të ulta.

Cili është roli i fizioterapisë në pacientët me hernie diskale?

Nëse shkohet shpejt te mjeku, atëherë kur dhimbja është në fazën fillestare, seancat e fizioterapisë në momentin e duhur mund të bëjnë të mundur që dhimbja të përmirësohet edhe shumë shpejt të rikthehemi aktiviteteve të përditshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera